Mbrojtja e të drejtave të grave

Statements

Mbrojtja e të drejtave të grave

DEKLARATË E KOMUNITETIT NDËRKOMBËTAR BAHÁ'Í DREJTUAR KONFERENCËS BOTËRORE TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Vienna, Austria—14 June 1993

 

__________________________________________________

Çështja 11 e programit: Shqyrtimi i rrymave të sotme dhe sfidat e reja për realizimin e plotë të të gjitha të drejtave njerëzore të grave e të burrave, duke përfshirë ato të personave që u përkasin grupeve të pambrojtura.

__________________________________________________

Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í përshëndet mundësinë për të folur lidhur me pikën 11 të programit në këtë Konferencë Botërore historike. Ne shpresojmë se shqyrtimi i gjithanshëm i të drejtave njerëzore të grave do të vazhdojë në të gjitha mbledhjet e ardhshme për të çuar përpara të drejtat e njeriut, dhe ne mbështesim rezolutën e adoptuar nga Komisioni për Statusin e Grave në sesionin e tij të vitit 1993, në të cilën ngulet këmbë që të drejtat e problemet e grave të merren në konsideratë në të gjitha pikat thelbësore të programit provizor për Konferencën Botërore mbi të Drejtat e Njeriut.

Ruajtja dhe rritja e dhunës që drejtohet kundër grave, qoftë personale dhe institucionale, i atribuohet gjerësisht përjashtimit tradicional të grave nga proceset e zhvillimit e të vendim-marrjes. Eshtë i nevojshëm një rregullim i thellë në pikëpamjen kolektive të njerëzimit, i cili të udhëhiqet nga vlera universale e parime shpirtërore. Eshtë i nevojshëm një legjislacion që të shprehë praktikisht barazinë e sekseve, duke trajtuar padrejtësitë konkrete me të cilat ndeshen gratë.

Dhuna në familje është një fakt i jetës për shumë gra në gjithë botën, pavarësisht nga raca, klasa ose niveli arsimor. Në shumë shoqëri, bindjet tradicionale se gratë janë një barrë i bëjnë ato një objekt të kollajshëm të zemërimit. Në situata të tjera, zhgënjimet e burrave nga vështirësitë e humbjet ekonomike u shkarkohen grave e fëmijëve. Në të gjitha anët e botës dhuna kundër grave vazhdon sepse ajo nuk dënohet.

Bindjet dhe praktikat që ndikojnë për shtypjen e grave duhen rishikuar në dritën e drejtësisë. Kur të jetë kuptuar drejt, parimi i barazisë themelore midis burrave dhe grave do të transformojë më në fund të gjitha marrëdhëniet shoqërore, duke i lejuar çdo personi të zhvillojë dhuntitë e talentet unike të tij ose të saj. Përdorimi i forcës së secilit do të ndihmojë në arritjen e pjekurisë së shoqërisë. Ndërkohë që parimi i barazisë fiton njohje, prindërit, shkollat, qeveritë dhe organizatat joqeveritare (OJQ) duhet të marrin mbi vete detyrën për t'ia transmetuar atë brezit tjetër.

Familja është njësia bazë e shoqërisë: të gjithë pjesëtarët e saj duhet të edukohen sipas parimeve shpirtërore. Të drejtat e të gjithëve duhen mbrojtur dhe fëmijët të mësohen të respektojnë vetveten e të tjerët. Sipas shkrimeve Bahá'í, "Integriteti i lidhjes familjare duhet mbajtur vazhdimisht parasysh dhe të drejtat e pjesëtarëve individualë nuk duhet të shkelen".

Edukimi me vlera shpirtërore është i nevojshëm jo vetëm për të mbrojtur gratë, por në të vërtetë për të ushqyer respektin për të gjithë njerëzit, në mënyrë që nderi e dinjiteti të ruhen dhe të zhvillohet një etikë globale, e cila të mbështesë të gjitha të drejtat njerëzore. Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í është i bindur se vetëm rrënjosja e vlerave shpirtërore mund të kryejë atë transformim të individëve e të institucioneve, i cili do të sigurojë respektin për të drejtat njerëzore të të gjithë njerëzve.

Komuniteti Bahá'í, me anë të këshillave administrative lokale e kombëtare në më shumë se 165 vende, po punon në shumë rrugë për të ndryshuar statusin e grave dhe konceptin për to. Një shembull që e vlen të vihet në dukje është bashkëpunimi midis UNIFEM-it dhe komuniteteve Bahá'í në Bolivi, Kamerun e Malajzi, që ka si synim të përmirësojë gjendjen e grave fshatare duke përdorur mjete komunikimi tradicionale, si muzika e vallet, të stimulojë diskutimet në shkallë fshati për rolet e grave. Përvojat e komunitetit tonë dhe Mësimet e Bahá'u'lláh-ut na forcojnë besimin se bota jonë është e destinuar të kalojë nga gjendja e sotme në një gjendje të re, në të cilën të gjithë pjesëtarët e familjes njerëzore të gëzojnë në mënyrë të barabartë realizimin e plotë të të drejtave të tyre njerëzore.