Qytetaria Botërore: Një Etikë Globale për Zhvillim të Pandërprerë

Statements

Qytetaria Botërore: Një Etikë Globale për Zhvillim të Pandërprerë

Në frymën e Programit 21, si «një program dinamik» i destinuar të «evoluojë për një periudhë kohe në dritën e nevojave e të rrethanave që ndryshojnë» (1), Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í paraqet propozimin që vijon: Me qëllim që të frymëzohen popujt e botës të luftojnë për zhvillim të pandërprerë, programet edukative dhe fushatat për ndërgjegjshmëri publike që parashikohen në Programin 21 duhet të ushqejnë konceptin e QYTETARISË BOTËRORE.

New York—14 June 1993

VIZIONI  I  QYTETARISË  BOTËRORE

Sfida më e madhe me të cilën ndeshet komuniteti botëror duke iu përveshur vënies në jetë të Programit 21 është të çlirojë burimet kolosale financiare, teknike, njerëzore e morale që kërkohen për një zhvillim të pandërprerë. Këto burime do të çlirohen vetëm kur popujt e botës të zhvillojnë një ndjenjë të thellë përgjegjësie për fatet e planetit dhe për mirëqenien e mbarë familjes njerëzore.

Kjo ndjenjë përgjegjësie mund të lindë vetëm nga pranimi i njëshmërisë së njerëzimit dhe do të mbështetet vetëm nga një vizion me prirje drejt njësimit i një shoqërie botërore paqësore, të mbarë. Pa një etikë të tillë globale, njerëzit nuk do të jenë në gjendje të bëhen pjesëmarrës aktivë, konstruktivë në procesin mbarëbotëror të një zhvillimi të pandërprerë. (2)

Ndërsa Programi 21 siguron një kuadër të domosdoshëm dije shkencore e zhdërvjelltësie teknike për vënien në jetë të një zhvillimi të pandërprerë, ai nuk frymëzon angazhim personal në një etikë globale. Jo se etika dhe vlerat janë injoruar në procesin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin (KKBMZH). Thirrja për vlera me prirje drejt njësimit u dëgjua gjatë tërë këtij procesi, që nga kryetarë shtetesh deri te zyrtarë të OKB-së, përfaqësues të organizatave joqeveri­tare (OJQ) dhe qytetarë individualë. Në mënyrë të veçantë, konceptet e «unitetit në diversitet», të «qytetarisë botërore» dhe të «qytetërimit tonë të përbashkët» u theksuan për të shërbyer si mbështetje etike për Programin 21 dhe Deklaratën e Rios. (3)

Komuniteti botëror ka arritur, kështu, një marrëveshje bazë për nevojën e një etike globale për t'i dhënë jetë Programit 21.

Ne sugjerojmë që termi qytetari botërore të adoptohet për të  përfshirë tërësinë e parimeve, të vlerave, të qëndrimeve e të sjelljes që duhet të përqafojnë popujt e botës në mënyrë që të realizohet zhvillimi i pandërprerë.

Qytetaria botërore fillon me pranimin e njëshmërisë së familjes njerëzore dhe të ndërlidhurisë së kombeve të «tokës, shtëpisë sonë» (4). Ndërsa inkurajon një patriotizëm të shëndet­shëm e të ligjshëm, ajo këmbëngul gjithashtu për një besnikëri më të gjerë, për dashurinë ndaj njerëzimit si një e tërë. Por ajo nuk nënkupton heqjen dorë nga besnikëritë e ligjshme, ndalimin e diversitetit kulturor, eliminimin e autonomisë kombëtare dhe as imponimin e uniformitetit. Tipari dallues i saj është «uniteti në diversitet».  Qytetaria botërore përfshin parimet e drejtësisë shoqërore dhe ekonomike, si brenda dhe midis kombeve; vendim-marrjen joantagoniste në të gjitha nivelet e shoqërisë; barazinë e sekseve; harmoninë raciale, etnike, kombëtare e fetare; dhe gatishmërinë për të bërë sakrifica për të mirën e përbashkët.  Aspekte të tjera të qytetarisë botërore — dhe secili prej tyre mbështet nderin e dinjitetin njerëzor, mirëkuptimin, miqësinë, kooperimin, besueshmërinë, dhemb­shurinë dhe një dëshirë për të shërbyer — mund të deduktohen nga ato që përmenden më sipër. Disa prej këtyre parimeve (5) janë shtjelluar në Programin 21 — por shumë prej tyre mungojnë në mënyrë të dukshme. Për më tepër, nuk ka një kuadër të përgjithshëm konceptual, në të cilin ato të mund të harmonizohen e të shpallen.

Edukimi i qytetarisë botërore është një strategji praktike për t'i dhënë rrugë zhvillimit të pandërprerë. Sa kohë raportet shoqërore, politike dhe ekonomike karakterizohen nga mungesa e unitetit, antagonizmi e provincializmi, nuk mund të vendoset një model i qëndrueshëm zhvillimi. (6)  Më se një shekull më parë Bahá'u'lláh-u paralajmëronte, «Mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe siguria e tij janë të paarritshme, në qoftë se e përderisa nuk do të jetë vendosur në mënyrë të patundur uniteti i tij». Vetëm mbi një bazë uniteti, harmonie e mirëkuptimi të vërtetë midis popujve e kombeve të botës mund të ngrihet një shoqëri globale e qëndrueshme.

Prandaj ne rekomandojmë që qytetaria botërore të mësohet në çdo shkollë dhe që njëshmëria e njerëzimit — parimi që qëndron në themel të qytetarisë botërore — të pohohet vazhdimisht në çdo komb.

Koncepti i qytetarisë botërore nuk është i ri për komunitetin botëror. Ai është i nënkuptuar dhe i shprehur hapur në një numër të madh dokumentesh, kartash e marrëveshjesh të OKB-së, duke përfshirë fjalët e hyrjes të vetë Kartës së OKB-së: «Ne popujt e Kombeve të Bashkuara...». Ai është përhapur tashmë anembanë botës

përmes gjithfarë kulturave nga OJQ, akademikë, grupe qytetare, prezantues, programe edukative, artistë e mjete të informimit publik. Këto përpjekje janë të rëndësishme, por ato duhen rritur shumë. Një fushatë e planifikuar dhe e drejtuar me kujdes për të ngulitur qytetarinë botërore, që të përfshijë të gjithë sektorët e shoqërisë — lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë — duhet vënë në zbatim. Ajo duhet ndjekur me të gjithë forcën, kurajën morale e bindjen që Kombet e Bashkuara mund të grumbullojnë.

PËRKRAHJA E QYTETARISË BOTËRORE

Propozimi që vijon për një fushatë të përkrahjes së qytetarisë botërore (7) përshtatet në mënyrë të natyrshme në kuadrin e riorientimit të edukimit, të ndërgjegjshmërisë publike dhe të përgatitjes për një zhvillim të pandërprerë, i cili paraqitet në Kreun 36 të Programit 21.

EDUKIMI 

Edukimi — shkollor, jashtëshkollor dhe ai shkollor jo i detyruar — është pa diskutim rruga më efektive për të formuar vlera, qëndrime, sjellje e zhdërvjelltësi, që do t'i pajisin popujt e botës për të vepruar për interesat afatgjatë të planetit e të njerëzimit si një e tërë (8).  Kombet e Bashkuara, qeveritë dhe organizmat që merren me edukimin duhet të kërkojnë ta bëjnë parimin e qytetarisë botërore pjesë të edukimit standard të çdo fëmije.

Hollësitë e programeve e të veprimtarive edukative që përfshijnë këtë parim do të ndryshojnë shumë brenda e midis kombeve. Por, në qoftë se qytetaria botërore kuptohet si një parim universal, të gjitha programet duhet të kenë disa aspekte të përbashkëta. Të bazuara në parimin e njëshmërisë së racës njerëzore, ato duhet të kultivojnë tolerancën e vëllazërinë, të edukojnë vlerësimin për pasurinë dhe rëndësinë e sistemeve të ndryshme kulturore, fetare e shoqërore të botës dhe të forcojnë ato tradita që kontribuojnë për një qytetërim të qëndrueshëm, botëror.  Ato duhet të mësojnë parimin e «unitetit në diversitet», si kyçi për të forcuar e begatuar si kombet dhe komunitetin botëror. Ato duhet të ushqejnë një etikë të të shërbyerit për të mirën e përbashkët dhe të përçojnë kuptimin si të të drejtave dhe të përgjegjësive të qytetarisë botërore. Këto programe e veprimtari duhet të ndërtohen mbi përpjekjet pozitive të vendit dhe të nxjerrin në pah sukseset e tij të prekshme, duke përfshirë modele të unitetit racial, fetar, kombëtar e etnik.  Ato duhet ta venë theksin te rëndësia e OKB-së në përkrahjen e kooperimit e të mirëkuptimit global; te qëllimet, objektivat dhe

programet e saj universale; te volia e saj e tanishme për popujt e kombet e botës; dhe te roli në rritje që ajo duhet të marrë në këtë botën tonë që po bëhet gjithnjë e më kompakte.

Përpara se të ndërmerret një fushatë për përkrahjen e qytetarisë botërore, do të jetë e nevojshme të zhvillohet e të bihet dakord për një kuptim të përbashkët të këtij koncepti. Komisioni për Zhvillim të Pandërprerë duhet të ngrejë një komitet të posaçëm ose një grup pune që të fillojë të zhvillojë vijat orientuese për qytetarinë botërore dhe të bëjë propozime për futjen e këtij parimi në programet edukative shkollore e jashtëshkollore ekzistuese. Komisioni, nga ana e tij, mund të kërkonte ndihmën e Trupës Këshillimore të Nivelit të Lartë për Zhvillim të Pandërprerë ose të Komitetit Ndëragjencial për Zhvillim të Pandërprerë. Sekretariati i OKB-së mundet madje të vendosë të krijojë një Njësi të Qytetarisë Botërore, të ngjashme me ish Njësinë e Studimeve për Paqën, që të zhvillojë këto vija orientuese dhe të bashkërendojë vënien në jetë të edukimit të qytetarisë botërore në tërë sistemin. Cilado rrugë të zgjidhet, kësaj detyre i duhet dhënë përparësi e madhe.

Qytetaria botërore mund të futet lehtë në të gjitha veprimtaritë e sugjeruara në kreun 36.5. të Programit 21 për riorientimin e edukimit drejt një zhvillimi të pandërprerë. Disa shembuj për ilustrim:

 

Trupa këshillimore kombëtare/tavolina të rrumbullakta (36.5.c) do të lehtësonin futjen e qytetarisë botërore në programet edukative brenda vendit.

            •     Programet përgatitore para e gjatë shërbimit për të gjithë mësuesit, administratorët, planifikuesit e edukimit dhe për edukatorët jashtëshkollorë (36.5.d) duhet ta përfshijnë parimin e qytetarisë botërore në programet e tyre.

•     Materialet edukative për zhvillimin e pandërprerë, të nxjerra nga organizmat e OKB-së, duhet të inkurajojnë qytetarinë botërore (36.5.g), siç duhet të bëjnë edhe materialet rreth Kombeve të Bashkuara.

Programi 21 bën thirrje për «zhvillimin e një rrjeti ndërkombëtar» që të mbështesë përpjekjet globale të edukimit për një zhvillim të pandërprerë (36.5.k). Ky rrjet do të mund të inkurajonte organizmat e OKB-së dhe anëtarët e OJQ-ve për të krijuar materiale të bazuara në vijat orientuese për qytetari botërore, dhe gjithashtu të  siguronte mjetet për shpërndarjen e tyre.

Qeverive dhe autoriteteve të edukimit u është bërë tashmë thirrje për të «eliminuar stereotipet sipas sekseve në programet», si mjet për të përkrahur një zhvillim të pandërprerë (36.5.m). Ne do të rekomandonim që, në frymën e qytetarisë botërore, stereotipet e bazuara në fe, kulturë, racë, klasë, kombësi e etni gjithashtu të eliminohen.

NDËRGJEGJSHMËRIA PUBLIKE

Është e nevojshme që njerëzit të mendojnë për veten e tyre si qytetarë botërorë dhe të kuptojnë përgjegjësinë e vet personale për të përkrahur zhvillimin e pandërprerë (9).  Fushatat për të ngjallur ndërgjegjshmërinë publike lidhur me sfidat që paraqet qytetaria botërore duhet të përdorin tërë gamën e mjeteve të informimit publik e të arteve, duke përfshirë televizionin, videot, filmin, radion, rrjetet elektronike, librat, revistat, pllakatet, shpalljet, teatrin e muzikën. Këto fushata duhet të tërheqin industritë e reklamës e të argëtimit, mjetet e informimit publik — si tradicionale dhe jotradicionale, — tërë sistemin e OKB-së, të gjitha shtetet anëtare, OJQ-të dhe personalitetet popullore. Ato duhet të arrijnë deri në shtëpi, në vendin e punës, në ambiente publike e shkolla. Vijat orientuese për qytetarinë botërore që parashikohen më lart duhet t'i përshtaten përdorimit të tyre nga të tilla fushata të ndërgjegjshmërisë publike dhe të shërbejnë si referencë bazë për gjithfarë programesh të mjeteve të informimit publik.

Qytetaria botërore mund të përfshihej në veprimtaritë e parashtruara në kreun 36.10 të Programit 21 për rritjen e ndërgjegjshmërisë e të ndjeshmërisë publike lidhur me zhvillimin e pandërprerë. Shembujt e mëposhtëm e ilustrojnë këtë:

• Trupat këshillimore kombëtare e ndërkombëtare (36.10.a) mund të inkurajonin mjetet e ndryshme të informimit publik që të adoptojnë vijat orientuese për qytetarinë botërore. Mjetet e informimit publik kanë bërë shumë për të ngjallur ndërgjegjshmërinë publike për ndërvarësinë globale dhe vështirësitë kolosale me të cilat ndeshet sot komuniteti botëror. Ato gjithashtu kanë ndriçuar dallimet në dukje të pakapërcyeshme që na ndajnë.

Mjetet e informimit publik kanë përgjegjësi për t'i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se diversiteti nuk duhet të jetë burim konflikti; përkundrazi, diversiteti mund dhe duhet të shërbejë tani si një burim për zhvillim të

pandërprerë. Ato mund ta bëjnë këtë duke u përqëndruar në nismat konstruktive, unifikuese e kooperuese që provojnë aftësinë e njerëzimit për të punuar së bashku e për të përballuar kështu sfidat kolosale me të cilat ai ndeshet.

Duke zhvilluar «marrëdhënie kooperuese me mjetet e informimit publik» (36.10.e), Kombet e Bashkuara mund të përcaktojnë pa frikë identitetin e vet dhe premtimin që bartin për komunitetin botëror. Organizata e Kombeve të Bashkuara u krijua mbi bazën e idealeve të larta dhe me vizionin e një bote paqësore, progresive. Duke siguruar një kuadër për komunikim e kooperim dhe duke ndërmarrë projekte të panumërta, konstruktive, ajo ka ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme për mirëkuptimin, shpresën dhe vullnetin e mirë në botë. Megjithatë, arritjet e saj janë pak të njohura për shumicën e njerëzimit.

Duke përdorur konceptin e qytetarisë botërore si një temë integruese, Kombet e Bashkuara duhet t'u japin publicitet idealeve, veprimtarive e qëllimeve të veta, në mënyrë që njerëzit të arrijnë të kuptojnë rolin unik e jetësor që OKB-ja luan në botë, pra edhe në jetën e tyre. Po kështu, OKB-ja duhet të mbështesë qytetarinë botërore në të gjitha veprimtaritë e saj publike, duke përfshirë festimin e 50-vjetorit të Kombeve të Bashkuara dhe vizitat e organeve drejtuese të OKB-së. Çdo dokument i OKB-së që trajton zhvillimin e pandërprerë duhet të përfshijë edhe këtë parim — duke filluar me parathënien e Kartës së Tokës që propozohet. Qytetaria botërore duhet të bëhet pika e vetme më e rëndësishme e referencës etike në gjithfarë veprimtarish të OKB-së.

Shërbimet e industrisë së reklamës (36.10.e) duhen tërhequr për të përkrahur qytetarinë botërore. Mund të organizohen fushata rreth temash të tilla si:

Ne popujt e Kombeve të Bashkuara:

Lartësojmë unitetin në diversitet

Një planet, një popull

Në tërë diversitetin tonë,

ne jemi një familje njerëzore e vetme

E ardhmja jonë e përbashkët: unitet në diversitet

Duhet të zhvillohen konkurse dhe të jepen çmime për përkrahjen e qytetarisë botërore (36.10.e).

Ndërsa rritin vetëdijën publike «lidhur me ndikimin e dhunës në shoqëri» (36.10.1), mjetet e informimit publik mund të nxitin angazhimin në qytetarinë botërore duke dhënë shembuj nismash konstruktive që tregojnë forcën e unitetit e të vizionit të përbashkët.

Çdo vend duhet inkurajuar të caktojë burime për të përkrahur qytetarinë botërore. Duhet marrë në konsideratë gjithashtu që midis «treguesve të zhvillimit të pandërprerë» (40.6.) të propozuar të futet edhe përkrahja e këtij parimi. Vendet mund të inkurajoheshin, për shembull, të njoftojnë lidhur me përpjekjet e bëra për të ushqyer tolerancën dhe vlerësimin e kulturave të tjera, barazinë e sekseve dhe konceptin e një familjeje njerëzore të vetme përmes programesh, argëtimit dhe mjeteve të informimit publik.

SFIDA E QYTETARISË BOTËRORE

Si përfundim, qytetaria botërore është një koncept aq sfidues e dinamik sa dhe mundësitë që qëndrojnë para komunitetit botëror. Do të ishte e arsyeshme që ne, popujt dhe kombet e botës, t'i përqafojmë me kurajë parimet që qëndrojnë në themel të tij dhe të udhëhiqemi prej tyre në të gjitha aspektet e jetës sonë — që nga marrëdhëniet tona personale e komunitare deri te punët tona kombëtare e ndërkombëtare; nga shkollat, vendet tona të punës dhe mjetet e informimit publik deri te institucionet tona ligjore, shoqërore e politike. Prandaj ne i kërkojmë Komisionit të inkurajojë gjithë sistemin e OKB-së që ta përfshijë parimin e qytetarisë botërore në tërë gamën e programeve e të veprimtarive të veta.

Për Komunitetin Ndërkombëtar Bahá'í, i cili prej më se një shekulli ka ushqyer qytetarinë botërore, do të ishte një kënaqësi të ndihmojë Komisionin, qeveritë, OJQ-të e të tjerë për të zhvilluar më tej konceptet që përmbahen në këtë dokument; të japë modele praktike të unitetit racial, fetar, kombëtar e etnik për zhvillim të pandërprerë; dhe të marrë pjesë në konsultime për këtë çështje vendimtare. Si komunitet global që përfshin diversitetin e njerëzimit dhe që ka një vizion të përbashkët, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í do të vazhdojë të përkrahë zhvillimin e pandërprerë, duke i inkurajuar njerëzit ta shohin veten si qytetarë të një bote të vetme, si ndërtuesit e një qytetërimi botëror të drejtë e të lulëzuar.

SHËNIME

(1)       Programi 21, Kreu 1.6.

(2)       Një nga temat më shpesh të përsëritura të Programit 21 është rëndësia jetësore që ka «pjesëmarrja e gjerë publike në marrjen e vendimeve», «zotimi dhe angazhimi i vërtetë i të gjitha grupeve shoqërore», «pjesëmarrja e vërtetë shoqërore» dhe «nivelet e reja të kooperimit midis shteteve, sektorëve kyç të shoqërive e të popullsisë».

(3)       Thirrja për një etikë globale është ngritur shpesh gjatë procesit të KKBMZH, me një intensitet të veçantë në Takimin e Nivelit të Lartë të Tokës dhe në Forumin Global, që nga kryetarë shtetesh deri te zyrtarë të OKB-së dhe përfaqësues të OJQ; përmes dokumentesh zyrtare të KKBMZH, traktatesh të OJQ, kursesh, librash dhe shfaqjesh artistike.  Këto që vijojnë janë vetëm disa shembuj:

- Fjalimet e mbajtura në Takimin e Nivelit të Lartë të Tokës nga Presidenti i Brazilit; Presidenti i Francës; Kryeministri i Irlandës; Kryeministri i Japonisë; Presidenti i Republikës së Ishujve Marshall; Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Meksikës;  Princi Trashëgimtar i Mbretërisë së Marokut; Kryeministri i Mbretërisë së Hollandës; Kryeministri i Turqisë; Kryeministri i Tuvalu; Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë; dhe Sekretari i Përgjithshëm i KKBMZH;

- Traktatet e NGO-ve të përgatitura në Forumin Global, duke përfshirë Traktatin e Rinisë, Kartën e Tokës, Deklaratën e Rio De Zhaneiros; Deklaratën e Popujve të Tokës; Traktatin mbi Edukimin Mjedisor për Shoqëri të Qëndrueshme e Përgjegjësi Globale; dhe Traktatin e Angazhimeve Etike;

- Veprimtari të Forumit Global, duke përfshirë Mbledhjet e Mbrëmjes në Park, që pasqyrojnë «diversitetin kulturor të Familjes Njerëzore»; dhe Monumentin e Paqës, mbishkrimi i të cilit thotë «Toka është një vend i vetëm dhe njerëzimi qytetarët e tij».

            - Deklarata e botime të qeverive, të Agjensive të OKB-së e të OJQ-ve në sesione të ndryshme të Komitetit Përgatitor, si dhe për ngjarje të tjera të lidhura me KKBMZH, duke përfshirë Kodin Universal të Qëndrimit ndaj Mjedisit (OJQ/Simpozium i Media-ve, tetor 1990); Në Duart Tona: Gratë dhe Fëmijët të Parët (Raport i Simpoziumit të KKBMZH/FKBF/UNFPA, maj 1991); Karta e Tokës (Rrjeti Qytetar i SHBA për KKBMZH, korrik 1991); Një Komunitet i Vetëm i Tokës(Grupi i Punës i Komuniteteve Fetare për KKBMZH, gusht 1991);  Një Kartë e Tokës (Komiteti Koordinues për Fenë dhe Tokën, 1991); Programi Ja Uananki [Ya Wananchi] (Rrënjët e së Ardhmes, dhjetor 1991); Një Etikë e Mjedisit ose Kartë e Tokës (Komiteti Kombëtar i PKBM i Mbretërisë së Bashkuar, shkurt 1992); Parimet e të Drejtave dhe Detyrave të Përgjithshme (Dokument i Asamblesë së Përgjithshme, A/CONF.151/PC/WG.III/L.28, 9 mars 1992); Karta e Tokës, Japoni (Forumi Popullor, Japoni, 1992); Karta e Rimëkëmbjes së Tokës (Fondacioni i Rimëkëmbjes së Tokës, 1992); dhe Vendi ynë, Planeti (Sër Shridat Ramfal [Sir Shridath Ramphal], 1992).