Familja në një komunitet botëror

Statements

Familja në një komunitet botëror

Ashtu si bota në tërësi, familja ndodhet në një fazë kalimtare. Në çdo kulturë, familjet po shpërbëhen, duke u copëzuar nën trysninë e përmbysjeve ekonomike e politike dhe duke u dobësuar përballë pështjellimit moral e shpirtëror.

Malta—25 November 1993

Kushtet që rrethojnë familjen rrethojnë

kombin. Ndodhitë në familje janë ndodhi
në jetën e kombit. *

Bahá'í-të i shohin këto shqetësime si shenja të përpjekjeve të njerëzimit në rrugën drejt një epoke të re në zhvillimin e tij kolektiv, një epoke pjekurie. Familja, si njësia më bazë e shoqërisë, duhet që në këtë proces të riformohet e të ripërtërihet sipas të njëjtave parime që po i japin një pamje të re qytetërimit në tërësi.

Parimi qendror i kësaj dite të re është njëshmëria e njerëzimit. "Mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe siguria e tij", ka thënë më se një shekull më parë Bahá'u'lláh-u, Themeluesi i Besimit Bahá'í, "janë të paarritshme, në qoftë se e përderisa nuk do të jetë vendosur në mënyrë të patundur uniteti i tij". Pranimi i marrëdhënieve të ndërsjellta dhe i ndërvarësisë së gjithë njerëzve kërkon rinovimin e çdo instituti shoqëror mbi tokë, duke përfshirë familjen.

UNITETI NE FAMILJE
Në qoftë se dashuria e mirëkuptimi janë
të dukshme në një familje të vetme, ajo
familje do të përparojë, do të ndriçohet
e do të ngrihet shpirtërisht.

Qëndrimi Bahá'í ndaj unitetit të familjes ndërthur elemente të urtisë tradicionale me parime progresive e me mjete praktike. Aderimi në këto mësime ofron një bastion kundër forcave të shpërbërjes dhe një kuadër për krijimin e familjeve të forta, të shëndetshme e të bashkuara.

____________________________________________________________________________________

"Pranimi i marrëdhënieve të ndërsjellta dhe i
ndërvarësisë së gjithë njerëzve kërkon rinovimin
e çdo instituti shoqëror mbi tokë, duke përfshirë
familjen".

____________________________________________________________________________________

Themeli dhe parakushti për një familje Bahá'í janë marrëdhëniet e dashurisë midis burrit e gruas. Martesa, një krijim hyjnor, ka si synim ta bashkojë një çift "si fizikisht dhe shpirtërisht, që ata të mund të përmirësojnë gjithmonë jetën shpirtërore të njëri-tjetrit". Një burrë dhe një grua, që e kanë zgjedhur lirisht njëri-tjetrin dhe që kanë marrë pëlqimin e prindërve të tyre, martohen, sipas ligjit Bahá'í, në prani të dëshmitarëve të caktuar nga këshilli drejtues i zgjedhur i komunitetit, Asambleja Shpirtërore lokale. Me fjalët "Me të vërtetë, ne të gjithë do t'i bindemi vullnetit të Perëndisë", që i thonë si nusja dhe dhëndri, të dy ata ia besojnë veten Perëndisë e përmes kësaj njëri-tjetrit.

Një qëllim i martesës është krijimi i një brezi të ri që të dojë Perëndinë dhe t'i shërbejë njerëzimit. Prandaj detyra e familjes është të krijojë marrëdhënie dashurie, respekti e harmonie midis prindërve dhe fëmijëve.

Harmonia dhe bashkëpunimi në familje, si dhe në botë, ruhet përmes ekuilibrit të të drejtave e përgjegjësive. Të gjithë anëtarët e familjes "kanë detyra e përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj familjes në tërësi", të cilat "ndryshojnë nga njëri pjesëtar tek tjetri për shkak të marrëdhënieve të tyre të natyrshme".

Fëmijët, për shembull, kanë për detyrë t'u binden prindërve të tyre. Ata kanë gjithashtu të drejtën përkatëse që për ta të kujdesen, t'i edukojnë e t'i mbrojnë. Nënat, si mbajtëset dhe edukatoret e para të fëmijëve, janë parësisht, por jo eksluzivisht, përgjegjëse për edukimin e tyre shpirtëror dhe për të krijuar në shtëpi një atmosferë plot dashuri e përkujdesje për ta. Etërit kanë parësisht, por dhe ata jo ekskluzivisht, përgjegjësinë për mirëqenien financiare të familjes dhe për shkollimin e fëmijëve.

Standardet e moralit vetjak që mbështesin mësimet Bahá'í dënojnë shumë prej faktorëve që ndikojnë në prishjen e familjeve. Alkoholi u ndalohet Bahá'í-ve, po ashtu si dhe drogat që turbullojnë mendjen. Asnjë lloj dhune ose abuzimi nuk duhet toleruar asnjëherë brenda familjes. Sipas shkrimeve të shenjta Bahá'í:

Integriteti i lidhjes familjare duhet
mbajtur vazhdimisht parasysh dhe të
drejtat e pjesëtarëve individualë nuk
duhet të shkelen.

Edhe pse shkurajohet fort nga Bahá'u'lláh-u, shkurorëzimi është i lejuar mbi bazën e antipatisë midis burrit e gruas. Ai mund të lejohet vetëm pas një viti pritjeje, gjatë cilit çifti jeton i ndarë dhe bën të gjitha përpjekjet për t'i pajtuar mosmarrëvëshjet. Të mbrojtur nga vendimet e shpejtuara e nga emocionet e nxituara,

____________________________________________________________________________________

"Integriteti i lidhjes familjare duhet
mbajtur vazhdimisht parasysh
dhe të drejtat e pjesëtarëve individualë
nuk duhet të shkelen".

____________________________________________________________________________________

shumë çifte janë në gjendje t'i rindërtojnë martesat e tyre pas këtij viti reflektimi. Por në qoftë se pajtimi del se është i pamundur, çifti mund të shkurorëzohet.

BARAZIA E SEKSEVE

Parimi i barazisë midis burrave e grave po i transformon marrëdhëniet brenda martesave Bahá'í. Pikërisht sepse janë partnerë të barabartë, një status që mishërohet në betimin martesor identik, as burri as gruaja nuk mund të sundojë. Marrja e vendimeve u takon të dyve.

Kurdoherë atmosfera brenda familjes dhe brenda komunitetit në tërësi duhet të shprehë "jo pushtet arbitrar, por frymën e një konsultimi të sinqertë e mirëdashës".

Parimet Bahá'í të konsultimit janë mjete për diskutim të hapur, të ndershëm e me takt të çdo problemi që lind brenda familjes. Qëllimi është të lejohet që "e vërteta të zbulohet" në një mënyrë që e zgjidh problemin në të mirë të të gjithëve. Kur përdoret nga një çift ose një familje, konsultimi është një mjet i fuqishëm për të ruajtur unitetin.

Njohja e barazisë dhe përdorimi i konsultimit lejojnë që elasticiteti i burrit e i gruas t'u përgjigjen kërkesave të një bote që ndryshon me shpejtësi. Edhe pse gratë dhe burrat kanë aftësi e funksione plotësuese në disa drejtime, rolet nuk janë të ndara në mënyrë të ngurtë dhe mund të rregullohen, po qe nevoja, për t'iu përgjigjur nevojave të çdo pjesëtari të familjes e të familjes në tërësi. Ndërsa gratë inkurajohen të ndjekin karrierat e tyre, kjo bëhet në një mënyrë të tillë që të mos mos vijë në konflikt me rolin e tyre si nëna. Dhe etërit nuk përjashtohen nga detyrat shtëpijake e të rritjes së fëmijëve.

____________________________________________________________________________________

"Parimet Bahá'í të konsultimit janë mjete
për diskutim të hapur, të ndershëm e me
takt të çdo problemi që lind brenda familjes".

____________________________________________________________________________________

Kur marrëdhëniet brenda familjes trajtohen me kujdesin e duhur për drejtësi, ky është një faktor i rëndësishëm për të sjellë paqe në botë. Kur grave u mohohet barazia dhe respekti në familje, te burrat e djemtë zhvillohen qëndrime të dëmshme, të cilat ata i çojnë në vendin e punës, në jetën politike e më në fund në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sa më shumë fëmijët rriten në familje ku të drejtat e të gjithë pjesëtarëve respektohen dhe problemet zgjidhen me anë të konsultimit, perspektivat e paqes në botë përmirësohen.

EDUKIMI DHE FAMILJA

Megjithëse fëmija merr edukim zyrtar në shkollë, por në shtëpi zhvillohet karakteri dhe formohen sjelljet morale e shpirtërore. Prandaj "familjes duhet t'i mësohen të gjitha virtytet". Durimi, besnikëria, besueshmëria, drejtësia, ndershmëria - të tilla virtyte përbëjnë gurët e ndërtimit të karakterit. Virtytet, të quajtura nga të gjitha traditat e shenjta si elementet e përbashkëta të shpirtësisë, janë pasqyrimi i Hyjnisë në çdo person.

Ndërsa ushqejnë cilësitë e vlerat më të larta në çdo pjesëtar të familjes, prindërit duhet të kujdesen gjithashtu për zhvillimin e integruar të të gjitha aftësive të fëmijëve të tyre - shpirtërore, morale, mendore, emocionale dhe fizike. Prandaj, vajzat dhe djemtë duhet të shkollohen sipas të njëjtit program bazë. Në qoftë se mjetet e kufizuara detyrojnë të bëhet një zgjedhje, vajzat, si stërvitëset potenciale të brezit të ardhshëm, duhet të gëzojnë me përparësi të drejtën për shkollim kundrejt djemve.

FAMILJA DHE KOMUNITETI

Besimi Bahá'í ka mbi 17,000 komunitete lokale të organizuara në më shumë se 200 vende të pavarura e territore. Këto komunitete veprojnë në njëfarë mënyre si familje të gjera.

Bahá'í-të vijnë nga të gjitha kombet, grupet etnike, kulturat, profesionet e klasat. Megjithëse ceremonitë e martesës Bahá'í ndryshojnë gjerësisht nga njëra kulturë në tjetrën, ligjet dhe betimet e martesës janë universale dhe zbatohen qoftë kur partnerët janë Bahá'í ose jo. Bahá'í-të anembanë botës po e shohin se parimet e ligjet që i japin një formë të dalluar jetës familjare Bahá'í çojnë në dashuri e unitet.

KONKLUZION

Me vënien gradualisht në jetë të parimeve të mësipërme anembanë botës, po krijohen familje që janë në gjendje të luajnë një rol në ndërtimin e një shoqërie botërore të bashkuar. Sepse lidhja midis familjes, kombit dhe një qytetërimi botëror të destinuar për të ardhur është e pashmangshme:

____________________________________________________________________________________

Kur marrëdhëniet brenda familjes trajtohen
me kujdesin e duhur për drejtësi,
ky është një faktor i rëndësishëm
për të sjellë paqe në botë.

____________________________________________________________________________________

Krahasoji kombet e botës me pjesëtarët e një
familjeje. Familja është një komb në miniaturë.
Thjesht zgjeroje rrethin e shtëpisë dhe ke
kombin. Zgjeroje rrethin e kombeve dhe ke
mbarë njerëzimin.
* Të gjitha citatet janë nga Shkrimet Bahá'í