Një Strategji dhe Plan Veprimi Global për Zhvillimin Shoqëror

Statements

Një Strategji dhe Plan Veprimi Global për Zhvillimin Shoqëror

Nga Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í Kontribut i Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í në Sesionin e Parë të Pavarur të Komitetit Përgatitor të Mbledhjes Botërore të Nivelit të Lartë për Zhvillimin Shoqëror Nju Jork Siti 31 janar - 11 shkurt 1994

New York—31 January 1994

Në pragun e mijëvjeçarit të ri, ecja drejt unitetit botëror është bërë një prej tipareve dominuese, gjithpërfshirëse të jetës së planetit. Tani po lind në mënyrë të dukshme një ndërgjegje globale. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po binden se ndërtimi i një shoqërie planetare paqësore e të drejtë është jo vetëm i mundur, por në fakt është thelbësor për vetë mbijetesën e njerëzimit.

Në të njëjtën kohë, sektorë të rëndësishëm të komunitetit botëror - duke përfshirë mjaft teorisienë shoqërorë, ekonomistë dhe prijës fetarë e laikë - i përmbahen pikëpamjes se qeniet njerë-zore janë në mënyrë të pakorrigjueshme egoiste e agresive, pra të paafta për të ngritur një rend shoqëror të përbotshëm paqësor e përparimtar. Një pikëpamje e tillë cinike për natyrën njerëzore, me qëndrimet e sjelljet që e shoqërojnë, ka kontribuar së tepërmi në sëmundjet nga të cilat vuan shoqëria sot, duke përfshirë varfërinë, papunësinë, konfliktet shoqërore, mbishpenzimin, nacionalizmin shovinist, luftën dhe apatinë morale e shpirtërore. {1}

Në qoftë se Takimi Botëror i Nivelit të Lartë për Zhvillimin Shoqëror duhet të "hedhë themelet e punës së Kombeve të Bashkuara në sferën e zhvillimit shoqëror për brezat që do të vijnë", siç ka sugjeruar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara {2}, ai duhet t'i njohë të dy këto botëkuptime, duke e kuptuar që ndërsa i pari ngjall frymëzim e vrull për një përparim shoqëror të paparë, i dyti vetëm nxit dyshime e ndarje.

Një mendim i freskët dhe një frymë uniteti duhet sjellë lidhur me çështjet kyçe të Takimit të Nivelit të Lartë. Thirrje për egoizëm të ngushtë material e kombëtar, nga çdo anë që të ngrihen e sido që të formulohen, nuk duhen lejuar të devijojnë procesin e Takimit të Nivelit të Lartë. Do të jetë e nevojshme një vigjilencë e përhershme.

Shkuarja tej ngushtësisë e partikularizmit do të kërkojë nisma të guximshme dhe një kurajë pa precedent nga ana e Komitetit Përgatitor (KomPërg). Përgjegjësia për të rritur mirëqenien e të gjithë anëtarëve të një shoqërie {3} - parimi bazë i mbarëvajtjes shoqërore moderne - duhet shtrirë tani që të përfshijë të gjithë popujt e tokës. Vetëm duke përqafuar parimin e njëshmërisë së njerëzimit, KomPërg mund të sigurojë që diskutimet gjatë tërë procesit përgatitor të përqëndrohen te mirëqenia e mbarë familjes njerëzore, duke e shtrirë kështu konceptin e mirëqenies shoqë-

shoqërore tej kufijve kombëtarë, në të gjithë botën. {4} Prandaj ne kërkojmë nga KomPërg që ta bëjë parimin e njëshmërisë së njerëzimit "temën qendrore unifikuese të Takimit të Nivelit të Lartë"{5}, të shqyrtojë degëzimet e tij për popujt e kombet e tokës dhe ta kthejë atë në programe pune e angazhimesh praktike. {6}

Njëshmëria e njerëzimit, me unitetin në diversitet që rrjedh prej saj, është e zbatueshme si për popujt dhe për kombet e botës. {7} Ai është një standard praktik, në të vërtetë thelbësor, për rregullimin e jetës kolektive të njerëzimit në planetin tonë. Njëshmëria e njerëzimit është në të njëjtën kohë një deklaratë parimore dhe qëllimi i fundit i ekzistencës njerëzore. Ai nënkupton më shumë se vullnet për të kooperuar; ai flet për dëshirën e madhe të njerëzve kudo për një botë të mbushur me një shpirt të tillë bashkësie, shoqërie e dhembshurie saqë mjerimi e degradimi njerëzor, dhuna dhe shtypja do të bëhen të patolerueshme e, më në fund, të pamendueshme. Në një botë të tillë, paqja, drejtësia shoqërore dhe ekonomike, mirëqenia dhe liria do të bëhen rregulli i ditës. Pranimi gjithnjë e më shumë i njëshmërisë së njerëzimit është forca e vetme më e fuqishme që e shtyn botën drejt unitetit.

Në botën tonë gjithnjë e më të ndërvarur, nuk është më e mundur që një popull ose komb të arrijë mirëqenie të qëndrueshme në kurriz të popujve e të kombeve të tjera. Pra, përparimi real në çështjet kyçe të Takimit të Nivelit të Lartë - arritjen e integrimit shoqëror të qëndrueshëm, zbutjen e shkaqeve rrënjësore të varfërisë dhe shtrirjen e punësimit të vazhdueshëm në prodhim - mund të arrihet vetëm përmes atyre strategjive e veprimeve që ushqejnë unitetin si brenda kombeve të botës dhe midis tyre. {8} Një angazhim i fortë në parimin e njëshmërisë së njerëzimit do ta

ndihmojë shumë KomPërg në hartimin e një "strategjie dhe plani veprimi global" {9} për trajtimin e këtyre çështjeve kyçe.

Një komponent i rëndësishëm i kësaj Strategjie e Plani Veprimi Global do të jenë, padyshim, edukimi dhe programet e përgatitjes. Këto programe duhet të mbështesin parimin e njëshmërisë së njerëzimit dhe të ndihmojnë që të kuptohet progresi i papërmbajtshëm, edhe pse i trazuar, i qytetërimit drejt integrimit global e unitetit botëror. {10} Vetëm kur popujt e planetit ta përqafojnë këtë parim dhe të shohin në ndryshimet e mëdha që po përfshijnë shoqërinë shenjat e integrimit, ndër ta do të zhvillohet një ndjenjë besimi për të ardhmen, ata do të duan të sakrifikojnë për të mirën e përbashkët dhe do të jenë në gjendje të luajnë një rol aktiv e konstruktiv në komunitetin lokal, kombëtar e, më në fund, në atë botëror. Aftësia për të menduar në mënyrë globale po bëhet gjithnjë e më shumë një premisë e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të çdo kombi e populli. Sepse në një ndërgjegje të tillë globale i kanë rrënjët dija, qëndrimet dhe zhdërvjelltësitë që nevojiten për një funksionim efektiv në botën tonë që po integrohet me shpejtësi.

Prandaj Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í kërkon nga KomPërg të hedhë poshtë justifikimet e egoizmit të ngushtë material e kombëtar dhe të adoptojë njëshmërinë e njerëzimit si gurin e provës moral e etik për strateginë dhe planin e veprimit global të zhvillimit shoqëror, që propozohet. Përqafimi i një parimi të tillë unifikues do të bëjë më të lehtë si zbulimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për problemet mbizotëruese të zhvillimit shoqëror që qëndrojnë para Takimit të Nivelit të Lartë. Sepse vetëm në rast se popujt e botës do ta shohin planetin si një atdhe dhe të gjithë banorët e tij si një popull, vetëm atëherë do të lindë vizioni, integriteti moral e angazhimi që janë të nevojshëm për të përballkuar kompleksin e sfidave të zhvillimit shoqëror. Atëherë dhe vetëm atëherë njerëzimi do të jetë në gjendje të ngrejë një rend shoqëror të vetëm, kufijt e të cilit janë ato të planetit. Duke iu referuar epokës sonë, Bahá'u'lláh-u ka shkruar "Mos u mburr se do vendin tënd, por se do gjithë njerëzimin".

  1. "Varfëria ... e vlerave" dhe "ndjenja e pasigurisë dhe e dyshimit", të cilat iu paraqitën Sektorit Ministerial të Nivelit të Lartë të Këshillit Ekonomik e Shoqëror (E/1993/102, # 5), janë në mënyrë të padiskutueshme rezultat i këtij botëkuptimi.
  2. Nga mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Butros Butros-Ghali, dërguar sesionit organizativ të Komitetit Përgatitor të Takimit Botëror të Nivelit të Lartë për Zhvillimin Shoqëror më 12 prill 1993.
  3. Ky parim është aplikuar, me më shumë ose më pak sukses, nga kombe anembanë planetit. (Shih, për shembull, A/Conf. 166/PC/6, #23).
  4. Angazhimi i KomPërg për të ushqyer "një vizion të ri zhvillimi për të gjitha shoqëritë, duke u përqëndruar në nevojat e popullit" (E/1993/102, #1) do të mund të mbështetej duke adoptuar njëshmërinë e njerëzimit si parimin bazë të atij vizioni.
  5. E/1993/77, #86.
  6. Raporti i Takimit të Ekspertëve për Integrimin Shoqëror (A/Conf. 166/PC/8, #66) pohon se "ka nevojë të ngutshme që komuniteti botëror të njohë trashëgiminë e të ardhmen e vet të përbashkët dhe të veprojë mbi bazën e respektit të ndërsjelltë dhe të ndjenjës së përgjegjësisë së përbashkët për dinjitetin e të gjithë popullsisë së botës".
  7. E/1993/77, #80 pohon se "Sistemi i OKB-së ka ende nevojë të shqyrtojë një varg çështjesh që kanë të bëjnë me nocionin e unitetit në diversitet"; ndërsa Raporti i Takimit të Ekspertëve për Integrimin Shoqëror (A/Conf. 166/PC/8, #29) sugjeron se "ne nuk mund ta konceptojmë integrimin e suksesshëm ndryshe, veçse të bazuar në pranimin e diversitetit e të pluralizmit".
  8. Kjo pikë përmbahet në disa vende të dokumenteve përgatitore, për shembull: "stimulimi i solidaritetit brenda vendeve e midis tyre për të luftuar privacionet e diskriminimin ... njohja nga kombet e botës se të gjitha ato janë bashkarisht të interesuara për progresin shoqëror dhe stabilitetin shoqëror të njëra-tjetrës" (E/1993/77, #86); dhe "{g}lobalizimi - apo ndërvarësia në rritje, anembanë botës, e rrymave, e problemeve, e mënyrave të sjelljes dhe e vendimeve - është një tjetër tipar i evolucionit të shoqërive të sotme" (A/Conf. 166/PC/6, #19).
  9. Kjo strategji dhe plan veprimi global - krahas një Deklarate të Takimit të Nivelit të Lartë që të shprehë "parime, orientime e objektiva për zhvillimin shoqëror" - rekomandohet në Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm (A/Conf. 166/PC/6, #163-169). Asaj i referohet gjithashtu Kryetari i Komitetit Përgatitor, Ambasadori Juan Somavia, duke e cilësuar si një "Program për popullin" (fjala në Komitetin e Tretë, 21 tetor 1993). Po kështu, Sektori Ministerial i Nivelit të Lartë i Këshillit Ekonomik e Shoqëror (E 1993/102, # 8) e çon më tej këtë ide duke sugjeruar që "Takimi i Nivelit të Lartë mund të adoptonte një deklaratë politike që të përcaktonte natyrën jetësore të krizës shoqërore me një strategji e plan veprimi global për t'i kthyer vlerat e përbashkëta në plane e angazhime praktike e të realizueshme"; edhe Raporti i Sesionit të Tryezës së Rrumbullakët Veri Jug (Kombet e Bashkuara dhe Institucionet e Breton Uds [Bretton Woods]: Sfida të reja për Shekullin e 21-të, shtator 1993) rekomandon që Takimi Botëror i Nivelit të Lartë të miratojë një "Kartë Sociale Botërore".
  10. Për një shqyrtim më të hollësishëm të programeve të edukimit dhe për fushatat e ndërgjegjmërisë publike që e përmbajnë këtë parim, shih Qytetaria Botërore: Një Etikë Globale për Zhvillim të Pandërprerë, nga Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í.