Deklaratë e Komunitetit Ndërkombëtar Baha'i drejtuar Konferencës Botërore të Kombëve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut

Statements

Deklaratë e Komunitetit Ndërkombëtar Baha'i drejtuar Konferencës Botërore të Kombëve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut

Pika 10 e programit: Shqyrtimi i raportit midis zhvillimit, demokracisë dhe zotërimit universal të të gjitha të drejtave njerëzore, duke pasur parasysh raportin e ndërsjelltë dhe pandashmërinë e të drejtave ekonomike, shoqërore, kulturore, civile e politike.

Vienna, Austria—14 June 1993

Për Bahá'í-të më themelorja nga të drejtat e njeriut është e drejta e çdo individi për të hetuar ai ose ajo vetë realitetin dhe për të përfituar nga rezultatet e këtij hetimi. Që një e drejtë e tillë ekziston, për ne është e vetkuptueshme nga që ndërgjegja njerëzore ka dhuntinë e aftësive intelektuale, morale, shpirtërore dhe estetike të nevojshme për të ndërmarrë një përpjekje të tillë.

Shumica e njerëzve të botës, padyshim, do ta shprehte në terma fetarë se është dakord me këtë postulat. Gjatë gjithë historisë njerëzore, bindja se çdo person ka jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë që "të njohë e të adhurojë Perëndinë," në çfarëdo terminologjie që të shprehet ky realitet përfundimtar, është rrënjosur nga fetë e mëdha botërore, forca më e rëndësishme për qytetërimin e natyrës njerëzore.

Por argumenti qendror nuk është teologjik. Aspekti historik është i rëndësishëm këtu, sepse format fetare janë të vetmet forma me anë të të cilave pjesa më e madhe e njerëzimit ka ushtruar kryesisht deri tani të drejtën për të hetuar realitetin. Sado i ngushtë ka qenë padyshim ky hetim, për shkak të kufizimeve intelektuale e shoqërore të epokave të mëparshme, vetë kjo e drejtë nuk përfaqëson një hipotezë të re e të paprovuar, përkundrazi ka qenë në themel të asaj që ne e quajmë kulturë.

Duke ushtruar këtë të drejtë e përgjegjësi, çdo individ do t'u drejtohet, në këtë ose atë shkallë, atyre aftësive që karakterizojnë natyrën njerëzore. Zhvillimi dhe ushtrimi i mirëqenies fizike, eksperimentimi me aftësitë estetike e intelektuale dhe lufta për të kultivuar intuitën morale e shpirtërore janë, sidoqoftë, aspekte të praktikës së këtij tipari të patjetërsueshëm të jetës njerëzore. Secila prej këtyre aftësive vihet në punë kur ndërgjegja njerëzore fillon të eksplorojë botën e brendshme e të jashtme, që jep kuadrin e saj të referencës dhe përbën fushën e saj të veprimtarisë.

Duke ndërmarrë këtë kërkim, një kërkim që për të gjitha synimet praktike është sinonim i të jetuarit të një jete që mund të thuhet se është me të vërtetë njerëzore, çdo individ ka nevojë të sigurohet se ushtrimi i aftësive të lartpërmendura do të sjellë ato përfitime, mbrojtje e mundësi që mund të japë në njëfarë mënyre shoqëria në të cilën ai ose ajo jeton. Këto përfitime përfshijnë, siç na tregon projekt-programi ynë, jo vetëm të drejta civile e politike, por edhe të drejta në fushën e jetës ekonomike, shoqërore e kulturore.

Por programi i sesionit vë në dukje gjithashtu se ky sistem të drejtash është një e i pandarë. Pa të drejta ekonomike, dobësohet shumë ushtrimi i të drejtave civile ose shoqërore. Pa të drejta kulturore, një individ ose komunitet do të hasë vështirësi shumë të mëdha për të ushtruar të drejtat politike ose ekonomike në atë shkallë që t'u përgjigjet kërkesave të situatave të tyre respektive.

Derisa njerëzimi është kaq i ndryshëm, zhvillimi i vërtetë mund të vlerësohet më mirë prej vetë njerëzve, duke vepruar individualisht dhe si komunitete, përsa i përket përmirësimit të përgjithshëm të cilësisë së jetesës së tyre. Për aq sa këto përcaktime nuk cënojnë të drejtat e të tjerëve, sistemi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka një detyrim të qartë për të krijuar klimën e nevojshme të opinioneve dhe për të përpunuar një sistem kontrollesh që ta bëjë të mundur këtë.

Duke dhënë ndihmesën e vet në diskutimin e kësaj çështjeje, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í e ndjen për detyrë të sjellë në këtë sesion të rëndësishëm për të Drejtat e Njeriut bindjen e tij se integriteti i të gjitha të drejtave njerëzore në diskutim rrjedh nga e drejta e çdo qenieje njerëzore mbi tokë për të hetuar realitetin me të gjitha mjetet e nevojshme për një përpjekje të tillë. Është pikërisht, besojmë ne, ky parim i paprekshëm që i jep thirrjes për të drejtat e njeriut integritetin dhe karakterin e saj imperativ.