Besimi Baha'i dhe takimi i nivelit të lartë për aleancën midis feve dhe ruajtjën mjedisit

Statements

Besimi Baha'i dhe takimi i nivelit të lartë për aleancën midis feve dhe ruajtjën mjedisit

Kërkimi i një ekuilibri midis nevojave të shoqërisë dhe burimeve të kufizuara të botës natyrore po bëhet brenda kontekstit më të gjerë të kërkimit për ekuilibër, paqe e harmoni brenda vetë shoqërisë.

Windsor Castle, United Kingdom—3 May 1995

"Mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe siguria e tij janë të paarritshme, në qoftë se e përderisa nuk do të jetë vendosur në mënyrë të patundur uniteti i tij". Këto fjalë profetike, të shqiptuara nga Bahá'u'lláh-u në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kanë qenë injoruar nga udhëheqësit e asaj kohe. Por në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të njëzetë njerëzimi është bërë gjithnjë e më i vetëdishëm për ndërvarësinë e tij dhe është bindur më në fund se asnjë individ, institucion ose komb nuk mund të jetojë në izolim të plotë nga e tëra. Kriza e mjedis/zhvillimit i ka bërë shumë njerëz ta rishikojnë pikëpamjen e tyre për botën dhe të fillojnë ta shohin tokën si një sistem të vetëm organik, të ndërvarur e të unifikuar. Për rrjedhojë, kërkimi i një ekuilibri midis nevojave të shoqërisë dhe burimeve të kufizuara të botës natyrore po bëhet brenda kontekstit më të gjerë të kërkimit për ekuilibër, paqe e harmoni brenda vetë shoqërisë.

Në shkrimet Bahá'í shpjegohet lidhja e ngushtë midis unitetit të gjinisë njerëzore dhe barazisë së sekseve: "...gruas duhet t'i jepet privilegji i shkollimit të barabartë me burrin dhe e drejta e plotë e prerogativave të tij. Domethënë, nuk duhet të ketë dallim në shkollimin e mashkullit e të femrës, në mënyrë që gratë të mund të zhvillojnë aftësi e rëndësi të barabartë me burrin në ekuilibrin shoqëror dhe ekonomik. Atëherë bota do të arrijë unitetin e harmoninë. Në epokat e shkuara njerëzimi ka qenë me të meta e i paefektshëm sepse ishte i mangët. Lufta dhe rrënimet e saj e kanë dëmtuar botën. Shkollimi i gruas do të jetë një hap i fuqishëm përpara drejt zhdukjes e fundit të kësaj të keqeje, sepse ajo do të përdorë të gjithë ndikimin e saj kundër luftës. Gruaja rrit fëmijën dhe edukon të riun deri në pjekuri. Ajo do të refuzojë të japë bijtë e saj për t'u flijuar në fushën e betejës. Në të vërtetë ajo do të jetë faktori më i madh në vendosjen e Paqes Universale e të arbitrazhit ndërkombëtar. Me siguri, gruaja do ta zhdukë luftën midis gjinisë njerëzore".

Deri më sot, shumica e sistemeve të organizimit shoqëror e kanë mënjanuar gruan. Strategjitë e përgjithshme, moderne janë prirur t'i përforcojnë, dhe disa herë t'i acarojnë, kushtet e pabarazisë. Lidhur me pabarazinë e sekseve, Kombet e Bashkuara shpallën "Dekadën e Kombeve të Bashkuara për Gratë: Barazi, Zhvillim dhe Paqe (1975-1985)", e cila shënon një ngjarje shumë të rëndësishme. Si rezultat i kërkimeve që u ndërmorën gjatë Dekadës, dolën më mirë në pah ndihmesat e grave në jetën shoqërore dhe ekonomike të kombeve të tyre. Kërkimi i ri nxorri gjithashtu në pah barrët e panevojshme që mbajnë gratë dhe pengesat që nuk lejojnë pjesëmarrjewn e tyre të plotë në jetën shoqërore. Çka është më e rëndësishmja, Dekada i bashkoi gratë dhe u dha atyre mundësi të papara për të shkëmbyer pikëpamjet e përvojën. Gratë panë se interesat e përbashkëta për vetë të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e

Në shkrimet Bahá'í shpjegohet lidhja e ngushtë midis unitetit të gjinisë njerëzore dhe barazisë së sekseve.

Burrat dhe gratë së bashku do të ndihmojnë për të krijuar atë klimë morale e psikologjike, në të cilën mund të lindë paqja dhe të zhvillohet e lulëzojë një qytetërim i qëndrueshëm nga këndvështrimi i mjedisit.

familjes njerëzore u dhanë atyre mundësi të kapërcejnë kufijtë kombëtarë, të klasës e të racës. Veç kësaj, Dekada shërbeu për rigjalërimin e organizatave tradicionale të grave, si dhe për krijimin e të tjera Organizatave Joqeveritare (OJQ) të bazës, që merren me nevojat specifike të grave. Këto OJQ kanë lehtësuar një angazhim të gjerë midis grave, gjë që u ka dhënë këtyre mundësi të formulojnë nevojat e tyre, të skicojnë programet e veta dhe të fillojnë të ndikojnë mbi politikën në të gjitha nivelet. Si rezultat i përpjekjeve të bëra gjatë Dekadës, planifikuesit e zhvillimit kanë filluar t'i referohen privimit të grave nga të mira të tilla si arsimi, teknologjia e kreditë. Organizmat e Kombeve të Bashkuara, qeveri kombëtare dhe agjensi ndërkombëtare të zhvillimit kanë krijuar zyra për të trajtuar nevojat e shqetësimet e grave.

Këto janë arritje të rëndësishme, të cilat duhen përforcuar e shtrirë shumë. Megjithë njëfarë përparimi, gratë mbeten, sidoqoftë, në skaj të bërjes së politikës dhe sistemet që tradicionalisht i kanë shtypur ato mbeten pothuajse të paprekura. Këto sisteme i përmbahen modelit të sundimit, që ka karakterizuar shoqërinë për mijëra vjet: burrat kanë sunduar mbi gratë; një grup racial ose etnik ka sunduar mbi tjetrin; dhe kombe kanë sunduar mbi kombe. Por megjithë mosdëshirën e njerëzimit për të bërë ndryshime, "ekuilibri tashmë është duke lëvizur -" sipas shkrimeve Bahá'í, "forca po e humbet mbizotërimin e vet dhe mprehtësia e mendjes, intuita e cilësitë shpirtërore të dashurisë e të shërbimit, në të cilat gruaja është e fortë, po shkojnë në ngjitje. Pra, epoka e re do të jetë një epokë më pak mashkullore dhe e përshkuar më shumë nga ideale femërore, ose më saktë, do të jetë një epokë në të cilën elementet mashkullore e femërore të qytetërimit do të jenë më mirë të balancuara".

Ndërsa gratë duhet të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të ecin përpara për të luajtur një rol aktiv në zgjidhjen e problemeve të botës, ndikimi i veprimeve të tyre do të jetë i kufizuar pa bashkëpunimin e plotë të burrave. Gratë që punojnë së bashku në unitet e harmoni kanë arritur tashmë shumë brenda sferave të influencës që janë të hapura për to. Tani gratë duhet të bashkohen me burrat si partnere të barabarta. Kur burrat t'i japin mbështetje të plotë këtij procesi, duke i mirëpritur gratë në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, duke vlerësuar ndihmesat e tyre dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen e tyre, burrat dhe gratë së bashku do të ndihmojnë për të krijuar atë klimë morale e psikologjike në të cilën mund të lindë paqja dhe të zhvillohet e lulëzojë një qytetërim i qëndrueshëm nga këndvështrimi i mjedisit.

Gradualisht, si burrat dhe gratë do të heqin dorë nga qëndrimet e dëmshme që kanë mbajtur për një kohë të gjatë dhe do të futin progresivisht në jetët e tyre vlerat që çojnë në unitet të vërtetë.

Qytetërimi botëror që po lind do të mbështetet nga një angazhim i përbashkët ndaj një kompleksi të ri vlerash, nga një kuptim i përbashkët i raportit midis të drejtave e përgjegjësive dhe nga vullneti i secilit për t'u shërbyer interesave të vërteta të njerëzimit në tërësi.

Shndërrimi që kërkohet për një barazi të vërtetë do të jetë padyshim i vështirë si për burrat dhe për gratë, sepse si të parët dhe të dytat duhet të rivlerësojnë atë që është e zakonshme, e përditshme. Qortimet duhen lënë mënjanë, sepse askush nuk mund të bëhet fajtor që është formuar nga forca historike, sociologjike. Faji duhet zëvendësuar me përgjegjësinë për përparimin. Përballë sfidave të thella me të cilat ndeshet njerëzimi, të gjithë janë të përgjegjshëm të pranojnë se modeli i vjetër nuk funksionon më dhe të gjithë do të jenë përgjegjës para brezave të rinj për drejtimin e qytetërimit njerëzor nga ana e tyre dhe raportet e tij me tokën.

Ndryshimi, sidoqoftë, është një proces evolucionar që kërkon durim ndaj vetvetes e ndaj të tjerëve, edukim mirëdashës dhe kalim të kohës. Tranzicioni do të bëhet më i lehtë kur njerëzit ta kuptojnë se ata nuk do të jenë në gjendje të arrijnë potencialin e tyre të plotë sakohë që gratë pengohen të arrijnë të vetin. Me të vërtetë, kur burrat të stimulojnë aktivisht parimin e barazisë, grave nuk do t'u duhet më të luftojnë për të drejtat e veta. Gradualisht, si burrat dhe gratë do të heqin dorë nga qëndrimet e dëmshme që kanë mbajtur për një kohë të gjatë dhe do të futin progresivisht në jetët e tyre vlerat që çojnë në unitet të vërtetë.

Sipas mendimit të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í, qytetërimi botëror që po lind do të mbështetet nga një angazhim i përbashkët ndaj një kompleksi të ri vlerash, nga një kuptim i përbashkët i raportit midis të drejtave e përgjegjësive dhe nga vullneti i secilit për t'u shërbyer interesave të vërteta të njerëzimit në tërësi. Për Bahá'í-të angazhimi për emancipimin e grave nuk është një zhvillim i kohëve të fundit, dhe as është barazia e sekseve një ideal i mjegullt. Ne kemi bindjen se unifikimi i gjinisë njerëzore varet nga vendosja e barazisë midis burrave dhe grave.

Njerëzimi, shpjegojnë Shkrimet Bahá'í, pasi ka kaluar përmes stadeve të foshnjërisë, të fëmijërisë e të adoleshencës së bujshme, po i afrohet tani pjekurisë, një stadi që do të dëshmojë për "rindërtimin e mbarë botës së qytetëruar - një botë e unifikuar në mënyrë organike në të gjitha aspektet thelbësore të jetës së saj".