Zhvillimi i Pandërprerë dhe Shpirti Njerëzor

Statements

Zhvillimi i Pandërprerë dhe Shpirti Njerëzor

Përshtatur nga Deklarata e bërë në mbledhjen plenare të "Takimit të Nivelit të Lartë të Tokës" (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin), Rio de Zhaneiro, Brazil

Rio de Janeiro, Brazil—4 June 1992

Problemet me të cilat ndeshet njerëzimi nuk mund të trajtohen plotësisht pa një kooperim e bashkërendim të gjerë në të gjitha nivelet, që tejkalon shumë çdo gjë që përfshihet në përvojën kolektive të njerëzimit.

Një zgjidhje e vërtetë e gjendjes së rrezikshme të punëve në botë mund të realizohet vetëm kur dimensioni shpirtëror i natyrës njerëzore
të mbahet parasysh dhe zemra njerëzore të transformohet. Dimensioni shpirtëror i natyrës njerëzore mund të kuptohet praktikisht si burimi
i cilësive që e kapërcejnë egoizmin e ngushtë.

Tej çështjeve të tilla teknike e politike, si ç'kufizime duhen vënë për gazet e serrave, si mund të stimulohet zhvillimi i pandërprerë dhe kush do të paguajë për të, çështja themelore me të cilën ndeshet komuniteti botëror është kjo: A mundet njerëzimi, me modelet e tij të rrënjosura të konfliktit, me egoizmin dhe qëndrimin e tij dritëshkurtër, të angazhohet në një kooperim të qytetëruar e në një planifikim afatgjatë në shkallë botërore?

Zhvillimi i Takimit të Nivelit të Lartë të Tokës ndriçoi si kompleksitetin dhe ndërvarësinë e problemeve me të cilat ndeshet njerëzimi. Asnjë prej këtyre problemeve - padrejtësitë rraskapitëse të zhvillimit, kërcënimet apokaliptike të nxemjes së atmosferës e të shterimit të ozonit, shtypja e grave, lënia pasdore e fëmijëve dhe e popujve të prapambetur, duke përmendur vetëm disa prej tyre - nuk mund të trajtohet në mënyrë realiste pa mbajtur parasysh të gjitha të tjerat. Asnjëri prej tyre nuk mund të trajtohet plotësisht pa një kooperim e bashkërendim të gjerë në të gjitha nivelet, që tejkalon çdo gjë që përfshihet në përvojën kolektive të njerëzimit.

Por mundësinë për një kooperim të tillë e minon ulja e përgjithshme e karakterit njerëzor. Megjithëse zakonisht nuk diskutohen në lidhje me sfidat e mjedisit e të zhvillimit, në botë ka sot disa rryma - duke pëfshirë mungesën gjerësisht të përhapur të disiplinës morale, ngritjen në qiell të lakmisë e të akumulimit material, dobësimin gjithnjë më të madh të familjes e të komunitetit, rritjen e paligjshmërisë e të rrëmujës, mbisundimin e racizmit e të fanatizmit, përparësinë që u jepet interesave kombëtare mbi mirëqenien e njerëzimit - të cilat të gjitha shkatërrojnë besimin dhe sigurinë, që janë themelet e bashkëpunimit.

Eliminimi i këtyre rrymave shkatërrimtare është thelbësore për vendosjen e unitetit e të kooperimit. Eliminimi i tyre do të kërkojë një kuptim më të thellë të natyrës njerëzore. Sepse megjithë që ekonomia, politika. sociologjia dhe shkenca janë mjete të rëndësishme për trajtimin e krizave të ndërvarura me të cilat ndeshet njerëzimi, një zgjidhje e vërtetë e gjendjes së rrezikshme të punëve në botë mund të realizohet vetëm kur dimensioni shpirtëror i natyrës njerëzore të mbahet parasysh dhe zemra njerëzore të transformohet.

Megjithëse ka aspekte mistike që nuk shpjegohen lehtë, dimensioni shpirtëror i natyrës njerëzore mund të kuptohet praktikisht si burimi i cilësive që e kapërcejnë egoizmin e ngushtë. Cilësi të tilla përfshijnë dashurinë, dhembshurinë, durimin, besueshmërinë, kurajën, përunjësinë, kooperimin dhe vullnetin për sakrifica për të mirën e përbashkët. Këto janë cilësi të një qytetarie të ndriçuar, të aftë për të ndërtuar një qytetërim botëror të unifikuar.

Pasi të ketë vërshuar, ky burim i fuqishëm e dinamik i motivimit individual e kolektiv do të përhapë një frymë kaq të thellë e të shëndetshme midis popujve të botës, saqë asnjë forcë nuk do t'i rezistojë dot fuqisë së tij unifikuese.

E vërteta shpirtërore themelore e epokës sonë është njëshmëria e njerëzimit.

Ndryshimet e thella e që shkojnë larg, uniteti dhe kooperimi pa precedent që kërkohen për ta riorientuar botën drejt një të ardhmeje ekologjikisht të qëndrueshme e të drejtë, do të jenë të mundura vetëm duke prekur shpirtin njerëzor, duke iu drejtuar atyre vlerave universale, të cilat janë të vetmet që mund t'u japin mundësi individëve e popujve të veprojnë në përputhje me interesat afatgjate të planetit e të njerëzimit si një e tërë. Pasi të ketë vërshuar, ky burim i fuqishëm e dinamik i motivimit individual e kolektiv do të përhapë një frymë kaq të thellë e të shëndetshme midis popujve të botës, saqë asnjë forcë nuk do t'i rezistojë dot fuqisë së tij unifikuese.

E vërteta shpirtërore themelore e epokës sonë është njëshmëria e njerëzimit. Pranimi universal i këtij parimi - me të gjitha implikimet që sjell ai për drejtësi shoqërore dhe ekonomike, për pjesëmarrje të përgjithshme në marrjen e vendimeve pa kundërvënie, për paqen dhe sigurimin kolektiv, për barazinë e sekseve dhe arsim për të gjithë - do të bëjë të mundur riorganizimin dhe qeverisjen e botës si një vend i vetëm, si shtëpia e njerëzimit.

Mbi njëqind vjet më parë, Bahá'u'lláh-u sfidoi sundimtarët dhe popujt e tokës që ta bëjnë botëpërfshirës vizionin e tyre: "Nuk duhet të krenohet ai që do vendin e vet, por ai që do gjithë botën." Kjo sfidë ende pret përgjigje.