Pikë Kthese për të Gjitha Kombet

Statements

Pikë Kthese për të Gjitha Kombet

Deklaratë e Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’í me rastin e 50-vjetorit të Kombeve të Bashkuara

New York—1 October 1995

“Unifikimi i mbarë njerëzimit është shenja dalluese e epokës, së cilës po i afrohet tani shoqëria njerëzore. Uniteti i familjes, i fisit, i qytetit-shtet dhe i kombit janë provuar njëri pas tjetrit dhe janë realizuar plotësisht. Uniteti i botës është qëllimi drejt të cilit po priret një njerëzim i shqetësuar. Ndërtimi i kombeve ka përfunduar. Anarkia e brendshme e sovranitetit shtetëror po arrin kulmin. Një botë që po i afrohet pjekurisë, duhet ta braktisë këtë idhull, të njohë njëshmërinë e tërësinë e marrëdhënieve njerëzore dhe të vendosë, një herë e mirë, mekanizmin që mund ta mishërojë më mirë këtë parim themelor të jetës së vet”.

Shoghi Effendi, 1936

 

I.    Panoramë e përgjithshme: Një rast për të reflektuar

Shekulli i 20-të, një ndër periudhat më të trazuara në historinë njerëzore, është karakterizuar nga shumë përmbysje, revolucione e largime radikale nga e kaluara. Duke filluar me shembjen e sistemit kolonial e të perandorive të mëdha të shekullit të nëntëmbëdhjetë, deri në zhvillimin e dështimin e eksperimenteve të gjera e rrënimtare me totalitarizmin, fashizmin e komunizmin, disa prej këtyre përmbysjeve kanë qenë tepër shkatërrimtare, kanë sjellë vdekjen e miliona njerëzve, çrrënjosjen e mënyrave të vjetra të jetesës e të traditave dhe shembjen e instituteve të shenjtëruara në shekuj.

Lëvizje e rryma të tjera kanë qenë në mënyrë të dukshme më pozitive. Zbulime shkencore e intuita të reja sociale kanë nxitur mjaft transformime shoqërore, ekonomike e kulturore progresive. U spastrua rruga për përkufizime të reja të të drejtave të njeriut dhe për afirmimin e dinjitetit personal, për mundësi të gjera për arritje individuale e kolektive dhe u hapën rrugë të gjera për përparimin e dijes e të vetëdijes njerëzore.

Këto procese binjake – shembja e instituteve të vjetra, nga njëra anë, dhe lulëzimi i mënyrave të reja të të menduarit, nga ana tjetër, – janë dëshmi të një rryme të vetme, që ka fituar forcë gjatë njëqind vjetëve të fundit: të rrymës drejt ndërvarësisë e integrimit gjithnjë e më të madh të njerëzimit.

Kjo rrymë mund të vihet re në një varg të gjatë dukurish, që nga shkrirja e tregjeve financiare botërore, të cilat nga ana e tyre pasqyrojnë mbështetjen e njerëzimit në burime të ndryshme e të ndërvarura të energjisë, të ushqimit, të lëndëve të para, të teknologjisë e të dijes, deri te ndërtimi i sistemeve të komunikacionit e të transportit që përfshijnë gjithë rruzullin tokësor. Ajo pasqyrohet në të kuptuarit shkencor të biosferës së ndërlidhur të tokës, e cila nga ana e saj i ka dhënë një ngutshmëri të re nevojës për koordinim global.

Ajo shihet, edhe pse në mënyrë destruktive, në kapacitetet e sistemeve të armëve moderne, të cilat janë fuqizuar gradualisht deri në atë pikë saqë tani është e mundur që një grusht njerëzish t’i japin fund vetë qytetërimit njerëzor. Eshtë vetëdija universale e kësaj rryme – në shprehjet e saj konstruktive e destruktive – që i jep një mprehtësi të tillë fotografisë së njohur të tokës si një sferë rrotulluese në blu e të bardhë në sfondin e së zezës së pafund të hapësirës, një pamje që kristalizon kuptimin e faktit që ne jemi një popull i vetëm, i pasur në diversitet, që jeton në një atdhe të përbashkët.

Kjo rrymë pasqyrohet gjithashtu në përpjekjet këmbëngulëse që bëjnë kombet e botës për të artuar një sistem politik botëror, i cili t’i sigurojë njerëzimit mundësinë për paqe, drejtësi e begati. Dy herë gjatë këtij shekulli njerëzimi është orvatur të ngrejë një rend të ri ndërkombëtar. Çdo orvatje ka synuar njohjen e ngutshme të ndërvarësisë globale, duke ruajtur ndërkohë të paprekur një sistem që e vë sovranitetin e shtetit mbi çdo gjë tjetër. Në perspektivën e shekullit që tani po i afrohet fundit, Lidhja e Kombeve, një zbulim në konceptin e sigurimit kolektiv, shënoi një hap të parë vendimtar drejt një rendi botëror.

Orvatja e dytë, e lindur nga kataklizma e Luftës II Botërore dhe e bazuar në një Kartë të hartuar kryesisht nga fitimtarët e atij konflagracioni, ka siguruar për pesëdhjetë vjet një forum ndërkombëtar të shpresës së fundit, një institucion unikal që qëndron si një simbol fisnik për interesat kolektive të njerëzimit në tërësi.

Si organizatë ndërkombëtare, OKB-ja ka treguar aftësinë e njerëzimit për veprim të përbashkët në shëndetësi, bujqësi, arsim, në mbrojtjen e mjedisit dhe për mirëqenien e fëmijëve. Ajo ka afirmuar vullnetin tonë moral kolektiv për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, që shprehet në adoptimin gjerësisht të Konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo ka zbuluar dhembshurinë e rrënjosur thellë të gjinisë njerëzore, të cilën e provon përdorimi i burimeve financiare e njerëzore për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që vuajnë. Dhe në fushën aq të rëndësishme të ndërtimit të paqes, të arritjes së paqes dhe të ruajtjes së paqes, OKB-ja ka ndriçuar rrugën e guximshme drejt një të ardhmeje pa luftë.1

Megjithatë, është provuar se qëllimet e përgjithshme të përcaktuara në Kartën e OKB-së janë treguar të paqarta. Në kundërshtim me shpresat e mëdha të themeluesve të saj, krijimi i OKB-së rreth pesëdhjetë vjet më parë nuk solli një epokë paqeje e mirëqenieje për të gjithë.2

Edhe pse OKB-ja ka luajtur sigurisht rol në parandalimin e një lufte të tretë botërore, gjysma e dytë e dhjetëvjeçarit të fundit është karakterizuar megjithatë nga konflikte të shumta lokale, kombëtare e rajonale, që kanë kushtuar miliona jetë. Përmirësimi i marrëdhënieve midis dy superfuqive sapo kishte mënjanuar motivimin ideologjik për konflikte të tilla, kur dolën në sipërfaqe pasione etnike e sektesh, që zienin prej kohësh nën kapak, të cilat u bënë një burim i ri konflagracionesh. Veç kësaj, edhe pse përfundimi i Luftës së Ftohtë e kishte pakësuar kërcënimin e një lufte globale, përfundimtare, mbetën mjete e teknologji – e deri në njëfare mase pasionet që qëndronin në themel të tyre – të cilat mund të çonin në shkatërrimin e mbarë planetit.

Përsa u përket çështjeve shoqërore, ka gjithashtu probleme serioze. Ndërsa për programe globale në fushën e shëndetësisë, të zhvillimit të pandërprerë dhe të të drejtave të njeriut janë arritur nivele të reja konsensusi,


gjendja në bazë në shumë zona është keqësuar. Përhapja alarmuese e racizmit militant dhe e fanatizmit fetar, rritja kanceroze e materializmit, shpërthimi epidemik i krimit e i kriminalitetit të organizuar, rritja e gjerë e dhunës absurde, pabarazia që gjithnjë thellohet midis të pasurve e të varfërve, padrejtësitë e vazhdueshme me të cilat ndeshen vazhdimisht gratë, fërkimet midis brezave, të shkaktuara nga shkatërrimi i përhapur i jetës familjare, tepritë imorale të kapitalizmit të shfrenuar dhe rritja e korrupsionit politik – të gjitha këto flasin për këtë. Të paktën një miliard njerëz jetojnë në varfëri fatkeqe dhe më se një e treta e popullsisë së botës janë analfabetë.3

Ndërsa proceset binjake të shembjes e të ripërtëritjes e çojnë botën drejt njëfarë kulmi, 50-vjetori i OKB-së ofron në kohën e duhur një mundësi për t’u ndalur e për të reflektuar se në ç’mënyrë njerëzimi mund të përballojë kolektivisht të ardhmen e tij. Me të vërtetë, kohët e fundit kanë lindur një varg i gjatë propozimesh të dobishme për forcimin e OKB-së dhe për të rritur aftësinë e saj për të bashkërenduar përgjigjet e kombeve ndaj këtyre sfidave.

Këto propozime ndahen afërsisht në tri kategori. Një grup u referohet parësisht problemeve burokratike, administrative e financiare brenda sistemit të OKB-së. Një grup tjetër përfshin ato çështje që sugjerojnë riformimin e organeve të tilla si Këshilli Ekonomik e Social, Këshilli i Kujdestarisë dhe institucionet ekonomike të Breton Udsit. Të tjerë akoma propozojnë të ndërmerren ndryshime në strukturën politike të OKB-së, duke kërkuar, p.sh., zgjërimin e Këshillit të Sigurimit dhe/ose rishikimin e vetë Kartës së OKB-së.4

Shumica e këtyre punimeve janë konstruktive; disa janë edhe sfiduese. Ndër to, një nga më të balancuarat e më të menduarat është raporti i Komisionit për Qeverisjen Globale, me titull Fqinjësia jonë globale, i cili argumenton nevojën e adoptimit gjerësisht të përhapur të vlerave të reja, si dhe të reformave strukturore në sistemin e OKB-së.5

Në frymën e ndihmesës në diskutimin e konsultimin për këtë çështjeje tepër të rëndësishme, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í u shty të japë pikëpamjet e veta. Perspektiva jonë bazohet në tre propozime fillestare.

E para, diskutimet lidhur me të ardhmen e OKB-së duhet të zhvillohen brenda kontekstit të gjerë të evolucionit të rendit ndërkombëtar e të drejtimit të tij. OKB-ja ka evoluar së bashku me institucione të tjera të mëdha të periudhës së fundit të shekullit të njëzetë. Pikërisht në tërësinë e tyre këto institucione do të përcaktojnë evolucionin e rendit ndërkombëtar, dhe vetë do të riformohen prej tij. Prandaj misioni, roli, parimet vepruese, madje edhe veprimtaritë e OKB-së duhen shqyrtuar vetëm në dritën sesi përshtaten ato brenda objektivit më të gjerë të rendit ndërkombëtar.

E dyta, derisa organizmi i njerëzimit është një e i pandarë, çdo pjesëtar i gjinisë njerëzore ka lindur në botë si një i besuar i së tërës. Ky raport midis individit e kolektivit përbën bazën morale e shumë prej të drejtave të njeriut, që instrumentet e OKB-së po përpiqen të përcaktojnë. Ai shërben gjithashtu për të përcaktuar një synim mbisundues për rendin ndërkombëtar, duke vendosur e ruajtur të drejtat e individit.

E treta, diskutimet për të ardhmen e rendit ndërkombëtar duhet të përfshijnë e të nxitin mbarë njerëzimin. Ky diskutim është kaq i rëndësishëm, saqë nuk mund të kufitohet vetëm në drejtuesit, qofshin këta në qeverisje, në biznes, në komunitetin akademik, në fe ose në organizata të shoqërisë civile. Përkundrazi, ky diskutim duhet të angazhojë gra e burra në bazë. Pjesëmarrja e gjerë do të bëjë që procesi të vetëforcohet duke rritur vetëdijen për qytetarinë botërore dhe do të shtojë mbështetjen për një rend ndërkombëtar të zgjeruar.

 

II.   Njohja e kontekstit historik: Thirrje udhëheqësve të botës.

Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í e shikon pështjellimin e tanishëm botëror dhe gjendjen e vajtueshme të punëve njerëzore si një fazë të natyrshme të një procesi organik që çon më në fund e në mënyrë të pandalshme në unifikimin e gjinisë njerëzore në një rend të vetëm shoqëror, kufijt e të cilit janë ato të planetit.

Gjinia njerëzore, si një njësi e veçantë, organike, ka kaluar përmes stadesh evolucionare analoge me stadet e foshnjërisë e të fëmijërisë në jetën e pjesëtarëve individualë të saj, dhe tani ndodhet në kulmin e periudhës së adoleshencës së saj të trazuar, duke iu afruar moshës së shumëpritur të pjekurisë.6 Procesi i integrimit global, që është tashmë një realitet në fushat e biznesit, të financës e të komunikacionit, po fillon të materializohet në arenën politike.

Historikisht, ky proces është përshpejtuar nga ngjarje të papritura e katastrofike. Ishte rrënimi i shkaktuar nga Lufta I dhe II Botërore që çoi në lindjen respektivisht të Lidhjes së Kombeve dhe të OKB-së. Tani para të gjithë atyre që jetojnë mbi tokë qëndron alternativa nëse realizimet e ardhme do të arrihen gjithashtu pas tmerresh të tilla të papërfytyrueshme, apo do të përqafohen përmes një akti të vullnetit konsultativ. Mosndërmarrja e veprimeve të vendosura do të ishte një papërgjegjësi e përbindshme.

Përderisa në kohën tonë sovranitetin e ka kombi-shtet, çështja e përcaktimit të arkitekturës së saktë të rendit ndërkombëtar që po lind është detyrë që u takon kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Ne i ftojmë udhëheqësit e të gjitha niveleve të marrin përsipër rolin e qëllimtë që të mbështesin mbajtjen e një takimi të udhëheqësve botërorë para mbarimit të këtij shekulli, për të shqyrtuar sesi mund të ripërcaktohet e ristrukturohet rendi ndërkombëtar për t’i bërë ballë sfidave me të cilat ndeshet bota. Siç kanë sugjeruar disa, kjo mbledhje mund të quhej Takim i Nivelit të Lartë për Qeverisjen Globale.7

Ky Takim i Nivelit të Lartë që propozohet mund të bazohej në përvojën e fituar nga një seri konferencash tepër të suksesshme të OKB-së në fillimin e viteve 90-të. Këto konferenca, në të cilat përfshihen Takimi Botëror i Nivelit të Lartë për Fëmijët më 1990, Takimi i Nivelit të Lartë i Tokës më 1992, Konferenca Botërore për të Drejtat e Njeriut më 1993, Konferenca Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin më 1994, Takimi Botëror i Nivelit të Lartë për Zhvillim Shoqëror më 1995 dhe Konferenca e Katërt Botërore për Gratë më 1995, kanë krijuar një metodologji të re për diskutime globale rreth çështjesh jetësore.

Kyç i suksesit të këtyre diskutimeve ka qenë pjesëmarrja e qenësishme e organizatave të shoqërisë civile. Bisedimet e zellshme midis delegacionesh qeveritare rreth ndryshimeve në strukturat politike, sociale dhe ekonomike botërore kanë marrë frymëzim e formë nga angazhimi i fuqishëm i këtyre organizatave, të cilat priren të pasqyrojnë nevojat dhe shqetësimet e njerëzve në bazë. Eshtë gjithashtu kuptimplotë që, në secilin rast, mbledhja e udhëheqësve botërorë, në prani të shoqërisë civile e të mediave globale, u vuri proceseve të konferencës vulën e ligjshmërisë.

Gjatë përgatitjeve për Takimin e Nivelit të Lartë që propozohet, do të ishte mirë që udhëheqësit botërorë t’i kenë parasysh këto mësime, për t’u shtrirë në një rreth sa më të gjerë e për të siguruar vullnetin e mirë dhe mbështetjen e popujve të botës.

Disa kanë frikë se mos institucionet politike ndërkombëtare evoluojnë në mënyrë të pashmangshme drejt një centralizimi të tepruar dhe bëhen një shtresë burokratike që nuk jep garanci. Eshtë e nevojshme të deklarohet qartë e me forcë se çfarëdo struktura të reja për qeverisje globale duhet, në parim e në praktikë, të sigurojnë që përgjegjësia për marrjen e vendimeve do të mbetet në nivele të përshtatshme.8

Gjetja e ekuilibrit të drejtë mund të mos jetë kurdoherë e lehtë. Nga njera anë, zhvillimi i vërtetë dhe përparimi real mund të arrihet vetëm nga vetë njerëzit, që veprojnë individualisht e kolektivisht ndaj shqetësimeve e nevojave specifike të kohës e të vendit të tyre. Mund të thuhet se decentralizimi i qeverisjes është sine qua non i zhvillimit.9 Nga ana tjetër, rendi ndërkombëtar kërkon në mënyrë të qartë një shkallë drejtimi e bashkërendimi global.

Prandaj, në pajtim me parimet e decentralizimit të përmendura në lart, institucioneve duhet t’u jepet kompetenca për të vepruar vetëm për çështje të karakterit ndërkombëtar, ku shtetet nuk mund të veprojnë në mënyrë të pavarur, ose të ndërhyjë për mbrojtjen e të drejtave të popujve e të shteteve anëtare. Të gjitha çështjet e tjera u duhen lënë institucioneve kombëtare e lokale.10

Veç kësaj, duke konceptuar një kuadër specifik për rendin ndërkombëtar të së ardhmes, udhëheqësit duhet të shqyrtojnë një varg të gjerë metodash qeverisjeje. Në vend që të modelohet sipas vetëm njërit prej sistemeve të njohura të qeverisjes, zgjidhja mund të mishërojë, të pajtojë e të asimilojë brenda kuadrit të saj ata elementë të shëndoshë që do të gjenden në secilin prej tyre.

Për shembull, një prej modeleve të qeverisjes, të sprovuara në shekuj, i cili mund të përshtasë brenda një kuadri të unifikuar diversitetin e botës, është sistemi federal. Federalizmi është treguar efektiv në decentralizimin e kompetencave e të vendim-marrjes në shtete të mëdhenj, kompleksë e heterogjenë, duke ruajtur ndërkohë një shkallë uniteti e stabiliteti të përgjithshëm. Një model tjetër që ia vlen të shqyrtohet është konfederata, e cila në shkallë globale do t’i vinte interesat e së tërës para interesave të çdo kombi të veçantë.

Kujdes i jashtzakonshëm duhet treguar në konceptimin e arkitekturës së rendit ndërkombëtar, në mënyrë që me kalimin e kohës ai të mos degjenerojë në ndonjë formë despotizmi, oligarkie ose demagogjie që shkatërron jetën dhe mekanizmin e institucioneve politike që e përbëjnë.

Më 1955, gjatë dekadës së parë të rishikimit të Kartës së OKB-së, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í i paraqiti OKB-së një deklaratë, të bazuar në ide të formuluara afro një shekull më parë nga Bahá’u’lláh-u. “Koncepti Bahá’í i rendit botëror është përcaktuar kështu: Një Supershtet botëror, në favor të të cilit të gjitha kombet e botës do të heqin dorë nga çdo pretendim për të bërë luftë, nga disa të drejta për vënie taksash dhe nga të gjitha të drejtat për të mbajtur armatime, veç atyre që shërbejnë për ruajtjen e rendit brenda zotërimeve të tyre përkatëse. Ky shtet duhet të përfshijë një Organ 

Ekzekutiv Ndërkombëtar të aftë për të ushtruar autoritet suprem e të padiskutueshëm mbi çdo pjesëtar kokëfortë të Konfederatës; një Parlament botëror, anëtarët e të cilit zgjidhen nga popujt në vendet e tyre përkatëse dhe zgjedhja e të cilëve konfirmohet nga qeveritë e tyre përkatëse; një Gjykatë Supreme, gjykimi i së cilës ka efekt detyrues në rastet kur palët e interesuara nuk kanë rënë dakord vullnetarisht për t’ia paraqitur çështjen e tyre shqyrtimit nga ana e saj”.11

Ndërsa besojmë se ky formulim i një qeverisjeje botërore është në të njëjtën kohë mbrojtja dhe fati i pashmangshëm i njerëzimit, ne e pranojmë që ai përfaqëson një panoramë afatgjatë të një shoqërie globale. Duke pasur parasysh karakterin e ngutshëm të gjendjes së tanishme të punëve, bota kërkon strategji të guximshme, praktike e vepruese, që shkojnë tej vizioneve frymëzuese të së ardhmes. Megjithatë, duke u përqëndruar në një koncept detyrues, nga bataku i pikëpamjeve e i doktrinave kontradiktore del një drejtim i qartë e konsekuent për ndryshim evolucionar.

III.  Përcaktimi i rolit të OKB-së brenda rendit ndërkombëtar që po lind

OKB-ja ishte organi qendror i sistemit ndërkombëtar të krijuar nga fitimtarët e Luftës II Botërore dhe, gjatë shumë dekadave të konfliktit ideologjik midis Lindjes e Perëndimit, ajo i ka shërbyer qëllimit të saj fillestar si një forum për dialog ndërkombëtar. Me kalimin e viteve, mandati i saj është zgjeruar, duke përfshirë jo vetëm përcaktimin e standardeve ndërkombëtare dhe përkrahjen e zhvillimit shoqëror e ekonomik, por edhe operacionet e ruajtjes së paqes në kontinente të ndryshme.

Gjatë së njëjtës periudhë, realiteti politik i botës sonë ka përjetuar një shndërrim të thellë. Në kohën e fillimeve të OKB-së, kishte rreth pesëdhjetë shtete të pavarura. Ky numër është rritur mbi 185. Kur përfundoi Lufta II Botërore, qeveritë ishin aktorët kryesorë në skenën botërore. Sot, ndikimi gjithnjë e më i madh i organizatave të shoqërisë civile dhe i korporatave shumëkombëshe ka krijuar një panoramë politike shumë më të koklavitur.

Me gjithë kompleksitetin në rritje të misionit të saj, sistemi i OKB-së ka ruajtur pak a shumë të njëjtën strukturë që qe përcaktuar për këtë organizatë të re rreth pesëdhjetë vjet më parë. S’ka, pra, asgjë për t’u çuditur që rasti i përvjetorit të pesëdhjetë të saj ka nxitur një dialog të ri rreth aftësisë së saj për të përballuar realitetet politike të Shekullit të 21-të. Për fat të keq, në këtë dialog kritikat i kanë kapërcyer së tepërmi lavdërimet.

Më të shumtat e kritikave në adresë të OKB-së bazohen në krahasime me organizata kryesore në sektorin privat ose në llogaritje lidhur me disa shpresa bazë të fryra. Edhe pse disa krahasime specifike mund të jenë të dobishme për rritjen e efektivitetit, praktika të tilla më të përgjithshme janë në thelb të padrejta. OKB-së i mungon jo vetëm autoriteti i qartë, por edhe burimet e nevojshme për të vepruar efektivisht në shumë instanca. Akuzat për dështimin e OKB-së janë në fakt aktakuzë ndaj vetë shteteve anëtare.

E gjykuar në mënyrë të izoluar nga realiteti në të cilin vepron, OKB-ja kurdoherë do të duket jovepruese e joefektive. Por në qoftë se ajo shikohet si një element i një procesi më të gjerë të zhvillimit në sisteme të rendit ndërkombëtar, drita e shkëlqyeshme e analizës do të largohet nga të metat e dështimet e OKB-së dhe do të shndritë mbi fitoret e arritjet e saj. E parë me një mendësi evolucionare, përvoja e hershme e OKB-së na ofron një burim të pasur mësimesh për rolin e saj të ardhshëm brenda regjimit ndërkombëtar.

Mendësia evolucionare nënkupton aftësinë për ta parë një institucion në kuadër të një periudhe të gjatë kohore – duke dalluar potencialin e tij të brendshëm për zhvillim, duke zbuluar parimet themelore që qeverisin rritjen e tij, duke formuluar strategji me efekt të lartë për zbatim afatshkurtër, madje duke u dalë përpara ndërprerjeve rrënjësore gjatë rrugës së tij.

Studimi i OKB-së nga ky kënd vështrimi zbulon mundësi të rëndësishme për të forcuar sistemin e tanishëm pa ndonjë ristrukturim të përgjithshëm të institucioneve kryesore të saj ose pa ndonjë rishikim intensiv të proceseve thelbësore të saj. Në fakt, ne shtrojmë që asnjë propozim për reformën e OKB-së nuk mund të ketë ndonjë efekt të lartë, veç në qoftë se rekomandimet e tij janë në brendi konsekuente dhe e drejtojnë OKB-në në një rrugë evolucionare të projekuar drejt një roli të shquar e të rëndësishëm në rendin e ardhshëm ndërkombëtar.

Jemi të bindur se kombinimi i rekomandimeve të paraqitura këtu i përmbush këto kushte dhe se adoptimi i tyre do të ishte një hap i matur por i rëndësishëm drejt ndërtimit të një rendi botëror më të drejtë.12

 

A.  Përtëritja e Asamblesë së Përgjithshme

Themeli i çdo sistemi të qeverisjes është sundimi i ligjit dhe institucioni i parë i shpalljes së ligjit është ai ligjvënës. Ndërsa autoriteti i pushtetit ligjvënës lokal e kombëtar përgjithësisht respektohet, organet ligjvënëse rajonale e ndërkombëtare janë parë me frikë e dyshim.

Veç kësaj, Asambleja e Përgjithsgme e OKB-së ka qenë objekt sulmesh për mosefektivitetin e saj. Edhe pse disa nga akuzat e lëshuara kundër saj janë të pabazuara, ka të paktën dy të meta që vështirësojnë aftësinë e Asamblesë së Përgjithshme që të ushtrojë ndikim.

E para, rregullimi i tanishëm i jep peshë të tepruar sovranitetit shtetëror, gjë që ka si rezultat një përzierje të çuditshme anarkie e konservatorizmi. Në një OKB të reformuar, dega ligjvënëse dhe struktura e saj e votimit duhet të përfaqësojë më me kujdes popullsinë e botës si dhe kombet-shtete.13

E dyta, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë të detyrueshme, në rast se nuk ratifikohen veçan si traktat nga çdo shtet anëtar. Nëse sistemi i tanishëm, që e vë sovranitetin shtetëror mbi çdo gjë tjetër, do t’i lëshojë vendin një sistemi i cili mund të trajtojë interesat e një njerëzimi të vetëm e të ndërvarur, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme – në një fushë të kufizuar çështjesh – duhet të marrin gradualisht forcën e ligjit që parashikon si detyrimin dhe sanksione.

Të dyja këto të meta janë të lidhura ngushtë, përderisa popullsia e botës, që e sheh me dyshim e frikë një qeverisje botërore, vështirë se mund t’i nënshtrohet një institucioni ndërkombëtar, po qe se vetë ky nuk është me të vërtetë përfaqësues.14

Megjithatë, brenda një afati të shkurtër, janë të mundura pesë masa praktike për të forcuar Asamblenë e Përgjithshme, për të rritur reputacionin e saj dhe për t’ia përshtatur atë një drejtimi më afatgjatë.

 

1.   Minimumi i kërkesave për anëtarësim

Kërkesat minimum për qëndrimin e një qeverie ndaj popullit të vet janë përcaktuar mirë në Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe në konventa të mëvonshme ndërkombëtare, që njihen së bashku me emrin Akti i të Drejtave të Njeriut.

 

Pa një detyrim të patundur për zgjedhje të rregullta e periodike me pjesëmarrje të përgjithshme e votim të fshehtë, për liri shprehjeje e për të tjera të drejta të njeriut si këto, shteti anëtar bëhet pengesë për një pjesëmarrje aktive e të zgjuar të shumicës së gjerë të popullsisë së tij në punët e komuniteteve të veta.

Ne propozojmë që të ketë pasoja për shtetet anëtare që shkelin këto kërkesa. Po kështu, kombeve që kërkojnë të njihen duhet t’u mohohet anëtarësimi derisa ato të mos mbështesin hapur këto kërkesa ose të bëjnë përpjekje të dukshme për të ecur në këtë drejtim.

 

2.   Caktimi i një komisioni për të studiuar kufijt

Rivendikime irredentiste të paplotësuara vazhdojnë të jenë një burim i madh konfliktesh e lufte, duke nxjerrë në pah nevojën imperative për marrëveshje të përgjithshme lidhur me kufijt kombëtarë. Në traktate të tilla mund të arrihet vetëm duke pasur parasysh mënyrën arbitrare në të cilën janë përcaktuar shumë kombe-shtete dhe të gjitha rivendikimet e paplotësuara të kombeve e të grupeve etnike.

Në vend që rivendikime të tilla t’i parashtrohen Gjykatës Botërore, kemi bindjen se do të ishte më mirë të krijohej një Komision Ndërkombëtar i posaçëm që të studiojë të gjitha rivendikimet që kanë të bëjnë me kufijt ndërkombëtarë dhe pastaj, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, të bëjë rekomandime për veprim.15 Rezultatet do të shërbenin si një sistem paralajmërues për tensionin në rritje midis grupeve civile ose etnike dhe për vlerësimin e kërcënimeve në situata që kanë përfitim nga një diplomaci që u del gjërave përpara.

Për të krijuar një komunitet të vërtetë kombesh në të ardhmen, do të jetë e nevojshme të zgjidhen përfundimisht të gjitha grindjet lidhur me kufijt. Ky studim do t’i shërbente këtij qëllimi.

 

3.   Në kërkim të rregullimeve të reja financiare

E shkaktuar fillimisht nga mosdëshira e disa shteteve anëtare për të shlyer detyrimet e tyre të përgjithshme në kohë, e shtuar nga mungesa e autoritetit për të vjelur interesat e rritura për shkak të kësaj vonese, dhe e rënduar më tej nga mosefektshmëria burokratike në disa pjesë të veprimeve të saj, rënia vjetore e buxhetit e shtyn OKB-në drejt një mentaliteti administrimi në kohë krize.

Pagesat vullnetare nga shtete anëtare nuk do të jenë kurrë një mënyrë e sigurtë për të financuar një institucion ndërkombëtar. Duhen gjetur mënyra energjike krijimi të ardhurash, për të bërë të mundur funksionimin pa pengesa të mekanizmit të OKB-së. Ne propozojmë caktimin pavonesë të një Grupi Pune ekspertësh që t’i hyjë një kërkimi serioz zgjidhjesh.

Në studimin e alternativave, Grupi i Punës duhet të mbajë parasysh disa parime themelore. E para, nuk duhet të ketë caktim detyrimesh pa përfaqësim. E dyta, në interes të drejtësisë, detyrimet duhet të jenë të shkallëzuara. E treta, mekanizmat për të inkurajuar kontribute vullnetare nga individë e komunitete nuk duhen lënë pasdore.16

 

4.  Caktimi i një gjuhe ndihmëse universale dhe i një shkrimi të përbashkët

OKB-ja, e cila aktualisht përdor gjashtë gjuhë zyrtare, do të kishte përfitim të qenësishëm qoftë duke zgjedhur njërën nga gjuhët ekzistuese ose duke krijuar një gjuhë të re, që të përdoret si gjuhë ndihmëse në të gjitha forumet e saj. Një hap i tillë është mbrojtur prej një kohe të gjatë nga shumë grupe, që prej eksperantistëve deri te vetë Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í. {17} Veç kursimit të parave dhe thjeshtimit të procedurave burokratike, një hap i tillë do të shërbente shumë për ngjalljen e një fryme uniteti.

Ne propozojmë caktimin e një Komisioni të nivelit të lartë, me anëtarë nga rajone të ndryshme dhe të zgjedhur nga fusha të rëndësishme, duke përfshirë linguistikën, ekonominë, shkencat shoqërore, arsimin dhe mjetet e informimit publik, që të fillojë një studim të kujdesshëm për çështjen e një gjuhe ndihmëse ndërkombëtare dhe të adoptimit të një shkrimi të përbashkët.

Ne parashikojmë që, me kohë, bota do të adoptojë një gjuhë ndihmëse dhe një shkrim të vetëm, të pranuar universalisht, që të mësohen në shkolla në mbarë botën, si shtojcë e gjuhës ose e gjuhëve të secilit vend. Objektivi do të ishte të lehtësohet kalimi në një shoqëri globale përmes një komunikimi më të mirë midis kombeve, të reduktohej kostoja administrative për bizneset, qeveritë e organizma të tjerë të përfshira në ndërmarrje globale, si dhe inkurajimi i përgjithshëm i marrëdhënieve më të përzemërta midis të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore.18

Ky propozim duhet lexuar me vëmendje. Ai kurrsesi nuk synon mënjanimin e asnjë gjuhe ose kulture ekzistuese.

 

5. Studimi i mundësisë së një monedhe të vetme ndërkombëtare

Nevoja për të mbështetur adoptimin e një monedhe globale si një element jetësor në integrimin e ekonomisë globale duket vetiu. Midis përfitimeve të tjera, ekonomistët kanë bindjen se një valutë unike do të frenojë spekulimin joprodhues dhe luhatjet e paparashikueshme të tregut, do të mbështesë një nivelim të të ardhurave e të çmimeve në shkallë botërore dhe kjo do të sjellë si rezultat kursime të rëndësishme. {19}

Mundësia e kursimeve do të hyjë në veprim vetëm në qoftë se do të ketë një sasi të konsiderueshme provash lidhur me shqetësimet e dyshimet përkatëse të skeptikëve, të shoqëruar me një plan zbatimi të besueshëm. Ne propozojmë caktimin e një Komisioni të përbërë nga drejtuesit qeveritarë më me kulturë, nga akademikë e profesionistë, që të fillojë menjëherë studimin e përfitimeve ekonomike e të rrjedhojave politike të një monedhe unike dhe të japë hipoteza për një metodë zbatimi efektive.

 

B. Zhvillimi i një funksioni ekzekutiv që ka kuptim

Në nivel ndërkombëtar, i vetmi fuksion ekzekutiv tepër i rëndësishëm është vënia në jetë e një pakti të sigurimit kolektiv. {20}

Sigurimi kolektiv nënkupton një konventë detyruese midis kombeve për të vepruar në marrëveshje kundër kërcënimeve ndaj kolektivit. Efektiviteti i konventës varet nga shkalla në të cilën pjesëtarët angazhohen për të mirën kolektive, qoftë edhe nga motivi i një vetinteresi të lartësuar.

Brenda OKB-së, roli i detyrimit zbatohet gjerësisht nga Këshilli i Sigurimit, bashkë me funksione të tjera të ekzekutivit që i ndan me  Sekretariatin. Të dy këto organe ndeshin pengesa në kryerjen e roleve që u janë caktuar. Këshilli i Sigurimit vuan nga pamundësia për të ndërmarrë veprime të vendosura. Sekretariati ndodhet nën presionin e kërkesave komplekse të shteteve anëtare.

 

Brenda një kohe të shkurtër, janë të mundura katër masa praktike për të forcuar funksionin ekzekutiv brenda OKB-së.

 

1. Kufizimi i ushtrimit të së drejtës së vetos

Synimi fillestar i Kartës së OKB-së në dhënien e së drejtës së vetos pesë Anëtarëve të Përhershëm ishte që ta parandalonte Këshillin e Sigurimit nga autorizimi i veprimeve ushtarake kundër një Anëtari të Përhershëm ose nga kërkesa për përdorimin e forcave të tij kundër vullnetit të tij. {21} Në fakt, duke filluar me Luftën e Ftohtë, e drejta e vetos është ushtruar në mënyrë të përsëritur për arsye që kanë të bëjnë me sigurimin rajonal ose kombëtar.

Në parashtrimin për reformën e OKB-së që bëri më 1955, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í u shpreh për eliminimin gradual të koncepteve të “anëtarësisë së përhershme” dhe të “së drejtës së vetos” krahas krijimit të besimit në Këshillin e Sigurimit. Sot, pas dyzet vjetësh, ne e ripohojmë këtë qëndrim. Por ne propozojmë gjithashtu që, si hap kalimtar, të adoptohen masa për të frenuar ushtrimin e së drejtës së vetos, që ajo të pasqyrojë synimin fillestar të Kartës.

 

2. Institucionalizimi i rregullimeve ushtarake ad hoc

Për të mbështetur operacionet e OKB-së në ruajtje të paqes dhe për t’u dhënë kredibilitet rezolutave të Këshillit të Sigurimit, është e nevojshme të krijohet një Forcë Ndërkombëtare. {22} Duhet siguruar besnikëria e saj ndaj OKB-së dhe pavarësia e saj nga konsiderata kombëtare. Komandën dhe kontrollin e një Force të tillë, plotësisht të armatosur, duhet ta ketë Sekretari i Përgjithshëm nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit. Por financimi i saj do të vendoset nga Asambleja e Përgjithshme. Duke ngritur një forcë të tillë, Sekretari i Përgjithshëm do të përpiqej të siguronte personel kompetent nga të gjitha rajonet e botës.

Po të realizohej si duhet, kjo Forcë do të jepte gjithashtu një ndjenjë sigurie që mund të inkurajonte hapa drejt çarmatimit global, duke bërë kështu të mundur ndalimin e plotë të të gjitha armëve të shkatërrimit masiv. {23} Për më tepër, në pajtim me parimin e sigurimit kolektiv, do të bëhej gradualisht e kuptueshme që shtetet kanë nevojë të mbajnë vetëm armatime të mjaftueshme për mbrojtjen e vet dhe për ruajtjen e rendit të brendshëm.

Si hap i ngutshëm drejt krijimit të kësaj Force, mund të institucionalizohej sistemi i tanishëm i rregullimeve ad hoc për të krijuar forca rajonale bazë të zhvendosjes së shpejtë gjatë një krize.

 

3. Zbatimi i nocionit të sigurimit kolektiv në probleme të tjera të çështjeve globale

Edhe pse i konceptuar fillimisht në kontekstin e një kërcënimi për agresion ushtarak, parimi i sigurimit kolektiv, thonë disa, tani mund të zbatohet në mënyrë të zgjeruar për të gjitha kërcënimet, të cilat, edhe pse lokale në dukje, në të vërtetë janë rezultat i rënies komplekse të rendit global të sotëm. Këto kërcënime përfshijnë trafikun ndërkombëtar të drogës, sigurimin e ushqimit dhe shfaqjen e sëmundjeve të reja epidemike globale, por nuk kufizohen vetëm me to. {24}


Kemi bindjen se kjo çështje duhet të përfshihet në rendin e ditës të Takimit Global të Nivelit të Lartë që propozohet. Por nuk është e përshtatshme që formulime të zgjeruara të sigurimit kolektiv të vihen para rastit themelor të agresionit ushtarak.

 

4. Mbështetja e institucioneve të susksesshme të OKB-së me funksion ekzekutiv të pavarur

Disa prej organizatave më të pavarura brenda familjes së Kombeve të Bashkuara, si Fondi Ndërkombëtar i Emergjencës për Fëmijët i Kombeve të Bashkuara, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, Bashkimi Postal Universal, Bashkimi Ndërkombëtar i Telegrafisë e i Ndërlidhjes, Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë pasur sukses të dukshëm në fusha të caktuara por të rëndësishme me interes ndërkombëtar.

Në përgjithësi, këto organizata kanë pasur funksionin e vet ekzekutiv. Pavarësia e tyre duhet mbështetur e forcuar si pjesë e ekzekutivit ndërkombëtar. {25}

 

 

C. Një Gjykatë Botërore e forcuar

Në çdo sistem qeverisjeje, është i nevojshëm një funksion juridik i fortë për të moderuar pushtetet e degëve të tjera dhe për të formuluar, shpallur, mbrojtur e dhënë drejtësinë. Nxitja për të krijuar shoqëri të drejta ka qenë ndër forcat themelore në histori {26} – dhe s’ka dyshim që asnjë qytetërim botëror i qëndrueshëm nuk mund të vendoset në qoftë se nuk bazohet fort në parimin e drejtësisë.

Drejtësia është fuqia që mund ta shndërrojë vetëdijën që po lind për njëshmërinë e njerëzimit në vullnet kolektiv, përmes të cilit strukturat e nevojshme të jetës komunitare globale mund të ngrihen me siguri. Një epokë që e sheh popullsinë e botës të fitojë mundësi gjithnjë më të gjera për informacion të çdo lloji dhe për shumëllojshmëri idesh, do ta shohë drejtësinë të afirmohet si parimi udhëheqës i organizimit shoqëror të suksesshëm.

Në nivel individual, drejtësia është ajo dhunti e shpirtit njerëzor që i jep çdo personi mundësinë të dallojë të vërtetën nga e rrema. Në sytë e Perëndisë, thotë Bahá’u’lláh-u, drejtësia është “më e dashura e të gjitha gjërave”, sepse i lejon çdo individi të shohë me sytë e vet e jo me sytë e të tjerëve, të dijë përmes dijes së vet e jo dijes së të afërmit ose të grupit të tij.

Në nivel grupi, kujdesi për drejtësinë është busulla e domosdoshme në vendim-marrjen kolektive, sepse është i vetmi mjet me anë të të cilit mund të arrihet uniteti i mendimit e i veprimit. Në vend që të inkurajojë frymën primitive të dënimit, që është maskuar shpesh nën emrin e saj në të kaluarën, drejtësia është shprehja praktike e vetëdijës se arritja e ndërveprimit njerëzor kërkon inkurajimin e një klime konsultative, e cila lejon të shqyrtohen pa pasion zgjedhjet dhe të adoptohen mënyra veprimi të përshtatshme. Në një klimë të tillë, prirjet e përhershme të manipulimit e të partijësisë ka shumë më pak mundësi të shmangin nga rruga e drejtë procesin e marrjes së vendimeve.

Një konceptim i tillë i drejtësisë do të shkojë gradualisht duke u forcuar, duke e kuptuar se në një botë të ndërvarur interesat e individit e të shoqërisë janë të gërshetuara në mënyrë të pazgjidhshme. Në këtë kontekst, drejtësia është një fill që duhet të endet në shqyrtimin e çdo ndërveprimi, qoftë në familje, në fqinjësi ose në nivel global.

 

Ne shohim në sistemin e tanishëm të OKB-së themelin për forcimin e Gjykatës Botërore. E krijuar më 1945 si organi juridik kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë karakterizohet nga shumë elemente pozitive. Sistemi i tanishëm për zgjedhjen e gjyqtarëve, për shembull, përpiqet të krijojë një trup gjykues që të përfaqësojë një varg të gjerë popujsh, rajonesh e sistemesh gjyqësore. {27}

E meta e parë e Gjykatës është se ajo nuk ka kompetencë të nxjerrë vendime juridikisht të detyrueshme, me përjashtim të atyre rasteve kur shtetet kanë preferuar që më parë të jenë të detyruara ndaj vendimeve të saj.

Pa juridiksion, Gjykata është e pafuqishme të ushtrojë drejtësinë. {28} Me kohë, vendimet e Gjykatës Botërore mund të bëhen të detyrueshme për të gjitha shtetet; por brenda një afati të shkurtër Gjykata Botërore mund të forcohej përmes dy masash të tjera.

 

1. Zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës

Aktualisht, juridiksioni i Gjykatës është i kufizuar në pak kategori rastesh dhe vetëm kombet kanë statusin që të hedhin në gjyq. Ne propozojmë që veç shteteve anëtare, edhe organeve të tjera të Kombeve të Bashkuara t’u jepet e drejta të sjelin çështje në Gjykatë.

 

2. Bashkërendimi i gjykatave tematike

Gjykata Botërore duhet të veprojë si ombrellë për gjykata tematike ekzistuese e të reja, që arbitrojnë e gjykojnë çështje ndërkombëtare brenda fushash tematike specifike.

Komponentë të mëparshëm të një sistemi të unifikuar mund të gjenden tani në gjykatat e specializuara për arbitrim në çështje të tilla si tregtia e transporti dhe në propozimet për organe të tilla si një Gjykatë Ndërkombëtare për Krimet dhe një Dhomë për Çështjet e Mjedisit. Fusha të tjera çështjesh që mund të jetë nevoja të paraqiten në një sistem të tillë, mund të përfshinin gjykata për terrorizmin ndërkombëtar dhe për trafikun e drogës.

 

 

IV. ÇLIRIMI I FUQISË SË INDIVIDIT: NJË SFIDË JETËSORE E RENDIT NDËRKOMBËTAR QË PO LIND

Objektivi parësor i institucioneve qeverisëse në të gjitha nivelet është çuarja përpara e qytetërimit njerëzor. Ky objektiv është vështirë të arrihet pa pjesëmarrjen e frymëzuar e të zgjuar të mbarë njerëzimit në jetën dhe punët e komunitetit.

Duke u përqëndruar në ngritjen e institucioneve e në krijimin e një komuniteti kombesh, organet ndërkombëtare historikisht kanë qëndruar larg mendjeve e zemrave të popullsisë së botës. Të ndarë prej disa shtresash të qeverisjes nga arena ndërkombëtare dhe dhe të çorientuar nga trajtimi që i bëjnë mjetet e informimit të rejave ndërkombëtare, shumica e gjerë e njerëzve ende nuk kanë zhvilluar afinitet për institucione si OKB-ja. Vetëm ata individë që kanë pasur njëfarë lidhje me arenën ndërkombëtare përmes kanalesh të tilla si organizata të shoqërisë civile janë në gjendje të njejësohen me këto institucione.

 

Është paradoksale, por institucionet ndërkombëtare nuk mund të arrijnë një nivel efektiv e të pjekur qeverisjeje dhe të përmbushin objektivin parësor të tyre për të çuar përpara qytetërimin njerëzor, në qoftë se nuk njohin e ushqejnë marrëdhëniet e varësisë së ndërsjelltë me popullsinë e botës. Një njohje e tillë do të vinte në lëvizje një cikël të shëndetshëm besimi e mbështetjeje, që do të përshpejtonte kalimin në një rend të ri botëror.

Detyrat që dalin në zhvillimin e një shoqërie globale kërkojnë nivele aftësie që shkojnë tej çdo gjëje që ka qenë në gjendje të tregojë deri tani gjinia njerëzore. Arritja e këtyre niveleve do të kërkojë një shtrirje kolosale në fushën e dijes nga ana e çdo individi. Institucionet ndërkombëtare do të tërheqin e drejtojnë me sukses aftësitë e fshehura në popujt e botës në atë masë që ushtrimi i autoritetit nga ana e tyre moderohet nga detyrimi i tyre për të fituar besimin, respektin dhe mbështetjen e vërtetë të atyre që ato përpiqen të qeverisin dhe për t’u konsultuar hapur e në shkallën më të gjerë me të gjithë ata që u preken interesat.

Individët që arrijnë të ushqejnë besim e respekt ndaj këtyre institucioneve do të kërkojnë nga ana e vet prej qeverive të tyre kombëtare të rritin mbështetjen, si politike dhe ekonomike, për rendin ndërkombëtar. Nga ana e tyre, institucionet ndërkombëtare, duke iu rritur ndikimi dhe fuqia, do të jenë më mirë në gjendje të ndërmarrin veprime të mëtejshme për të vendosur një rend botëror të ligjshëm e efektiv.

Krahas masave për forcimin e strukturës së saj, është nevoja që OKB-ja adoptojë nisma të cilat të çlirojnë forcën e fshehur në çdo popull për të marrë pjesë në këtë proces elektrizues. Për këtë qëllim, kërkojnë vëmendje të posaçme disa çështje që përshpejtojnë përparimin e individit e të shoqërisë. Ndër to mbështetja e zhvillimit ekonomik, mbrojtja e të drejtave të njeriut, avancimi i statusit të grave dhe vënia e theksit në zhvillimin moral janë katër përparësi të lidhura aq ngushtë me çuarjen përpara të qytetërimit, saqë duhet të dalin në pah si pjesë e programit të OKB-së.

 

 

A. Mbështetja e zhvillimit ekonomik

Strategjive të zhvillimit ekonomik të zbatuara nga OKB-ja, Banka Botërore dhe një numër qeverish gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, sado të konceptuara e të zbatuara sinqerisht, u kanë munguar së tepërmi aspiratat. Në një pjesë të madhe të botës, hendeku midis “të pasurit” e “të mospasurit” është thelluar e po thellohet në mënyrë të përshpejtuar, me një shpërpjesëtim këmbëngulës në nivelet e të ardhurave. Problemet sociale nuk janë pakësuar. Në të vërtetë, krimi dhe sëmundjet nuk janë thjesht në rritje, por edhe po bëhen endemike e më të vështira për t’i luftuar.

Këto dështime mund të vëzhgohen në një numër faktorësh. Ato përfshijnë përqëndrimin e gabuar në projekte të shkallës së gjerë dhe mbicentralizimin burokratik, kushtet e padrejta të tregtisë ndërkombëtare, korrupsionin depërtues që është lejuar të lulëzojë në të gjithë sistemin, përjashtimin e grave nga proceset e marrjes së vendimeve në të gjitha nivelet, paaftësinë e përgjithshme për të siguruar që burimet të arrijnë tek të varfërit dhe kalimin e burimeve të zhvillimit në prodhim hekurishtesh ushtarake.

Një shqyrtim objektiv i këtyre faktorëve zbulon një zbrazëti të përbashkët sistematike e themelore në paradigmën aktuale për zhvillim  ekonomik: nevojat materiale shpesh trajtohen pa llogaritur faktorët shpirtërorë dhe forcën e tyre motivuese.

 

Zhvillimi nuk duhet të ngatërrohet me krijimin e një shoqërie konsumi të paqëndrueshme. Begatia e vërtetë përfshin si mirëqenien shpirtërore dhe atë materiale. Ushqimi, pija, streha dhe një shkallë rehatie materiale janë thelbësore , por qeniet njerëzore nuk mund dhe kurrë nuk do të gjejnë pëmbushje në këto gjëra të nevojës së parë. As nuk gjendet të kënaqurit në të tilla arritje materiale diçka më të pakapshme, si njohja shoqërore ose pushteti politik. Më në fund, madje as arritjet intelektuale nuk i plotësojnë nevojat tona më të thella.

Në urinë për diçka më tepër, për diçka tej vetes sonë, mund të kuptohet si duhet realiteti i shpirtit njerëzor. Edhe pse ana shpirtërore e natyrës sonë errësohet nga lufta e përditshme për arritje materiale, nevoja jonë për transcendenten nuk mund të mospërfillet për një kohë të gjatë.Pra, një paradigmë zhvillimi të përhershëm duhet të trajtojë si aspiratat shpirtërore të qenieve njerëzore dhe nevojat e dëshirat materiale të tyre.

Edukimi është investimi më i mirë në zhvillimin ekonomik. “Njeriu është Hajmalia supreme. Por mungesa e edukimit të përshtatshëm i ka hequr atij atë që zotëron në mënyrë të qenësishme”, shkruan Bahá’u’lláh-u. “Shihe njeriun si një minierë të pasur në gurë të çmuar me vlerë të pamatur. Vetëm edukimi mund t’i zbulojë thesaret e tij dhe t’i japë mundësi njerëzimit të përfitojë prej tyre”. Edukimi nënkupton me shumë se një proces zotërimi të një shume të ngushtë dijesh ose të mësuarit e një numri zhdërvjelltësish të jetës. Në të vërtetë, edukimi, i cili duhet të jetë një bazë imperative e zhvillimit, duhet gjithashtu të na mësojë procesin e fitimit të dijeve, të kultivojë forcën e intelektit e të arsyetimit dhe ta pajisë studiuesin me cilësitë e domosdoshme morale.

Eshtë ky trajtim i gjerë i edukimit që i lejon njerëzit të kontribuojnë për krijimin e pasurisë dhe inkurajon shpërndarjen e drejtë të saj. {30}

Pasuria e vërtetë krijohet kur puna kryhet jo thjesht si mjet për sigurimin e jetesës, por edhe si një rrugë për të kontribuar për shoqërinë. Ne mendojmë se puna me kuptim është një nevojë bazë për shpirtin njerëzor, po aq e rëndësishme për zhvillimin e përshtatshëm të individit sa dhe sendet ushqyese, uji i pastër dhe ajri i freskët për trupin fizik.

Për shkak të natyrës dëmprurëse të varësisë, skemat që përqëndrohen vetëm në rishpërndarjen e pasurisë materiale janë të destinuara më në fund të dështojnë. Shpërndarja e pasurisë duhet trajtuar në mënyrë të efektshme e të drejtë. Në fakt, ajo duhet integruar në mënyrë të natyrshme me procesin e krijimit të pasurisë.

Ne u propozojmë sistemeve të OKB-së për mbështetjen e një zhvillimi më efektiv rekomandimin që vijon.

 

1. Ndërmarrja e një fushatë të vendosur përtë vënë në jetë Programin 21

Plani i veprimit i formuluar në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin përfshiu një varg të gjatë pikëpamjesh nga shoqëria civile dhe një seri parimesh që nuk ndryshojnë nga ato që shprehen në këtë deklaratë. Por për fat të keq, shtetet anëtare pak kanë bërë për të vënë në jetë masat e parashikuara në plan.

Nëse duam që objektivat e Programit 21 të mbahen parasysh e të plotësohen, mund të jetë e nevojshme një përpjekje e gjerë, e ndryshme nga natyra por e ngjashme nga përmasat e angazhimi me Planin Marshall për rizhvillimin e Evropës së pasluftës. Në këtë rast, institucionet e Breton Udit do të ftoheshin të ndërmerrnin një fushatë të gjerë për të shpejtuar përpjekjet kombëtare për zbatim. Një mandat i kësaj natyre mund të dalë vetëm nga një konferencë e ngjashme me takimet e para të Breton Udit pesëdhjetë vjet më parë, e cila t’i kushtohet një rishqyrtimi të përgjithshëm të këtyre institucioneve. Qëllimi i këtij rishqyrimi do të ishte t’i sigurohen popullsisë së botës burime të mjaftueshme që të mund të realizojë nisma lokale. Për më tepër, konferenca do të mund të zgjeronte gjithashtu programin e saj për të trajtuar çështje më të thella të sigurimit ekonomik global nëpërmjet rishikimit të institucioneve ekzistuese ose krijimit të strukturave të reja. {31}

 

Në qoftë se ka sukses, ky mekanizëm i ri mund të shtrihet edhe për të bashkërenduar zbatimin e masave të përcaktuara në Takimin Social të Nivelit të Lartë të kohëve të fundit.

 

B. Mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut

Gjatë pesë dekadave që kur u themelua OKB-ja, ka dalë në pah koncepti se të drejtat e njeriut duhet të njihen e të mbrohen në mënyrë ndërkombëtare, nëse duam që të vendoset paqja, përparimi shoqëror dhe mirëqenia ekonomike.

Themeli për një marrëveshje ndërkombëtare për natyrën e të drejtave të njeriut është tepër e rëndësishmja Deklaratë Universale për të Drejtat e Njeriut, e adoptuar nga Kombet e Bashkuara më 1948 dhe e përpunuar në dy konventa ndërkombëtare – në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe në Konventën për të Drejtat Shoqërore, Ekonomike e Kulturore. Veç këtyre, rreth 75 konventa e deklarata përcaktojnë e mbështesin të drejtat e grave e të fëmijëve, të drejtën për liri adhurimi dhe të drejtën për zhvillim, duke përmendur vetëm pak prej tyre.

Regjimi aktual i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka dy të meta të mëdha: mjete të kufizuara për të ushtruar detyrim e për t’i çuar gjërat deri në fund dhe mostheksim sa duhet të përgjegjësive që shoqërojnë çdo të drejtë.

Detyrimi për të drejtat e njeriut në nivel ndërkombëtar duhet trajtuar në mënyrë të ngjashme me trajtimin e agresionit ushtarak në kushtet e një regjimi të sigurimit kolektiv. Shkelja e të drejtave të njeriut në një shtet duhet parë si diçka që u takon të gjithëve dhe mekanizmat e detyrimit duhet të siguronë një përgjigje të bashkuar nga ana e mbarë komunitetit ndërkombëtar. Çështja se kur dhe si të ndërhyhet për të mbrojtur të drejtat e njeriut është më e vështirë për t’iu përgjigjur. Një detyrim i fuqishëm do të kërkojë një shkallë të lartë konsensusi global ndaj asaj që përbën shkelje flagrante e me dashje.

Hapa të rëndësishëm drejt një konsensusi global u ndërmorën gjatë procesit që çon deri në Konferencën Botërore për të Drejtat e Njeriut të vitit 1993, e cila afirmoi pa mëdyshje se të drejtat e njeriut janë universale, të pandashme e të ndërvarura, dhe i dha fund debatit të gjatë lidhur me rëndësinë relative të të drejtave civile e politike në krahasim me të drejtat sociale, ekonomike e kulturore. {32} Rezolutat e Konferencës konfirmuan gjithashtu se të drejtat e njeriut duhet të zbatohen pavarësisht nga dallimet me sfond racial, në origjinë etnike, besim fetar ose identitet kombëtar. Ato përfshijnë barazinë e grave dhe burrave; ato përmbajnë të njëjtat të drejta për  liri kërkimi, për informacion dhe ushtrim të fesë për të gjithë individët në mbarë botën; dhe ato mishëërojnë të drejtën e çdo njeriu për nevojat bazë, si ushqimi, strehimi dhe kujdesi për shëndetin; {33} Veç nevojës për të arritur konsensus dhe për të forcuar detyrimin për të drejtat e njeriut, është e rëndësishme të vendoset një mirëkuptim më i madh për faktin që çdo e drejtë sjell edhe përgjegjësinë përkatëse.

 

E drejta për t’u njohur si person para ligjit, për shembull, nënkupton përgjegjësinë për t’iu bindur ligjit – dhe për t’i bërë si ligjet dhe sistemin ligjor më të drejta. Po kështu, në fushën shoqërore-ekonomike, e drejta për t’u martuar sjell me vete përgjegjësinë për të mbajtur familjen, për të edukuar fëmijët dhe për t’i trajtuar me respekt të gjithë pjesëtarët e familjes. {34} E drejta për punë nuk mund të ndahet nga përgjegjësia për t’i kryer sa më mirë detyrat. Në kuptimin më të gjerë, nocioni i të drejtave “universale” të njeriut nënkupton përgjegjësi për njerëzimin në tërësi.

Më në fund, ndërsa i takon individit të përmbushë përgjegjësitë në secilën prej fushave të tilla, u takon institucioneve ndërkombëtare t’i mbrojnë këto të drejta të njeriut. Ne propozojmë tri masa për veprim të menjëhershëm.

 

1. Forcimi i mekanizmit të OKB-së për kontrollin, zbatimin dhe ndjekjen

Mekanizmi i OKB-së për kontrollin, zbatimin dhe ndjekjen e përputhjes së qeverisjes me konventat ndërkombëtare është i papërshtatshëm. Qendra për të Drejtat e Njeriut përbëhet nga një personel shumë i pakët, i cili lufton të mbështesë përpjekjet për të kontrolluar se sa u përmbahen shtetet e ndryshme të gjitha traktateve që kanë ratifikuar.

Kemi bindjen se burimet që i janë caktuar kësaj Qendre duhet të rriten në mënyrë drastike, nëse duam që ajo t’i kryejë si duhet detyrat e saj.

 

2. Inkurajimi i ratifikimit universal të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut

Derisa ratifikimi i konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut krijon një obligim për shtetet anëtare, edhe pse asgjë praktikisht të detyrueshme, Sekretari i Përgjithshëm dhe të gjitha organet e OKB-së mund të studiojnë çdo mundësi për të inkurajuar shtetet anëtare që të veprojnë për këtë çështje. Në fakt, caktimi i një kufiri kohor për ratifikimin universal mund të jetë një objektiv frymëzues për t’u vendosur nga Asambleja e Përgjithshme.

 

3. Sigurimi i respektit për organet e kontrollit të OKB-së që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut

Duke qenë se mandati i organeve të kontrollit për të drejtat e njeriut ka karakter tepër serioz, OKB-ja duhet të jetë veçanërisht e vëmendshme ndaj përshtypjeve të krijuara nga struktura dhe proceset e këtyre organeve dhe po aq serioze në veprimet për zgjidhjen e situatave komprometuese.

Kemi bindjen se do të ishte e udhës që gjatë procesit të emërimit të shqyrtohej përshtatshmëria e shteteve anëtare në pozita të shquara dhe të përjashtoheshin nga zgjedhja si anëtarë të Komisionit të Drejtave të Njeriut e të organeve të tjera të kontrollit ato shtete anëtare që ende nuk i kanë ratifikuar konventat ndërkombëtare. Ndërsa këto shtete anëtare do të kishin


mundësi të plotë të marrin pjesë në debatet, kjo do ta mbronte OKB-në nga një situatë e vështirë e komprometuese.

Kemi gjithashtu bindjen se në rregullin e mësipërm është i justifikuar vetëm një përjashtim. Ato shtete anëtare që nuk ndodhen nën vëzhgimin e OKB-së, të cilat në kushtetutat e tyre kanë mbrojtje të mjaftueshme të të drejtave themelore të njeriut, por që nuk kanë qenë në gjendje të përfundojnë procesin e ratifikimit për shkak të arsyeve të brendshme politike, nuk duhet të pengohen që të zgjidhen në pozita të shquara.

Më në fund, duket gjithashtu e udhës që atyre shteteve anëtare, të cilat i kanë ratifikuar konventat ndërkombëtare por janë nën vëzhgim për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, t’u hiqet e drejta për t’u zgjedhur në zyrat e konferencave e të mbledhjeve të tjera të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Kjo do t’i dilte përpara përshtypjes së përhapur gjerësisht për procedurat si një parodi.

 

C. Çuarja përpara e statusit të grave

Krijimi i një qytetërimi botëror paqësor e të qëndrueshëm do të jetë i pamundur pa pjesëmarrjen e plotë të grave në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore. {35} Ndërsa ky propozim po mbështetet gjithnjë më shumë, ka një dallim të theksuar midis pranimit intelektual dhe zbatimit të tij.

Ka ardhur koha që institucionet e botës, të përbëra kryesisht nga burra, të ushtrojnë ndikimin e vet për të mbështetur futjen sistematike të grave, jo si një lëshim ose gjoja vetsakrifikim, por si një veprim i motivuar nga bindja se për përparimin e shoqërisë kërkohen ndihmesat e grave. {36} Vetëm kur ndihmesat e grave vlerësohen, ato do të kërkohen e do të thuren në pëlhurën e shoqërisë. Rezultati do të jetë një qytetërim më paqësor, më i balancuar, më i drejtë e më i mbarë. {37}

Dallimet e dukshme biologjike midis sekseve nuk duhet të jenë shkak pabarazie ose ndarjeje. Përkundrazi, ato janë një aspekt plotësues. Në qoftë se roli i grave si nëna vlerësohet si duhet, puna e tyre për rritjen dhe edukimin e fëmijëve do të respektohet e shpërblehet si duhet. Duhet njohur gjithashtu se roli i të mbajturit të fëmijës në bark nuk e pakëson përshtatshmërinë për të udhëhequr, as nuk shkatërron aftësinë intelektuale, shkencore ose krijuese. Me të vërtetë, kjo mund të jetë një shtytje.

Kemi bindjen se progresi në disa fronte jetësore do të kishte ndikimin më të madh në përparimin e grave. Ne u përmbahemi perspektivave që vijojnë, të cilat janë me rëndësi themelore për rekomandimet e mëposhtme.

Së pari e mbi të gjitha, dhuna kundër grave e vajzave, një nga shkeljet më flagrante e më të përhapura të të drejtave të njeriut, duhet të çrrënjoset. Dhuna ka qenë një fakt i jetës për shumë gra në mbarë botën, pavarësisht nga raca, klasa ose sfondi arsimor. Në shumë shoqëri, bindjet tradicionale se gratë janë inferiore ose një barrë i bëjnë lehtë ato objekt zemërimi e padrejtësie. Madje edhe mjete ligjore e mekanizma detyrimi të forta do të kenë pak efekt nëse nuk mbështeten nga një transformim në qëndrimet e burrave. Gratë nuk do të jenë të siguruara nëse nuk mbizotëron një ndërgjegje e re shoqërore, e cila ta bëjë shprehjen e thjeshtë të begenisjes ndaj grave, pa folur për çfarëdo formë të dhunës fizike, objekt turpi të madh.

Së dyti, familja mbetet guri i themelit i ndërtimit të shoqërisë dhe qëndrimet që mbahen e mësohen aty pasqyrohen në ndërveprimet e të gjitha niveleve të tjera të shoqërisë. Prandaj, pjesëtarët e institutit të familjes duhet  të transformohen në mënyrë të tillë që parimi i barazisë së grave dhe burrave të rrënjoset. Më tej, në qoftë se lidhjet e dashurisë e të unitetit çimentojnë marrëdhëniet familjare, ndikimi i tyre do t’i kapërcejë kufijtë e saj dhe do të pushtojë gjithë shoqërinë.

 

Së treti, ndërsa synimi i përgjithshëm i çdo shoqërie është të edukojë të gjithë anëtarët e saj, në këtë stad të historisë njerëzore nevoja më e madhe është të edukohen gratë dhe vajzat. {38} Për mëse njëzet vjet, studimet kanë dokumentuar vazhdimisht se, nga të gjitha investimet e mundshme, edukimi i grave e i vajzave jep përfitimet e përgjithshme më të larta nga pikëpamja e zhvillimit shoqëror, e çrrënjosjes së varfërisë dhe e përparimit të komunitetit.39

Së katërti, dialogu global për rolin e burrave e të grave duhet të mbështesë plotësimin e qenësishëm midis të dy sekseve. Sepse dallimet midis tyre janë një pohim i natyrshëm i nevojës që gratë dhe burrat të punojnë së bashku që aftësitë e tyre të japin fryte për të çuar përpara qytetërimin, jo më pak se për të përjetësuar gjininë njerëzore. Dallime të tilla janë të brendshme në karakterin ndëraktiv të natyrës së tyre të përbashkët njerëzore. Ky dialog duhet të ketë parasysh forcat historike që kanë çuar në shtypjen e grave dhe të shqyrtojë realitetet e reja shoqërore, politike e shpirtërore që po transformojnë sot qytetërimin tonë.

Si pikënisje për këtë dialog, ne ofrojmë këtë analogji nga Shkrimet Bahá’í: “Bota e njerëzimit ka dy krahë – njëri janë gratë dhe tjetri burrat. Vetëm po të jenë të dy krahët njëlloj të zhvilluar, zogu mund të fluturojë. Nëse njëri krah mbetet i dobët, fluturimi është i pamundur”. {40} Veç kësaj, ne propozojmë tri masat e posaçme që vijojnë.

 

1. Rritja e pjesëmarrjes së grave në delegacione të shteteve anëtare

Ne rekomandojmë që shtetet anëtare të inkurajohen për të caktuar një numër gjithnjë më të madh grash në poste ambasadorësh ose poste të tjera diplomatike të ngjashme.

 

2. Inkuarajimi i ratifikimit universal të knventave ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e grave dhe përmirësojnë statusin e tyre

Si dhe lidhur me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Sekretari i Përgjithshëm dhe të gjitha organet e OKB-së duhet të shqyrtojnë çdo mundësi për të inkurajuar shtetet anëtare të procedojnë me ratifikimin e konventave e të protokolleve që mbrojnë të drejtat e grave dhe synojnë përparimin e tyre.

 

3. Planifikimi që më parë i zbatimit të Platformës së Veprimit të Pekinit

Deklarata e Strategjisë së të Shikuarit Përpara e adoptuar në konferencën e Nairobit ishte shumë e guximshme e me imagjinatë, por zbatimi i saj qe mjaft i paefektshëm. {41} Kemi bindjen se nga kjo përvojë e pafat duhet nxjerrë mësim dhe duhen hartuar plane të menduara, të cilat të sigurojnë që Platforma e Veprimit që do të dalë nga konferenca e Pekinit të mos pësojë të njëjtin fat.

Ne propozojmë të krijohet një sistem kontrolli, i cili të përgatisë raporte për gjendjen e zbatimit të masave të adoptuara dhe t’i referojë çdo vit Asamblesë së Përgjithshme, duke vënë në dukje njëzet shtetet anëtare që qëndrojnë në krye dhe njëzet shtetet që qëndrojnë në fund nga pikëpamja e vënies së tyre në jetë.

 

D. Vënia e theksit te zhvillimi moral

Procesi i integrimit të qenieve njerëzore në grupe gjithnjë e më të gjera, edhe pse i ndikuar nga kultura e gjeografia, është çuar përpara gjerësisht nga feja, faktori më i rëndësishëm për ndryshimin e qëndrimeve e të sjelljes së njerëzve. Por me fe ne kuptojmë themelin ose realitetin thelbësor të fesë, dhe jo dogmat e imitimet e verbëra që e kanë mbuluar gradualisht atë dhe që janë shkaku i rënies e i shuarjes së saj.

Sipas fjalëve të ‘Abdu’l-Bahá-it, “Qytetërimi material i përngjet trupit. Nuk ka rëndësi sesa pafundësisht i hijshëm, elegant e i bukur ai mund të jetë, ai është i vdekur. Qytetërimi hyjnor i përngjet shpirtit, dhe trupi e merr jetën e tij nga shpirti… Pa shpirtin bota e njerëzimit është e pajetë”. {42}

Koncepti i mbështetjes së moraleve ose vlerave specifike mund të jetë kontradiktor, veçanërisht në këtë epokë të relativizmit humanist. Megjithatë, ne kemi bindjen e patundur se ekzistojnë një seri vlerash të përbashkëta, njohja e të cilave ka qenë errësuar nga ata që ekzagjerojnë dallimet e vogla në praktikën fetare ose kulturore për qëllime politike. {43} Këto virtyte themelore, që mësohen nga të gjitha komunitetet shpirtërore, përbëjnë një kuadër bazë për zhvillim moral.

Reflektimi për gjërat e përbashkëta karakteristike në fetë e mëdha e në sistemet morale të botës tregon se secila prej tyre përkrah unitetin, kooperimin dhe harmoninë midis njerëzve, vendos orientime për një sjellje të përgjegjshme dhe mbështet zhvillimin e virtyteve, që janë themeli për ndërveprime të bazuara në besimin e parimet. {44}

1. Mbështetja e zhvillimit të programit për edukimin moral në shkolla

Ne jemi për një fushatë universale për të mbështetur zhvillimin moral. Thjesht, kjo fushatë do të inkurajonte e ndihmonte nismat lokale në mbarë botën për të futur një dimension moral në edukimin e fëmijëve. Ajo mund të kërkojë mbajtjen e konferencave, botimin e materialeve të rëndësishme dhe mjaft veprimtari të tjera mbështetëse, të cilat janë të gjitha një investim solid në një gjeneratë të ardhme.

Kjo fushatë për zhvillim moral mund të fillojë me disa pak rregulla të thjeshta. Për shembull, drejtësia e sjelljes, besueshmëria dhe drejtësia janë themeli i stabilitetit e i përparimit; altruizmi duhet të udhëheqë çdo sjellje të njeriut, në mënyrë që sinqeriteti e respekti për të drejtat e të tjerëve të bëhet pjesë përbërëse e veprimeve të çdo individi; shërbimi ndaj njerëzimit është burimi i vërtetë i lumturisë, i nderit e i kuptimit në jetë.

Jemi gjithashtu të bindur se fushata do të ketë sukses vetëm në atë masë që kjo përpjekje do të mbështetet në forcën e fesë. Doktrina e ndarjes së kishës dhe shtetit nuk duhet të përdoret si mburojë për të blokuar këtë ndikim të shëndetshëm. Në mënyrë të veçantë, komunitetet fetare do të duhet të tërhiqen si partnerë bashkëpunëtorë në këtë nismë të rëndësishme.

Ndërsa avancon, kjo fushatë do të përshpejtojë një proces aftësimi individual, që do të transformojë mënyrën sesi njerëzit, pavarësisht nga klasa ekonomike, pozita shoqërore ose prejardhja etnike, raciale ose fetare, do të ndërveprojnë me shoqërinë e tyre.

V. NJË PIKË KTHESE PËR TË GJITHA KOMBET: THIRRJE UDHËHEQËSVE TË BOTËS

Ne kemi arritur një pikë kthese në progresin e kombeve.

“Uniteti i familjes, i fisit, i qytetit-shtet dhe i kombit janë provuar njëri pas tjetrit dhe janë realizuar plotësisht. Uniteti i botës është qëllimi drejt të cilit po priret një njerëzim i shqetësuar. Ndërtimi i kombeve ka përfunduar. 

Anarkia e brendshme e sovranitetit shtetëror po arrin kulmin. Një botë që po i afrohet pjekurisë, duhet ta braktisë këtë idhull, të njohë njëshmërinë e tërësinë e marrëdhënieve njerëzore dhe të vendosë, një herë e mirë, mekanizmin që mund ta mishërojë më mirë këtë parim themelor të jetës së vet”.

Mbi një shekull më parë, Bahá’u’lláh-u mësonte se ka vetëm një Perëndi, se ka vetëm një gjini njerëzore dhe se të gjitha fetë e botës përfaqësojnë stade në revelimin e vullnetit e të qëllimit të Perëndisë për njerëzimin. Bahá’u’lláh-u njoftonte ardhjen e kohës, të paralajmëruar në të gjitha shkrimet e shenjta të botës, kur njerëzimi do të shohë më në fund bashkimin e të gjithë popujve në një shoqëri paqësore e të integruar.

Ai ka thënë se fati i njeriut nuk është thjesht krijimi i një shoqërie materialisht të begatë, por gjithashtu edhe ndërtimi i një qytetërimi global, ku individët inkurajohen të veprojnë si qenie morale që e kuptojnë natyrën e tyre të vërtetë dhe janë të aftë të përparojnë drejt një përmbushjeje më të madhe, të cilën asnjë shkallë mirëqenieje materiale nuk mund ta sigurojë vetë.

Bahá’u’lláh-u ka qenë gjithashtu ndër të parët që i është referuar frazës “rend i ri botëror” për të nënkuptuar ndryshimet e rëndësishme në jetën politike, shoqërore e fetare të botës. “Tani mund të shihen Shenjat kanosëse të konvulsioneve e të kaosit, sepse rendi mbisundues duket se është në mënyrë të vajtueshme i çalë”, ka shkruar Ai. “Së shpejti rendi i sotëm do të paloset dhe një rend i ri do të shpaloset në vend të tij”. {46}

Për këtë qëllim, Ai u la një detyrë njëlloj si udhëheqësve dhe pjesëtarëve të shoqërisë. “Nuk duhet të jetë krenar ai që do vendin e vet, por ai që do gjithë botën. Toka është një vend i vetëm dhe njerëzimi qytetarët e tij”. {47}

Mbi të gjitha, udhëheqësit e brezit të ardhshëm duhet t’i frymëzojë një dëshirë e sinqertë për t’i shërbyer mbarë komunitetit dhe duhet ta kuptojnë se udhëheqja është një përgjegjësi, jo rrugë për privilegje. Për një kohë shumë të gjatë udhëheqja është kuptuar, si nga udhëheqësit dhe nga pasuesit e tyre, si pohim i kontrollit mbi të tjerët. Me të vërtetë, kjo epokë kërkon një përkufizim të ri të udhëheqjes dhe një tip të ri udhëheqësi. {48}

Kjo është veçanërisht e vërtetë në arenën ndërkombëtare. Për të vendosur një ndjenjë mirëbesimi, për të fituar besimin dhe për të rrënjosur në zemrat e njerëzve të botës një afërsi mirëdashëse për institucionet e rendit ndërkombëtar, këta udhëheqës duhet të reflektojnë për veprimet e veta.

Përmes një emri të panjollë ndershmërie vetjake, ata duhet të ndihmojnë për të rivendosur besimin ndaj qeverisjes. Ata duhet të mishërojnë karakteristikat e ndershmërisë, të përunjësisë e të qëllimit të sinqertë në kërkimin e së vërtetës së çdo situate. Ata duhet t’u binden e të udhëhiqen prej parimeve, duke vepruar kështu për interesat e vërteta afatgjate të njerëzimit në tërësi.

“Le të përfshijë shikimi juaj gjithë botën, në vend që të kufizohet në veten tuaj”, ka shkruar Bahá’u’lláh-u. “Mos u merrni me gjërat tuaja; përqëndrojini mendimet tuaja mbi atë që do të shërojë fatet e njerëzimit e do të shenjtërojë shpirtrat dhe zemrat e njerëzve”. {49}
 

Shënime

 

1. Butros- Ghali, Butros. 1992. Një program për paqen: arritja e paqes dhe ruajtja e paqes. Raport i Sekretarit të Përgjithshëm në përputhje me Deklaratën e adoptuar nga Mbledhja e Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit, 31 janar, Nju Jork: Kombet e Bashkuara.

2. Sigurisht hyrja e Kartës së OKB-së është ndër pasazhet më të frymëzuara në historinë e qeverisjes njerëzore:

“NE POPUJT E KOMBEVE TE BASHKUARA, TE VENDOSUR

“të shpëtojmë brezat e ardhshëm nga gjëma e luftës, e cila dy herë gjatë jetës sonë i ka sjellë njerëzimit vuajtje të patregueshme, dhe

“të riafirmojmë besimin në të drejtat themelore, në dinjitetin dhe vlefshmërinë e personit njerëzor, në të drejtat e barabarta të burrave e të grave dhe të kombeve të mëdha e të vogla, dhe

“të krijojmë kushtet në të cilat të ruhen drejtësia e respekti për detyrimet që rrjedhin nga traktatet e nga burime të tjera të ligjit ndërkombëtar, dhe

“të mbështesim përparimin shoqëror dhe nivele më të mira jetese në liri më të gjerë,

“DHE PER KETO QELLIME

“të praktikojmë tolerancën e të jetojmë së bashku në paqe me njëri-tjetrin si fqinjë të mirë, dhe

“të bashkojmë forcën tonë për të ruajtur paqen e sigurimin ndërkombëtar, dhe

“të sigurojmë, duke pranuar parimet e duke krijuar metodat, që forca e armatosur nuk do të përdoret, veçse në interesin e përbashkët, dhe

“të vemë në përdorim mekanizmin ndërkombëtar për të mbështetur përparimin ekonomik e shoqëror të të gjithë popujve,

“KEMI VENDOSUR TE BASHKERENDOJME PERPJEKJET TONA PER TE PERMBUSHUR KETO QELLIME.

“Në përputhje me këto, Qeveritë tona përkatëse, me anë përfaqësuesish të mbledhur në San Francisko, që kanë paraqitur akreditimin e tyre të plotë, që u gjend në formën e duhur, ranë dakord për Kartën e tanishme të Kombeve të Bashkuara dhe për të krijuar kështu një organizatë ndërkombëtare që do të njihet si OKB-ja”.

Kombet e Bashkuara. 1994. Karta e OKB-së dhe Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Departamenti i OKB-së për Informimin Publik. DPI/511 – 93243 – Prill 1994 – 40M.

3. Banka Botërore. 1994. Raport për zhvillimin botëror, f. 162-163. (Oksford: Oxford University Press).

4. Ka pasur një numër propozimesh të kohëve të fundit, të cilat shqyrtojnë nevojën për reforma në sistemin e OKB-së brenda një fushe të veçantë çështjesh. E ardhmja jonë e përbashkët, raporti i Komisionit Botëror për Mjedisin dhe Zhvillimin, për shembull, sugjeronte një numër ndryshimesh, si krijimi i i një organizmi të posaçëm të OKB-së “Komitetit për Zhvillim të Pandërprerë”, që të bashkërendojë veprimin e OKB-së për të mbështetur zhvillimin, duke mbrojtur në të njëjtën kohë mjedisin.

Komisioni Botëror për Mjedisin dhe Zhvillimin, E ardhmja jonë e përbashkët. (Oksford: Oxford University Press, 1987).

Po kështu, raporti i Komisionit Brandt, “Kriza e përbashkët Veri-Jug: Kooperim për përtëritje botërore”, bën sugjerime për reformë në fushën e rëndësishme jetësore të financës, tregtisë dhe energjisë, përderisa ndikojnë në mosbalancimet Veri-Jug.

Komisioni Brandt, Kriza e përbashkët Veri-Jug: Kooperim për përtëritje botërore. (Londër: Pan Books, 1983).

Literatura që propozon ndryshime të gjera në OKB është gjithashtu voluminoze dhe vazhdon të shtohet, veçanërisht para 50-vjetorit të OKB-së. Rivlerësimi i parë i madh e serioz i OKB-së filloi në vitet 50-të, para 10-vjetorit të Kartës. Nga kjo pikëpamje, botimi më 1958 i Paqe botërore përmes ligjit botëror nga Luis B. Son [Louis B. Sohn] dhe Grenvil Klark [Grenville Clark], që ishte ndër propozimet e para solide që sugjeronin eliminimin e së drejtës së vetos, duhet konsideruar si një shtyllë. Grenvil Klark dhe Luis B. Son, Paqe botërore përmes ligjit botëror. (Kembrixh, Mass.: Harvard University Press, 1966).

Propozime më të reja shkojnë nga Nisma e Stokholmit, e cila ofron një vizion të përgjithësuar të asaj që mund të bëhet për të forcuar OKB-në, te dokumenti i kohëve të fundit i Harold Stasenit [Harold Stassen] Kombet e Bashkuara: Një dokument për ristrukturim, i cili jep një propozim nen për nen për të rishkruar Kartën e OKB-së. Libri i fundit i Benxhamin Ferencit [Benjamin Ferencz], Themele të reja legale për mbijetesë globale, ofron një seri sugjerimesh praktike e ligjërisht të menduara për një reformë të bazuar në premisën se kombet, popujt dhe individët duhet të jenë të lirë të ndjekin fatet e tyre në çfarëdo rrugë që mund ta shohin të përshtatshme – me kusht që kjo të mos rrezikojë ose shkatërrjë të drejtat njerëzore themelore të të tjerëve për të jetuar në paqe e me dinjitet.

Nisma e Stokholmit për Sigurim e Qeverisje Globale 1991. Përgjegjësia e përbashkët në vitet 90-të. (Stokholm, Zyra e Kryeministrit, Stokholm, Suedi).

Harold Stasen, Kombet e Bashkuara: Një dokument për ristrukturim. (Mineapolis: Learner Publications Company, 1994).

Benxhamin Ferenc, Themele të reja legale për mbijetesë globale (Oceana Publications, 1994).

5. Komisioni për Qeverisje Globale, Fqinjësia jonë globale. (Nju Jork: Oxford University Press, 1995).

6. Shumë mendimtarë e kanë pranuar realitetin e njëshmërisë dhe e kanë kuptuar se ç’nënkupton kjo për zhvillimin e shoqërisë njerëzore, duke përfshirë paleontologun Riçard Liki [Richard Leaky], që thotë: “Ne jemi një specie, një popull. Çdo individ mbi këtë tokë është pjesëtar i `homo sapiens sapiens’ dhe dallimet gjeografike që shohim midis popujve janë thjesht nuansa biologjike mbi një temë bazë. Aftësia njerëzore për kulturë lejon përpunimin e saj në rrugë shumë të ndryshme e piktoreske. Dallimet shpesh shumë të thella midis këtyre kulturave nuk duhen parë si ndarje midis njerëzve. Përkundrazi, kulturat duhen interpretuar për atë që janë në të vërtetë: si deklarim përfundimtar i të bërit pjesë në specien njerëzore”.

Riçard E. Liki dhe Roxher Ljuin [Roger Lewin], Origjina: Çfarë revelojnë zbulimet e reja lidhur me lindjen e species sonë dhe të ardhmen e mundshme të saj. (Nju Jork: Dutton, 1977).

Në përgjithësi, shkrimet e Shoghi Effendi-ut ofrojnë një paraqitje të kujdesshme e të gjerë të konceptit të njëshmërisë së njerëzimit. Një përmbledhje e shkurtër e këtij koncepti, siç e shohin atë Bahá’í-të, përmbahet në Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut.

Shoghi Effendi, Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1938), f. 42-43.

7. Nuk jemi vetëm ne që e bëjmë këtë propozim. Komisioni për Qeverisje Globale shkruan në Fqinjësia jonë globale: “Ne rekomandojmë që Asambleja e Përgjithshme të jetë dakord për të mbajtur një Konferencë Botërore për Qeverisjen më 1998, vendimet e së cilës të ratifikohen e vihen në zbatim deri në vitin 2000”.

Raporti i Komisionit për Qeverisjen Globale, Fqinjësia jonë globale. (Nju Jork: Oxford University Press. 1995), f.351.

8. Dy sentenca zakonisht të përdorura e ilustrojnë këtë parim. “E vogla është e bukur”, një sentencë e krijuar në periudhën e parë të viteve 70-të si një parim ekonomik, është e zbatueshme edhe për qeverisjen. Shumaheri [Schumacher] shpjegon: “Në punët e njerëzve gjithmonë del se ka nevojë për të paktën dy gjëra njëkohësisht, të cilat, megjithatë, duket sikur janë të papajtueshme e përjashtojnë njëra-tjetrën. Ne gjithmonë kemi nevojë për liri dhe rregull. Neve na duhet liria e shumë e shumë njësive të vogla dhe, në të njëjtën kohë, rregulli në shkallë të gjerë, mundësisht global, uniteti e bashkërendimi”.

Shumaher, E. F. E vogla është e bukur: Ekonomia sikur njerëzit të kishin rëndësi. (Nju Jork: Harper and Row, 1973), f.65.

“Mendo globalisht, vepro lokalisht”, një slogan i lëshuar nga veprimtarët e zhvillimit të mjedisit e të komuniteteve, kap një perspektivë në të cilën nevoja për bashkërendim global balancohet me kujdes përkundrejt nevojës për autonomi lokale e kombëtare.

9. “Në vend që të synojë minimin e themeleve ekzistuese të shoqërisë… [një sistem qeverisjeje botërore] përpiqet të zgjerojë bazën e saj, të përtërijë institucionet e saj në mënyrë të tillë që t’u përshtaten nevojave të një bote në ndryshim të përhershëm. Ai nuk mund të vijë në konflikt me asnjë përkushtim të ligjshëm dhe as mund të minojë besnikëritë thelbësore. Synimi i tij nuk është as të shuajë flakën e një patriotizmi të shëndetshëm e të zgjuar në zemrat e njerëzve, ose të abrogojë sistemin e autonomisë kombëtare, aq thelbësore për të shmangur të këqiat e centralizimit të tepruar. Ai nuk injoron, dhe as përpiqet të mbytë, larminë e prejardhjeve etnike, të klimës, të historisë, të gjuhës e të traditave, të mendimit e të zakoneve, që i diferencojnë popujt e kombet e botës. Ai bën thirrje për një besnikëri më të gjerë, për një aspiratë më të madhe se çdo tjetër që ka frymëzuar gjininë njerëzore. Ai ngul këmbë për nënshtrimin e impulseve e të interesave kombëtare ndaj kërkesave imperative të një bote të njësuar. Ai hedh poshtë centralizimin e tepruar, nga njëra anë, dhe mohon çdo orvatje për uniformitet, nga ana tjetër”.

Shoghi Effendi, Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut. (Wimette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1974), f. 41-42.

10. Duke shkruar në vitet 30-të, Shoghi Effendiu, i cili në atë kohë drejtonte komunitetin mbarëbotëror Bahá’í, ka formuluar disa prej funksioneve e përgjegjësive për një organi ligjvënës të ardhshëm botëror. Ndër të tjera, ai ka shkruar: “një organ ligjvënës i përbotshëm, pjesëtarët e të cilit, si të besuarit e mbarë njerëzimit… do të nxjerrin ligjet e nevojshme për të rregulluar jetën, për të plotësuar nevojat e për të ndërtuar marrëdhëniet e të gjitha racave e të të gjithë popujve”.

Shoghi Effendi, Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1974), f.203.

Këtë pikëpamje kanë edhe studiues të tillë si Jan Tinbergen, fitues i çmimit Nobël të vitit 1969 për ekonominë, i cili ka thënë: Problemet e njerëzimit nuk mund të zgjidhen më nga qeveritë kombëtare. Ka nevojë për një Qeveri Botërore. Kjo më mirë mund të arrihet përmes forcimit të sistemit të Kombeve të Bashkuara”.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PKBZH). Raporti për zhvillimin njerëzor 1994. Qeverisja globale për shekullin e 21-të. (Nju Jork: Oxford University Press), f.88.

11. Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í. Propozime OKB-së për rishikimin e Kartës. 23 maj, 1955.

12. Në të gjitha shkrimet e Tij, Bahá’u’lláh-u përdor vazhdimisht termat “rend”, “rend botëror” dhe “rend i ri botëror” për të karakterizuar serinë e rëndësishme të ndryshimeve që ndodhnin në atë kohë në jetën politike, shoqërore e fetare të botës. Në fundin e viteve 1860-të, Ai shkruante: “Ekuilibri botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri. Jeta e organizuar e gjinisë njerëzore është revolucionarizuar nga veprimi i këtij Sistemi unikal, të mahnitshëm, të ngjashëm me të cilin sy të vdekshëm kurrë s’kanë parë”.

Bahá’u’lláh, Qitapi Akdas [Kitáb-i-Aqdas]. Përkthyer nga Shoghi Effendi dhe një Komitet në Qendrën Botërore Bahá’í. (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1992).

13. ‘Abdu’l-Bahá, Sekreti i Qytetërimit Hyjnor. Përkth. Marzieh Gail. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1957), f.24.

14. Instituti i Kërkimeve për Zhvillimin Shoqëror i Kombeve të Bashkuara (IKZHSHKBB), Gjendje pështjellimi: pasojat e shoqërore të globalizimit. (Londër: Grupi KPC. 1955), f.106-109.

15. Ka shumë mënyra që një Komision i tillë, ose vetë Organi Ligjvënës Botëror të ndërmarrë përcaktimin e kufijve të drejtë për të gjitha kombet. Por sado e vështirë që mund të duket kjo detyrë, ajo është pjesë e rëndësishme e procesit të ndërtimit të të një rendi të ri. ‘Abdu’l-Bahá-i ka shkruar: “Qytetërimi i vërtetë do të shpalosë flamurin e vet mu në zemër të botës, kur disa sovranë të saj të shquar e fisnikë – shembuj të ndritur të përkushtimit e të vendosmërisë – do të ngrihen me një vendim të patundur e me vizion të qartë, në të mirën e për lumturinë e mbarë njerëzimit, për të sendërtuar Kauzën e Paqes Universale. Ata duhet ta bëjnë Kauzën e Paqes objekt të një konsultimi të përgjithshëm dhe të përpiqen me çdo mjet që varet prej tyre të vendosin një Lidhje të kombeve të botës. Ata duhet të përfundojnë një traktat të detyrueshëm e të vendosin një besëlidhje, kushtet e së cilës të jenë reale, të paprekshme e të përcaktuara mirë. Ata duhet ta shpallin atë para tërë botës dhe të marrin miratimin e mbarë gjinisë njerëzore. Këtë synim suprem e fisnik – burim të vërtetë të paqes e të mirëqenies së mbarë botës – duhet ta konsiderojnë si të shenjtë të gjithë ata që jetojnë mbi tokë. Të gjitha forcat e njerëzimit duhet të mobilizohen për të siguruar stabilitetin e qëndrueshmërinë e kësaj Besëlidhjeje Më të Madhe. Në këtë Pakt gjithpërfshirës do të përcaktoheshin qartë kufijt e secilit komb, të fiksoheshin saktë parimet që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të qeverive me njëra-tjetrën dhe të sanksionoheshin të gjitha marrëveshjet e detyrimet ndërkombëtare. Po kështu do të kufizohej në mënyrë strikte sasia e armatimeve të çdo qeverie, sepse, po të lejohej të shtoheshin përgatitjet për luftë dhe forcat ushtarake të çdo kombi qoftë, kjo do të ngjallte dyshime tek të tjerët. Parimi themelor i vendosur në bazën e këtij Pakti solemn do të formulohej në mënyrë të tillë që, në rast se më vonë ndonjë qeveri do të shkelte cilindo prej kushteve të tij, të gjitha qeveritë e botës të ngriheshin e ta detyronin atë të pranonte nënshtrimin e plotë, madje jo, por tërë gjinia njerëzore të vendoste ta shkatërronte atë qeveri me të gjitha mjetet e mundshme. Në qoftë se ky ilaç më i madh

do të përdorej në trupin e sëmurë të botës, ky me siguri do të shërohej nga të gjitha sëmundjet dhe do të mbetej përjetë i shëndoshë e i sigurt”.

‘Abdu’l-Bahá, Sekreti i qytetërimit hyjnor. Përkth. Marzieh Gail. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1957), f.64-65.

16. Sipas një artikulli të kohëve të fundit të Dhë Nju Jork Tajms, dhënia e bamirësisë në Shtetet e Bashkuara më 1994 u rrit 3.6 për qind, duke arritur 130 miliardë $.

Karen W. Arenson, “Dhënia e bamirësisë u rrit 3.6% më 1994, Trusti i Filantropisë thotë, “Dhë Nju Jork Tajms, E enjte, 25 maj 1995, sek. A, f. 22.

17. Duke shqyrtuar tërë çështjen e një Gjuhe Ndërkombëtare… Ne, si Bahá’í, presim me shumë dëshirë që të adoptohet sa më parë një gjuhë ndihmëse universale; ne nuk jemi protagonistë të asnjë gjuhe që të luajë këtë rol. Në qoftë se qeveritë e botës bien dakord për një nga gjuhët ekzistuese, ose për krijimin e një gjuhe të re, e cila të përdoret në shkallë ndërkombëtare, ne do ta përkrahim atë me gjithë zemër, sepse dëshirojmë ta shohim këtë hap drejt njësimit të gjinisë njerëzore të bëhet sa më parë që të jetë e  mundur”.

Shoghi Effendi, Direktiva të Ruajtësit. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust), f39.

Duke bërë këtë propozim, ne duam të tërheqim vëmendjen për termin “ndihmëse”. Mësimet Bahá’í vlerësojnë e mbështesin diversitetin kulturor, jo uniformitetin. Në këtë pikë të historisë, pra, ne nuk synojmë imponimin e një gjuhe të vetme mbarëbotërore. Përkundrazi, ne imagjinojmë që popujt e kombet të ruajnë gjuhët e veta lokale e kombëtare – ndërsa në të njëjtën kohë të inkurajohet mësimi i një gjuhe ndërkombëtare. Sigurisht një gjuhë e tillë ndërkombëtare do të mësohet në fund të fundit, si një lëndë e detyrueshme, në të gjitha shkollat e botës. Por kjo kurrsesi nuk largon nga shprehjet e ligjshme të diversitetit gjuhësor e kulturor kombëtar e lokal.

18. “Po afrohet dita kur të gjithë popujt e botës do të adoptojnë një gjuhë universale dhe një shkrim të përbashkët”, ka shkruar Bahá’u’lláh-u nga fundi i shekullit të 19-të. “Kur të jetë arritur kjo, në çdo qytet që të udhëtonte njeriu, do të ishte sikur të vinte në shtëpinë e vet”.

Shoghi Effendi, përkth., Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1983), f.250.

19. Në një “ndihmesë të posaçme” për Raportin e Zhvillimit Njerëzor të vitit 1994, Xhejms Tobin [James Tobin], fitues i Çmimit Nobël të vitit 1981 për ekonominë, vë në dukje se “një valutë e vetme e përhershme” do të eliminonte së tepërmi, nëse jo plotësisht, trazirën që shoqëron spekulimin kolosal me valutën në tregjet botërore sot. Duke vënë në dukje që një valutë e vetme botërore është me sa duket ende mjaft larg, ai propozon si masë ndërmjetëse një “taksë të njëllojtë ndërkombëtare” mbi transaksionet në vend në këmbimet e jashtme.

Programi i Zhvillimit i OKB-së (PZHKB). Raporti për Zhvillimin Njerëzor i vitit 1994. Një taksë për transaksionet ndërkombëtare të valutës. (Nju Jork: Oxford University Press), f.70.

20. Parimi i sigurimit kolektiv u parashtrua nga Bahá’u’lláh-u mëse një shekull më parë në letrat drejtuar mbretërve e sundimtarëve të botës: “Jini të bashkuar, o Mbretër të tokës, sepse kështu stuhia e grindjes do të pushojë midis jush dhe popujt tuaj do të gjejnë qetësi, në qofshi ndër ata që kuptojnë. Nëse ndonjëri prej jush rrëmben armët kundër një tjetri, ngrihuni të gjithë kundër tij, sepse kjo s’është veçse drejtësi që duket sheshit”.

Shoghi Effendi, përkth. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1976), f. 254.

21. Raporti i Grupit të Pavarur të Punës për të Ardhmen e Kombeve të Bashkuara. Kombet e Bashkuara në gjysmëshekullin e vet të dytë. (Yale University Press Service, 1995), f. 16.

22. Fondacioni Glenvju [Glenview], Projekt Karta e Stasenit për një OKB të re që do të dalë nga Origjinali, për t’i shërbyer paqes e përparimit për dyzet vjetët e ardhshëm. (Filadelfia: Fondacioni Glenvju. 1985).

Grenvil Klark dhe Luis B. Son, Paqe botërore përmes ligjit botëror. (Kembrixh, Mass.: Harvard University Press, 1966).

Kejt Hindël [Keith Hindell], “Reformë e Kombeve të Bashkuara?” në Bota Sot: Gazeta e Institutit Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare. (Mbretëria e Bashkuar, Shkurt 1992). Vëll. 48, Br. 2, f. 30-33.

Xhon Log [John Logue], “Rendi i ri botëror do të thotë OKB e reformuar”, World Federalist News, Korrik 1992.

Benxhamin B. Ferenc dhe Ken Kejz Jr.[Ken Keyes Jr.], Planetaria: Kyçi i së ardhmes suaj. (Coos Bay, Oregon: Love Line Books. 1991).

Butros Ghali, Butros. 1992. Një program për paqen: arritja e paqes dhe ruajtja e paqes. Raport i Sekretarit të Përgjithshëm në përputhje me Deklaratën e adoptuar nga Mbledhja e Nivelit të Lartë e Këshillit të Sigurimit, 31 janar, Nju Jork: OKB.

23. Kjo nuk do të thotë se për t’i ndaluar armë të tilla duhet pritur zhvillimi i plotë i një Force të tillë. Ne mbështesim me gjithë zemër hapat e tanishëm për të ripërtëritur Traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe për të vendosur ndalimin e plotë të provave, si dhe çdo përpjekje të mëtejshme për të eliminuar armët bërthamore, kimike dhe/ose biologjike. Po kështu, duhen bërë përpjekje më të mëdha për të kufizuar e kontrolluar armët konvencionale, të tilla si minat tokësore, të cilat vrasin pa dallim.

24. ul Haq, Mahbub, 1994, Kryekëshilltar i Administratorit të PKBZH [Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim]. Drejtues i Grupit që përgatit Raportet vjetore për Zhvillimin Njerëzor të PKBZH, të cilat në vitet e fundit kanë sjellë intuita të reja në toerinë dhe praktikën e zhvillimit, duke përfshirë një koncept të ri për sigurimin njerëzor.

25. Erskin Çajlldërs [Erskine Childers], ed. Sfida për Kombet e Bashkuara: Ndërtimi i një bote më të sigurtë. (Nju Jork: St. Martin’s Press. 1994), f. 21-25.

26. Xhon Hadëllston [John Huddleston], Kërkimi i një shoqërie të drejtë. (Kidlington, Oxford: George Ronald. 1989).

27. Rreth 75 vjet më parë, ‘Abdu’l-Bahá-i dha sugjerimet e mëposhtme për një gjykatë botërore të ardhshme: “asambletë kombëtare të çdo vendi e kombi – domethënë parlamentet – duhet të zgjedhin dy ose tre persona që janë më të zgjedhurit e atij kombi dhe që janë të mirëinformuar lidhur për ligjet ndërkombëtare e për marrëdhëniet midis qeverive dhe i njohin nevojat thelbësore të botës së njerëzimit në atë kohë. Numri i këtyre përfaqësuesve duhet të jetë në përpjesëtim me numrin e banorëve të atij vendi. Zgjedhja e këtyre shpirtrave të zgjedhur nga asmbleja kombëtare, dmth parlamenti, duhet të konfirmohet nga dhoma e epërme, kongresi dhe kabineti, e gjithashtu nga presidenti ose monarku, kështu që këta persona të jenë të zgjedhurit e gjithë kombit e të qeverisë. Gjykata Supreme do të përbëhet nga këta njerëz dhe kështu mbarë njerëzimi do të jetë pjesëmarrës në të, sepse secili prej këtyre të deleguarve do të jetë përfaqësues i plotë i kombit të vet. Kur Gjykata Supreme merr një vendim për një çështje ndërkombëtare, njëzëri a me shumicë votash qoftë, nuk mund të ketë më ndonjë pretekst për ankesë ose bazë për vërejtje nga i akuzuari. Në rast se ndonjë qeveri ose komb, në zbatimin e vendimit të paapelueshëm të Gjykatës Supreme, tregohet moskokëçarës ose i vonuar, kombet e tjera do të ngrihen kundër tij, sepse të gjitha qeveritë e kombet e botës mbështesin këtë Gjykatë Supreme. Mendoni se ç’themel i shëndoshë është ky! Por me një Lidhje të kufizuar e të ngushtë ky synim nuk mund të arrihet ashtu siç duhet”.

Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it. Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Përkthyer nga një Komitet në Qendrën Botërore Bahá’í dhe nga Marzieh Gail. (Britania e Madhe: W & J Mackay Ltd. 1978), nr. 227, f. 306-307.

28. Në kohën e tanishme, për shembull, juridiksioni i Gjykatës është i kufizuar në: 1) raste që palët ia paraqesin asaj bashkërisht me një marrëveshje të posaçme, 2) çështje që kanë të bëjnë me një traktat ose konventë në fuqi, që parashikon paraqitjen e tyre Gjykatës, dhe 3) kategori specifike polemikash juridike midis shtetesh, për të cilat ata kanë njohur juridiksionin e Gjykatës si të detyrueshëm. Europa World Year Book 1994. Vëll. I. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. F.22.

29. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut. Përkth. Shoghi Effendi. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1983), f. 260.

“Kërkesa parësore më e ngutshme është përkrahja e edukimit. Nuk mund të mendohet që një komb të arrijë begati e sukses, po të mos çohet përpara kjo çështje me rëndësi të dorës së parë, themelore. Arsyeja kryesore për rënien e shembjen e popujve është injoranca. Sot masa e njerëzve janë të painformuar madje edhe për punët e zakonshme, aq më pak janë ata në gjendje të kapin thelbin e problemeve të rëndësishme dhe nevojat komplekse të kohës”

‘Abdu’l-Bahá. Sekreti i qytetërimit hyjnor. Përkth. Marzieh Gail. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1957), f. 109.

“Pikërisht ky dallim vihet re midis kafshëve; disa janë zbutur, janë edukuar, disa janë lënë të egra. Prova është e qartë se bota e natyrës nuk është e përsosur, bota e edukimit është e përsosur. Kjo do të thotë se njeriu çlirohet nga kërkesat e natyrës me stërvitje e kulturë; për rrjedhojë, edukimi është i nevojshëm, i detyrueshëm. Por edukimi është shumëllojshëm. Ka stërvitje e zhvillim të trupit fizik, që siguron forcë e rritje. Ka edukim mendor ose stërvitje të mendjes, gjë për të cilën janë krijuar shkolla e kolegje. Lloji i tretë i edukimit është ai i shpirtit. Përmes frymës së Shpirtit të Shenjtë njeriu ngrihet në botën e moralit dhe ndriçohet nga dritat e dhuntive hyjnore. Bota morale arrihet vetëm përmes shkëlqimit të Diellit të Realitetit dhe jetës gjallëruese të shpirtit hyjnor”.

‘Abdu’l-Bahá, në një Bisedë të zhvilluar në St. Paul më 20 shtator 1912. Shpallja e Paqes Universale, f.329-330.

30. Qeveritë dhe partnerët e tyre duhet të mbajnë parasysh se barazia materiale nuk është as e arritshme as e dëshiruar. Barazia absolute është një fantazi. Në pika të ndryshme gjatë rrugës, megjithatë do të jetë e nevojshme rishpërndarja e një pjese të pasurisë së botës. Sepse, me të vërtetë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se as kapitalizmi i shfrenuar nuk jep përgjigje. Njëfarë rregullimi e rishpërndarjeje është e nevojshme për të mbështetur drejtësinë materiale. Në këtë pikëpamje, një taksë mbi të ardhurat është, në parim, një ndër mjetet më të ndershme e më të drejta. Duhet të ketë gjithashtu një rol për ndarje vullnetare të pasurisë – si individuale dhe në nivel institucional. Por mundësi të barabarta për ecje përpara e progres ekonomik duhet të jenë të thurura në vetë pëlhurën e rendit të ri. Në fund të fundit, rregullimi më i rëndësishëm në çdo sistem ekonomik është rregullimi moral, që fillon në mendjet dhe zemrat e njerëzve.

31. Krijimi i Shërbimit Global të Mjedisit (SHGM) është një hap i parë i lavdërueshëm në drejtimin e duhur dhe mund të jetë i dobishëm për një periudhë të gjatë, si një nga mjetet që mund të ishte baza për mbështetjen e Programit 21, në qoftë se zgjerohet shkalla e tij dhe rivlerësohet mandati i tij.

32. Konferenca botërore për të drejtat e njeriut. Deklarata e Vienës dhe Programi i veprimit. 14-25 qershor 1993. Vienë-Austri.

33. Një përpunim i mëtejshëm i këtij koncepti gjendet në Mirëqenia e Njerëzimit, një deklaratë e Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’í, Zyra e Informimit Publik, botuar në shkurt 1995: “Veprimtaria e lidhur më ngushtë me ndërgjegjen, që përbën tiparin dallues të natyrës njerëzore, është aftësia për të hetuar vetë ai ose ajo realitetin. Liria për të kërkuar qëllimin e qenies dhe për të zhvilluar ato dhunti të natyrës njerëzore që e bëjnë të mundur këtë duhet mbrojtur. Qeniet njerëzore duhet të jenë të lira të dinë. Që me një liri të tillë shpesh abuzohet dhe që një abuzim i tillë inkurajohet së tepërmi nga disa tipare të shoqërisë së sotme, kjo nuk e zvogëlon aspak vlefshmërinë e vetë impulsit.

“Eshtë ky impuls dallues i ndërgjegjes njerëzore që siguron imperativin moral për shpalljen e shumë prej të drejtave që përmbahen në Deklaratën Universale dhe në Marrëveshjet e lidhura me të. Arsimi universal, liria e lëvizjes, informacioni për të gjithë dhe mundësia për të marrë pjesë në jetën politike janë të gjitha aspekte të veprimit të tij që kërkojnë garanci të qarta nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo është e vërtetë edhe për lirinë e mendimit e të besimit, duke përfshirë lirinë fetare, krahas së drejtës për të pasur mendimet e veta e për t’i shprehur ato në mënyrë të përshtatshme.

“Derisa trupi i njerëzimit është një e i pandarë, çdo pjesëtar i tij ka një angazhim që i është besuar qysh kur ka lindur në botë. Kjo përgjegjësi përbën themelin moral të shumë prej të drejtave të tjera – kryesisht ekonomike e shoqërore – që instrumentet e Kombeve të Bashkuara po përpiqen gjithashtu t’i përcaktojnë. Sigurimi i familjes e i shtëpisë, zotërimi i pronës dhe e drejta e jetës private, të gjitha këto i nënkupton një përgjegjësi e tillë. Komuniteti, nga ana e tij, ka detyrime që të sigurojë punë, të kujdeset për shëndetin mendor e fizik, për sigurimin shoqëror, të sigurojë paga të mjaftueshme, çlodhjen e argëtimin, si dhe një mori shërbimesh të tjera që presin me të drejtë prej tij anëtarët individualë të shoqërisë.

“Ky parim i përgjegjësisë kolektive nënkupton gjithashtu të drejtën e çdo personi për të pritur që ato kushte kulturore që janë thelbësore për identitetin e tij ose të saj të kenë mbrojtjen e ligjit kombëtar e ndërkombëtar. Ashtu si rezervuari gjenetik në jetën biologjike të njerëzimit e të mjedisit të tij, pasuria e paanë e diversitetit kulturor, e arritur në mijëra vjet, është jetësore për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një gjinie njerëzore që në tërësinë e saj po përjeton arritjen e moshës së pjekurisë. Ajo përfaqëson një trashëgim që duhet lejuar të japë frutet e veta në një qytetërim të përbotshëm. Nga njëra anë, shprehjet kulturore duhen mbrojtur që të mos mbyten nga ndikimet materialiste që tani janë mbizotëruese. Nga ana tjetër, kulturave duhet t’u jepet mundësia të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në modele qytetërimi që vazhdimisht ndryshojnë, të çliruara nga manipulimet për qëllime politike partiake”.

Komuniteti Ndërkombëtar Bahá’í, Zyra e Informimit Publik, Mirëqenia e njerëzimit. (Haifa: Qndra Botërore Bahá’í. 1955).

34. Në fund të fundit, respektimi i të drejtave të njeriut duhet të fillojë në familje: “Krahasoji kombet e botës me pjesëtarët e një familjeje. Familja është një komb në miniaturë. Thjesht zgjeroje rrethin e shtëpisë dhe ke kombin. Zgjeroje rrethin e kombeve dhe ke mbarë njerëzimin. Kushtet që rrethojnë familjen rrethojnë kombin. Ndodhitë në familje janë ndodhi në jetën e kombit. A do ta ndihmonte prograsin dhe ecjen përpara të në familjeje sikur të lindnin mosmarrëveshje midis pjesëtarëve të saj dhe ata të luftonin e grabisnin njëri-tjetrin, të ishin xhelozë e hakmarrës dhe të kërkonin përfitime egoiste? Jo, Kjo do të bëhej shkak për fshirjen e progresit e të ecjes përpara. Kështu është edhe në familjen e madhe të kombeve, sepse kombet s’janë veçse bashkime familjesh. Prandaj, në qoftë se grindja e mosmarrëveshja shkatërrojnë një familje dhe pengojnë përparimin e saj, po kështu kombet shkatërrohen dhe pengohet përparimi i tyre”.

‘Abdu’l-Bahá, Shpallja e Paqes Universale: Biseda të mbajtura nga ‘Abdu’l-Bahá-i gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e Kanada më 1912. Përmbl. Howard MacNutt. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1982), f. 157.

35. “Kur gjithë njerëzimi të ketë të njëjtat mundësi për edukim dhe barazia ndërmjet burrave e grave të jetë arritur, atëherë themelet e luftës do të shkatërrohen tërësisht. Pa barazi kjo do të jetë e pamundur, sepse të gjitha ndryshimet e dallimet çojnë në mosmarrëveshje e grindje. Barazia ndërmjet burrave e grave çon në zhdukjen e luftës, për arsye se gratë kurrë nuk do të kenë dëshirë ta sanksionojnë atë. Nënat kurrë nuk do pranojnë të flijojnë fëmijët e tyre në fushën e betejës pas njëzet vjetësh ankthi e përkushtimi plot dashuri për rritjen e tyre që nga foshnjëria, pavarësisht se çfarë kauze ata janë thirrur për të mbrojtur. Nuk ka asnjë dyshim se kur gratë të kenë fituar të drejta të barabarta, lufta do të pushojë krejtësisht në gjirin e njerëzimit”.

36. “Le të bëhet e ditur edhe një herë që derisa gruaja dhe burri të mos njohin e realizojnë barazinë, përparimi shoqëror e politik këtu ose kudo gjetkë nuk do të jetë i mundur. Sepse bota e njerëzimit përbëhet prej dy pjesësh apo pjesëtarësh: njëri është gruaja; tjetri është burri. Derisa këta dy pjesëtarë të mos jenë të barabartë në forcë, njëshmëria e njerëzimit nuk mund të vendoset dhe lumturia e gjinisë njerëzore nuk do të bëhet realitet. Dashtë Perëndia, kështu do të bëhet”. Nga një Bisedë e ‘Abdu’l-Bahá-it në Federatën e Klubeve të Grave, Çikago, Ilinois, 2 maj 1912.

‘Abdu’l-Bahá, Shpallja e Paqes Universale. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1982), f. 77.

37. “Në të kaluarën bota ka qenë qeverisur me anë të forcës dhe burri ka sunduar mbi gruan për arsye të cilësive të tij më të dhunshme e agresive, si të trupit dhe të mendjes. Por ekuilibri tashmë është duke ndryshuar, forca po e humbet mbizotërimin e vet dhe mprehtësia e mendjes, intuita e cilësitë shpirtërore të dashurisë e të shërbimit, në të cilat gruaja është e fortë, po shkojnë në ngjitje. Pra, epoka e re do të jetë një epokë më pak mashkullore dhe e përshkuar më shumë nga ideale femërore, ose më saktë, do të jetë një epokë në të cilën elementët mashkullorë e femërorë të qytetërimit do të jenë më mirë të balancuar”.

‘Abdu’l-Bahá, cituar në librin e John E. Esslemont, Bahá’u’lláh-u dhe epoka e re, f.156, bot. i 4-t i rish., 1976, Wilmette: Bahá’í Books, botuar nga Pyramid Publications për Bahá’í Publishing Trust.

38. Parimi që gratë dhe vajzat duhet të kenë përparësi ndaj burrave në arsimim, ka qenë prej një kohe të gjatë një parim në mësimet Bahá’í. Duke folur në vitin 1912, ‘Abdu’l-Bahá-i ka thënë: “Duke shpallur njëshmërinë e njerëzimit [Bahá’u’lláh-u] mësonte se burrat dhe gratë janë të barabartë në sytë e Perëndisë dhe se asnjë dallim nuk bëhet midis tyre. I vetmi dallim midis tyre tani i detyrohet mungesës së shkollimit e të përgatitjes. Në qoftë se gruas i jepet mundësi e barabartë për shkollim, dallimi e vlerësimi i inferioritetit do të zhduken… Për më tepër, shkollimi i grave ka më shumë rëndësi se shkollimi i burrave, sepse ato janë nënat e racës, dhe nënat rrisin fëmijët. Mësuesët e parë të fëmijëve janë nënat. Pra, ato duhet të jenë të stërvitura si duhet, në mënyrë që të edukojnë djemtë dhe vajzat. Ka shumë parashikime në fjalët e Bahá’u’lláh-ut lidhur me këtë.

“Ai shpalli ndjekjen e së njëjtës rrugë të shkollimit të burrit e të gruas. Djemtë dhe vajzat duhet të ndjekin të njëjtin program studimi, duke mbështetur kështu unitetin e sekseve”.

‘Abdu’l-Bahá, Shpallja e Paqes Universale. Përmbl. Howard MacNutt. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1982), f. 174-175.

39. Lorëns H. Samërs [Lawrence H. Summers], Nënpresident & Kryeekonomist i Bankës Botërore, Duke investuar në të gjithë njerëzit. 1992. Gjithashtu ASHBZHN [Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim]. 1989. Raporte teknike për gjininë dhe zhvillimin. Duke e bërë çështjen e gjinisë të ndryshueshme: gratë dhe pasuria e mirëqenia e kombeve. Zyra e Grave në Zhvillim.

40. Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it. Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Përkthyer nga një Komitet në Qendrën Botërore Bahá’í dhe nga Marzieh Gail. (Britania e Madhe: W & J. Mackay Ltd. 1978), nr. 227, f. 302.

41. Strategjia e të Shikuarit Përpara e Nairobit për Përparimin e Grave. Adoptuar nga Konferenca Botërore për të rishikuar e vlerësuar arritjet e dekadës së Kombeve të Bashkuara për gratë: Barazi, Zhvillim dhe Paqe, Nairobi, Kenia, 15-26 korrik 1985.

42. Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it. Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Përkthyer nga një Komitet në Qendrën Botërore Bahá’í dhe nga Marzieh Gail. (Britania e Madhe: W & J. Mackay Ltd. 1978), nr. 227, f. 303.

43. Deklarata ndërfetare me titull “Drejt një etike gobale”, e cila u hartua nga një asamble udhëheqësish fetarë e shpirtërorë praktikisht nga çdo fe e madhe botërore e lëvizje shpirtërore që morën pjesë në Parlamentin e vitit 1993 të Feve të Botës në Çikago, sugjeron se është me të vërtetë e mundur që fetë e botës të gjejnë një bazë të gjerë të përbashkët lidhur me këtë çështje. Deklarata thotë: “Ne afirmojmë se një seri vlerash thelbësore të përbashkëta gjenden në mësimet e feve dhe se këto formojnë bazën e një etike globale… Ekzistojnë tashmë porosi të lashta për sjelljen njerëzore, që gjenden në mësimet e feve të botës dhe që përbëjnë kushtin për një rend botëror të qëndrueshëm”.

44. Rregulli i Artë, mësimi se duhet t’i trajtojmë të tjerët ashtu siç do të dëshironim të na trajtojnë ne, është një etikë e përsëritur në mënyra të ndryshme në të gjitha fetë e mëdha:

Budizmi: “Mos i fyej të tjerët në mënyra që t vetë do t’i konsideroje fyese”. Udana-Varqa, 5:18.

Zoroastrianizmi: “Vetëm ajo natyrë është e mirë, që nuk i bën tjetrit asgjë që nuk është e mirë për veten e saj”. Dadistan-i-Dinik, 94:5.

Judaizmi: “Atë që është e urrejtur për ty, mos ua bëj njerëzve të tjerë. Ky është tërë Ligji, gjithë të tjerat janë komente”. Talmudi, Shabbat, 31a.

Hinduizmi: “Kjo është shuma e çdo drejtësie të vërtetë: sillu me të tjerët ashtu si do të doje ti vetë të silleshin me ty. Mos i bëj të afërmit asgjë që nuk do të doje të të bënte ai ty pastaj”. Mahabharata.

Krishtërimi: “Ashtu siç do të doje që njerëzit të të bënin ty, bëju ti të tjerëve”. Luka 6:31.

Islami: “Asnjë prej jush nuk është besimtar derisa të mos dëshirojë për vëllanë e vet atë që dëshiron për vetveten”. Sunnah.

Taoizmi: Njeriu i mirë “duhet të tregojë keqardhje për prirjet e liga të të tjerëve; t’i shohë fitimet e të tjerëve sikur të ishin të vetat dhe humbjet e tyre në të njëjtën mënyrë”. Thai-Shang.

Konfucianizmi: “Me siguri është maksimumi i dashamirësisë: Mos u bëj të tjerëve atë që nuk do të dëshiroje të të bëjnë ata ty”. Analektet, XV, 23.

Besimi Bahá’í: “Ai nuk duhet të dëshirojë për të tjerët atë që nuk dëshiron për veten e tij, as të premtojë atë që nuk e përmbush dot”. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut.

45. Shoghi Effendi, Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trust. 1938), f. 202.

46. Bahá’u’lláh. Shpallja e Bahá’u’lláh-ut. (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í. 1978).

47. Bahá’u’lláh, Tabelat e Bahá’u’lláh-ut. Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Përkthyer nga Habib Taherzadeh me ndihmën e një Komiteti në Qendrën Botërore Bahá’í. (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í. 1982), f. 167.

48. Komisioni për Qeverisje Globale shkruan: “Ndërsa bota ndeshet me nevojën për përgjigje të qarta ndaj sfidave që dalin në prag të shekullit të ri, ne jemi të shqetësuar për mungesën e udhëheqjes në një spektër të gjerë të punëve njerëzore. Në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtar, brenda komunitetesh e në organizata ndërkombëtare, në qeveri e në organizma joqeveritare, bota ka nevojë për udhëheqje të besueshme e të pandërprerë.

“Asaj i duhet udhëheqje proaktive e jo thjesht reaktive, e frymëzuar e jo thjesht funksionale, që shikon larg e për gjeneratat e ardhme, për të cilat e tashmja është e siguruar. Asaj i duhen udhëheqës të forcuar nga vizioni, të mbështetur nga etika e të shquar për kurajë politike, që shohin tej zgjedhjes vijuese.

“Kjo nuk mund të jetë udhëheqje e kufizuar brenda mureve të vendit. Ajo duhet të shohë tej vendit, racës, fesë, kulturës, gjuhës, stilit të jetesës. Ajo duhet të përqafojë një përbërje njerëzore më të gjerë, të përshkohet nga një ndjenjë kujdesi për të tjerët, një ndjenjë përgjegjësie për fqinjësinë globale”.

Raport i Komisionit për Qeverisje Globale, Fqinjësia jonë globale. (Nju Jork: Oxford University Press. 1995), f. 353.

49. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’í-ut. Përkthyer nga Shoghi Effendi. (Wilmette, Il.: Bahá’í Publishing Trus. 1976), f.7.