Legjislacioni ndërkombëtar për Mjedisin dhe Zhvillimin

Statements

Legjislacioni ndërkombëtar për Mjedisin dhe Zhvillimin

Deklarata e mëposhtme i është paraqitur nga Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í Komitetit Përgatitor të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin (KKBMZH). KPKBMZH do të zhvillohet në qershor 1992 në Brazil.

Geneva—13 August 1991

Pak më tepër se njëqind vjet më parë, në një seri letrash drejtuar prijësve të botës të asaj kohe, Bahá’u’lláh-u ka thënë se njerëzimi po hyn në një periudhë të historisë që do të sjellë ristrukturimin rrënjësor të jetës së planetit. Sfida të panjohura kurrë më parë, ka thënë Ai, së shpejti do të kapërcejnë burimet edhe të kombeve më të avancuara. Ato do të mund të kanalizoheshin vetëm nga një sistem federal botëror, organi qendror i të cilit do të ishte një parlament përfaqësues botëror i autorizuar të krijojë një kod të pranuar botërisht e të detyrueshëm ligjesh ndërkombëtare. “Toka është një vend i vetëm”, ka thënë Bahá’u’lláh-u, “dhe njerëzimi qytetarët e saj”.

Ndërkohë që përmasat, kompleksiteti dhe ngutësia e problemeve të mjedisit i janë imponuar gradualisht vëmendjes së publikut, logjika e kësaj thënieje është bërë çdo ditë e më e dukshme. Mekanizmat dhe proceset legjislative ndërkombëtare ekzistuese po e tregojnë se janë të papërshtatshme, para së gjithash sepse janë të bazuara në ligje që qeverisin kombet-shtete. Për Komunitetin Ndërkombëtar Bahá’í është e qartë që, po nuk u ndërmorën hapa të rinj krijues për ristrukturimin e rendit ndërkombëtar, vetëm degradimi i mjedisit, me pasojat e tij afatgjatë për zhvillimin ekonomiko-shoqëror, do të çojë pashmangësisht në një katastrofë të tmerrshme.

Procesi i tanishëm për të krijuar një legjislacion ndërkombëtar për mjedisin, i cili trajton çdo herë vetëm nga një problem, është fragmentar e josistematik. Konventa, traktate e protokolle janë adoptuar për çështje të tilla të ndryshme, si mbrojtja e shtresës së ozonit dhe kontrolli i trafikut ndërkombëtar të hedhurinave të rrezikshme. Janë bërë negociata për konventa të tjera rreth ndryshimit të klimës dhe diversitetit biologjik. Janë sugjeruar të tjera akoma për çështje të tilla si burimet e ndotjes detare nga toka. Asnjë organizëm nuk përgjigjet për përpunimin e projekteve të legjislacionmit ndërkombëtar për mjedisin. Dhe as kanë arritur kombet e botës ndonjë marrëveshje për një kompleks parimesh, mbi të cilat të mund të mbështetet legjislacioni për mjedisin. Për më tepër, vendet që nënshkruajnë instrumentet e ndryshme legjislative janë rrallë të njëjtat. Kështu, është pothuasjse e pamundur të harmonizohen ose të kombinohen marrëveshjet.

 

Dihet mirë që procesi legjislativ ndërkombëtar është i javashëm, i rëndë e i kushtueshëm. Pasi është përcaktuar një problem, thirren mbledhje ekspertësh për të përgatitur një projekt-marrëveshje. Marrëveshja diskutohet nga qeveritë e interesuara dhe nënshkruhet në një mbledhje të plotfuqishme. Pas kësaj vjen shpesh një periudhë e gjatë ratifikimesh e dhënieje të pëlqimit dhe legjislacioni hyn në fuqi, por vetëm në ato shtete që e kanë nënshkruar atë. Zakonisht krijohet një sekretariat për të lehtësuar e kontrolluar zbatimin e konventës. Në qoftë se legjislacioni duhet ndryshuar, siç ishte rasti i Protokollit të Montrealit, kur keqësimi i mëtejshëm i shtresës së ozonit i la prapa masat që përmbante Protokolli, azhornimi mund të jetë po aq i javashëm sa dhe vetë adoptimi. Shumë vende, që kanë një numër të kufizuar diplomatësh dhe ekspertësh, nuk i përballojnë dot procedura të tilla që u hanë kohë e janë të kushtueshme, veçanërisht tani që numri i negociatave është duke u shtuar për t’iu përgjigjur problemeve të ngutshme botërore të mjedisit.

Procesi i tanishëm ad hoc [i posaçëm] për legjislacionin e mjedisit vetëm mund të bëhet edhe më i pamanovrueshëm. Janë bërë shumë propozime për të ngritur mekanizma botërorë për krijimin dhe mbështetjen e një modeli të zhvillimit. Disa ekspertë këshillojnë që të forcohet sistemi ekzistues i Kombeve të Bashkuara, duke rritur kompetencat e mandateve të agjensive të tilla si Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (PKBM), duke riorganizuar Këshillin Ekonomik e Social (KES), ose duke përdorur Këshillin e Tutelimit për të administruar disa burime botërore. Disa të tjerë sugjerojnë të krijohen organe të reja, si këshilli i sigurimit të mjedisit, një Gjykatë Ndërkombëtare e drejtësisë për mjedisin, ose një organ ndërkombëtar për mjedisin që të përgatisë, të adoptojë e të rishikojë legjislacionin ndërkombëtar për çështje që kërkojnë një veprim të përbotshëm.

Sado të argumentuara e të dobishme që janë këto propozime, për Komunitetin Ndërkombëtar Bahá’í është e qartë se krijimi i një modeli të qëndrueshëm zhvillimi është një detyrë komplekse me degëzime të gjera. Eshtë e qartë që kjo do të kërkojë një nivel të ri angazhimi për zgjidhjen e problemeve themelore, të cilat nuk lidhen vetëm me mjedisin.

Këto probleme përfshijnë militarizimin, shpërndarjen e çrregullt të pasurisë midis kombeve dhe brenda tyre, racizmin, pamundësinë për arsim, nacionalizmin e shfrenuar dhe mungesën e barazisë midis grave e burrave. Në vend të një trajtimi pjesë-pjesë të konceptuar në përgjigje të nevojave të kombeve-shtete, duket qartë se është e parapëlqyeshme të adoptohet një marrëveshje ombrellë, nën të cilën të mund të shpalleshin kode ndërkombëtare specifike.

Zgjidhjet afatgjatë do të kërkojnë një vizion të ri të gjerë të një shoqërie të përbotshme, të mbështetur nga vlera të reja. Sipas pikëpamjes së Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’í, pranimi i njëshmërisë së njerëzimit është premisa e parë themelore për këtë riorganizim e administrim të botës si një vend i vetëm, si atdheu i njerëzimit. Pranimi i këtij parimi nuk kërkon heqjen dorë nga besnikëritë e ligjshme, eliminimin e diversitetit kulturor, ose zhdukjen e autonomisë kombëtare. Ai vetëm fton për një besnikëri më të gjerë, për një aspiratë shumë më të lartë sesa ajo që ka frymëzuar deri tani përpjekjet njerëzore. Ai kërkon në mënyrë të qartë nënshtrimin e shtysave e të interesave kombëtare ndaj kërkesave imperative të një bote të bashkuar. Ai nuk pajtohet jo vetëm me çfarëdolloj përpjekje për të imponuar uniformitetin, por as me çfarëdo prirje për  centralizim të tepruar. Synimi i tij shprehet mirë në konceptin “unitet në diversitet”.

 

Shkrimet Bahá’í e shohin sistemin federal botëror të propozuar nga Bahá’u’lláh-u si një sistem “në favor të të cilit të gjitha kombet e botës do të dorëzojnë vullnetarisht çdo pretendim për të bërë luftë, disa të drejta për tatime dhe të gjitha të drejtat për të pasur armatime, me përjashtim të një sasie të nevojshme për ruajtjen e rendit të brendshëm në zotërimet respektive të tyre”. Një konfederatë e tillë botërore do të përfshijë “një organ legjislativ botëror, anëtarët e të cilit, si të besuarit e mbarë gjinisë njerëzore, do të kontrollojnë, në fund të fundit, të tëra burimet e të gjitha kombeve përbërëse dhe do të nxjerrin ligjet e nevojshme për të rregulluar jetën, për të plotësuar nevojat e për të ndërtuar marrëdhëniet e të gjitha racave e të të gjithë popujve. Një pushtet ekzekutiv botëror, i mbështetur nga një Forcë e armatosur ndërkombëtare, do të vejë në zbatim vendimet që janë arritur, do të aplikojë ligjet e nxjerra nga organi legjislativ botëror dhe do të ruajë unitetin organik të tërë konfederatës. Një gjykatë botërore do të gjykojë e do të japë verdiktin e saj të detyrueshëm e përfundimtar në të gjitha grindjet që mund të lindin midis elementëve të ndryshëm që përbëjnë këtë sistem universal”. Në një sistem të tillë “kodi i vetëm i ligjit ndërkombëtar - produkt i gjykimit të menduar mirë të përfaqësuesve të federuar të botës - do të ketë si sanksion ndërhyrjen e menjëhershme e shtërnguese të forcave të kombinuara të njësive të federuara...”. Në të njëjtën kohë, “autonomia e shteteve anëtare dhe liria e nisma personale e individëve që i përbëjnë ato [do të] ruhet përfundimisht e plotësisht”.

Prandaj Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í i kërkon Komitetit Përgatitor të gjejë rrugë të guximshme e krijuese për krijimin e mekanizmave e të proceseve legjislative ndërkombëtare. Kurrfarë ndryshimi real nuk është i mundur pa një vizion. Karta e Tokës që është propozuar mund të bëjë një rrugë të gjatë për të dhënë një vizion të unifikuar për të ardhmen dhe për të afirmuar me guxim vlerat në të cilat ai duhet të mbështetet. Në punën e tij mbi tekstin, Komiteti Përgatitor mund të dëshirojë t’i referohet Premtimit të Paqes Botërore, një deklaratë drejtuar Popujve të Botës, e botuar në mbështetje të Vitit Ndërkombëtar të Paqes të Kombeve të Bashkuara (VNP) nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

Bahá’í-të anembanë botës shohin te procesi i KKBMZH një përforcim të fuqishëm të optimizmit që ata ndiejnë për të ardhmen e njerëzimit. Ne besojmë se, të shtyrë nga njohja universale e rreziqeve me të cilat ndeshet në kohën e tanishme planeti, qeveritë e botës mund të nxiten që të veprojnë me kurajë në emër të gjinisë njerëzore në tërësi. Mund të dalë që rezultati të jetë jo vetëm një përgjigje efektive për problemet e mjedisit e të zhvillimit me të cilat ndeshemi sot, por edhe një hap kolosal përpara në ndërtimin e një sistemi federal të aftë që t’i përvishet tërë kompleksit të sfidave me të cilat ndeshet një gjini njerëzore që po integrohet me shpejtësi.