Mirëqenia e njerëzimit

Statements

Mirëqenia e njerëzimit

Një deklaratë të përgatitur nga Zyra e Komunitetit Bahá'í Ndërkombëtare të Informimit Publik, Haifa, shpërndarë së pari në Samitin Botëror të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Social, Kopenhagë, Danimarkë.

Copenhagen, Denmark—3 March 1995

Të dashur miq,

Ndërsa shekulli i njëzetë po i afrohet me shpejtësi fundit, ka një përshpejtim të theksuar në përpjekjet e qeverive e të popujve për të arritur një kuptim të përbashkët për çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e njerëzimit. Konferenca për Mjedisin dhe Zhvillimin e vitit 1992, e mbajtur në Rio de Zhaneiro, Konferenca Botërore për të Drejtat e Njeriut e vitit 1993 në Vienë, Konferenca Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin e vitit 1994 në Kajro, Mbledhja e ardhme e Nivelit të Lartë për Zhvillimin Shoqëror e marsit 1995 në Kopenhagen, që do të pasohet në shtator nga Konferenca e Katërt Botërore për Gratë në Pekin, janë tregues të spikatur të këtij përshpejtimi. Këto ngjarje janë si pllaka që kurorëzojnë mijëra veprimtari që kryhen në pjesë të ndryshme të botës, duke vënë në lëvizje një gamë të gjerë organizatash e rrjetesh joqeveritare në një kërkim të ngutshëm për vlera, ide e masa praktike, të cilat mund të hapin perspektiva për zhvillimin paqësor të të gjithë popujve. Në këto përpjekje mund të shquhet momenti i pjekjes i një uniteti mendimi që po lind në punët botërore, realizimin e të cilit shkrimet tona të shenjta e cilësojnë si njërën nga dritat e unitetit që do të ndriçojnë rrugën drejt paqes. Bahá'í-të anembanë botës, sigurisht, marrin zemër nga rryma të tilla shpresëdhënëse dhe do të vazhdojnë gjithnjë e më shumë t'u japin këtyre mbështetje morale e praktike, me aq sa e lejojnë mundësitë.

Duke pasur parasysh vëmendjen intensive që u kushtohet çështjeve të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik qysh nga koha e Takimit të Nivelit të Lartë në Brazil, ne i kërkuam Zyrës së Informimit Publik të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í të përgatisë një deklaratë rreth konceptit të mirëqenies globale në kontekstin e Mësimeve Bahá'í. Kjo deklaratë është tani e gatshme për t'u shpërndarë. Prandaj kemi kënaqësinë e madhe t'i dërgojmë bashkangjitur secilës prej jush një kopje të "Mirëqenia e Njerëzimit" dhe t'ju rekomandojmë ta përdorni atë në veprimtari që ju japin mundësi të bashkëveproni me qeveri, me organizata e me njerëzit kudo. Kemi bindjen se deklarata do t'ju ndihmojë të nxitni kuptimin e kësaj çështjeje të rëndësishme në anëtarët e komuniteteve tuaja dhe të gjallëroni kështu ndihmesën e tyre për proceset shoqërore konstruktive që po kryhen anembanë planetit.

Me përshëndetje Bahá'í plot dashuri,
Shtëpia Universale e Drejtësisë
Aneks
MIRËQENIA
E NJERËZIMIT

Forca e vullnetit që kërkohet për të kapërcyer barrierat që kanë mbetur, të cilat blokojnë realizimin e ëndrrës shumëshekullore për paqe të përbotshme, duhet stimuluar me një perspektivë begatie të njerëzimit në kuptimin e plotë të kësaj fjale, duke zgjuar vetëdijen për mundësitë e mirëqenies shpirtërore e materiale të të gjithë banorëve të planetit.

Në përmasa që një dhjetëvjeçar më parë as që mund të merreshin me mend, ideali i paqes botërore po merr formë e brendi. Pengesa që për një kohë të gjatë dukeshin të palëkundshme janë shembur në rrugën e njerëzimit; konflikte që në pamje të jashtme dukeshin të papajtueshme kanë filluar t'ua lëshojnë vendin proceseve të konsultimit e të zgjidhjes; po lind dëshira për t'iu kundërvënë agresionit ushtarak nëpërmjet veprimit të bashkuar ndërkombëtar. Rrjedhoja ka qenë zgjimi si te masat e njerëzimit dhe te shumë udhëheqës botërorë i njëfarë shprese për të ardhmen e planetit tonë, e cila gati qe shuar.

Anembanë botës, energji kolosale intelektuale e shpirtërore kërkojnë shprehje dhe presioni që ato ushtrojnë është në përpjesëtim të drejtë me zhgënjimin e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Kudo po shtohen shenjat që tregojnë se popujt e botës dëshirojnë me të madhe që t'u jepet fund konflikteve, vuajtjeve e rrënimit, nga të cilat asnjë vend nuk është më i paprekshëm. Këto shtysa për ndryshim që po lindin duhen kapur e kanalizuar për të kapërcyer barrierat që kanë mbetur, të cilat blokojnë realizimin e ëndrrës shumëshekullore për paqe të përbotshme. Përmbushja e një detyre të tillë kërkon një forcë vullneti që nuk mund të krijohet thjesht me thirrje për të luftuar kundër sëmundjeve të panumërta nga të cilat vuan shoqëria. Ajo duhet stimuluar me një perspektivë begatie të njerëzimit në kuptimin e plotë të kësaj fjale, duke zgjuar vetëdijen për mundësitë e mirëqenies shpirtërore e materiale që tani është bërë e arritshme. Prej saj duhet të përfitojnë të gjithë banorët e planetit, pa dallim, pa imponuar kushte që nuk lidhen me qëllimet themelore të një riorganizimi të tillë të punëve njerëzore.

Nuk është realiste të mendosh se vizioni i etapës së ardhshme të zhvillimit të qytetërimit mund të formulohet pa një rishikim të thelluar të mendimeve mbizotëruese rreth natyrës e qëllimit të procesit të zhvillimit dhe roleve që u janë caktuar në të protagonistëve të ndryshëm.

Deri më sot Historia ka regjistruar kryesisht përvojën e fiseve, të kulturave, të klasave dhe të kombeve. Me bashkimin fizik të planetit në këtë shekull dhe me njohjen e ndërvarësisë së të gjithë banorëve të tij, po fillon tani historia e njerëzimit si një popull i vetëm. Procesi i gjatë e i ngadaltë i qytetërimit të karakterit njerëzor ka qenë një zhvillim sporadik, jo i sheshtë dhe, duhet pranuar, i padrejtë përsa i përket shpërndarjes së avantazheve materiale. Megjithatë, të pasuruar me tërë diversitetin gjenetik e kulturor që është zhvilluar gjatë epokave të kaluara, banorët e tokës ndodhen tani para sfidës që të përdorin trashëgimin e tyre të përbashkët për të marrë, në mënyrë të ndërgjegjshme e sistematikisht, përgjegjësinë për ndërtimin e së ardhmes së tyre.

Nuk është realiste të mendosh se vizioni i etapës së ardhshme të zhvillimit të qytetërimit mund të formulohet pa një rishikim të thelluar të atyre qëndrimeve e postulateve që qëndrojnë sot në themel të trajtimeve që i bëhen zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Eshtë fare e qartë se do të duhet të rimendohen çështjet më praktike të politikës, përdorimi i burimeve, procedurat e planifikimit, metodat e zbatimit dhe problemet e organizimit. Sidoqoftë, duke vepruar kështu, nuk do të vonojnë të dalin probleme nga më themeloret: lidhur me qëllimet afatgjata që duhen ndjekur, me strukturat shoqërore që kërkohen, me ndikimin e parimeve të drejtësisë shoqërore mbi zhvillimin dhe lidhur me natyrën e rolin e dijes për vënien në jetë të një ndryshimi të qëndrueshëm. Me të vërtetë, një rishqyrtim i tillë do të çojë në kërkimin e një konsensusi të gjerë mbi kuptimin e vetë natyrës njerëzore.

Dy rrugë diskutimi hapen drejtpërsëdrejti për të gjitha këto çështje, konceptuale ose praktike qofshin, dhe pikërisht në këto dy rrugë ne dëshirojmë të analizojmë në faqet që vijojnë çështjen e një strategjie të zhvillimit global. Rruga e parë ka të bëjë me mendimet mbizotëruese rreth natyrës e qëllimit të procesit të zhvillimit; e dyta ka të bëjë me rolet që u janë caktuar në të protagonistëve të ndryshëm.

Supozimet që drejtojnë shumë nga sistemet e sotme të planifikimit janë thelbësisht materialiste. Domethënë, qëllimi i zhvillimit është përcaktuar si kultivim me sukses, në të gjitha shoqëritë, i atyre mjeteve për arritjen e mirëqenies materiale, të cilat, përmes sprovash e gabimesh, kanë karakterizuar tashmë disa rajone të botës. Vërtet në gjykimet për zhvillimin kanë ndodhur ndryshime, për t'iu përshtatur dallimeve në kulturë e në sistemet politike dhe për të reaguar ndaj rreziqeve alarmante që shtron degradimi i mjedisit. Megjithatë, supozimet materialiste që qëndrojnë në themel kanë mbetur thelbësisht të paprekura.

Në qoftë se është e vërtetë që qeveritë e botës po përpiqen me ndërmjetësinë e Kombeve të Bashkuara të ndërtojnë një rend të ri botëror, është po aq e vërtetë që popujt e botës janë elektrizuar nga kjo perspektivë.

Ndërsa shekulli i njëzetë po i afrohet fundit, nuk është më e mundur të ruhet besimi se ai trajtim i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik që ka krijuar koncepti materialist i jetës është në gjendje t'u përgjigjet nevojave të njerëzimit. Parashikimet optimiste për ndryshimet që ai do të mund të sillte janë zhdukur në humnerën gjithnjë e më të gjerë që ndan nivelet e jetesës të një pakice të vogël të banorëve të botës, pakicë që shkon relativisht duke u pakësuar më tej, nga varfëria që provon në kurrizin e vet shumica dërrmuese e popullsisë së globit.

Kjo krizë ekonomike pa precedent, bashkë me rënien sociale që ajo ka ndihmuar të krijohet, pasqyron një gabim të thellë konceptimi lidhur me vetë natyrën njerëzore. Në fakt, reagimet e qenieve njerëzore ndaj shtytjeve të rendit mbizotërues jo vetëm janë të papërshtatshme, por duken pothuajse të papërfillshme përballë ngjarjeve që zhvillohen në botë. Kjo tregon që, në rast se zhvillimi i shoqërisë nuk gjen një objektiv që shkon tej përmirësimit të thjeshtë të kushteve materiale, ai nuk do të arrijë dot as këtë synim. Ky qëllim duhet kërkuar në dimensionin shpirtëror të jetës, si dhe në një motivim që i kapërcen kufijt e një peizazhi ekonomik në ndryshim të përhershëm dhe të një ndarjeje të imponuar artificialisht të shoqërive njerëzore në "të zhvilluara" e "në zhvillim".

Ndërsa ripërcaktohet qëllimi i zhvillimit, do të jetë gjithashtu e nevojshme të rishqyrtohen konceptet lidhur me rolet e përshtatshme që duhet të luajnë protagonistët në këtë proces. Nuk ka nevojë të ndalemi në rolin shumë të rëndësishëm të pushtetit publik, të çfarëdo niveli. Por brezat e ardhshëm do ta gjejnë pothuaj të pakuptueshëm faktin që, në një epokë që i paguan haraç një filozofie egalitariste e parimeve demokratike që lidhen me të, planifikimi i zhvillimit i sheh masat e gjera të njerëzimit thelbësisht si përfituese nga ndihmat e stërvitja. Edhe pse pjesëmarrja njihet si parim, caku i marrjes së vendimeve që i është lënë shumicës së popullsive të botës është në rastin më të mirë dytësor, i kufizuar në zgjedhjen e një vargu veprimesh të formuluara nga organizma që janë larg këtyre popullsive dhe të përcaktuara nga qëllime që shpesh nuk përputhen me kuptimin e realitetit nga ana e tyre.

Ky trajtim mbështetet madje, si diçka që nënkuptohet në mos në mënyrë të hapur, nga feja e vendosur atje. I rënduar nga tradita paternalizmi, mendimi fetar mbizotërues duket se nuk është në gjendje ta kthejë një besim që shprehet në dimensionet shpirtërore të natyrës njerëzore në besim ndaj aftësisë kolektive të njerëzimit për të kapërcyer kushtet materiale.

Parimi bazë i një strategjie që mund ta angazhojë popullsinë e botës të marrë mbi vete përgjegjësinë për fatin e saj të përbashkët duhet të jetë vetëdija për njëshmërinë e njerëzimit.

Një qëndrim i tillë nuk kap rëndësinë e asaj që është me sa duket fenomeni shoqëror më i rëndësishëm i kohës sonë. Në qoftë se është e vërtetë që qeveritë e botës po përpiqen me ndërmjetësinë e Kombeve të Bashkuara të ndërtojnë një rend të ri botëror, është po aq e vërtetë që popujt e botës janë elektrizuar nga kjo perspektivë. Reagimi i tyre ka marrë formën e një lulëzimi të menjëhershëm të lëvizjeve e organizatave të panumërta për ndryshim shoqëror në nivel lokal, rajonal e ndërkombëtar. Të drejtat e njeriut, përparimi i grave, kërkesat shoqërore të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, kapërcimi i paragjykimeve, edukimi moral i fëmijëve, të mësuarit shkrim e këndim, kujdesi elementar për shëndetin dhe një mori shqetësimesh të tjera jetësore, të gjitha këto kërkojnë përkrahjen e ngutshme të organizatave në të cilat militojnë një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në çdo anë të globit.

Ky reagim i vetë popujve të botës ndaj nevojave të ngutshme të epokës i bën jehonë thirrjes që Bahá'u'lláh-u ka lëshuar mbi njëqind vjet më parë: "Kushtojini kujdesin më të madh halleve të epokës në të cilën jetoni dhe i përqëndroni diskutimet tuaja në kërkesat e nevojat e saj". Ndryshimi në mënyrën sesi një numër i madh njerëzish të thjeshtë po arrijnë ta shohin vetveten - një ndryshim kaq i papritur në perspektivën e historisë së qytetërimit - ngren çështje themelore përsa i përket rolit që i është caktuar njerëzimit në tërësi në planifikimin e së ardhmes së planetit tonë.

"Kushtojini kujdesin më të madh
halleve të epokës në të cilën
jetoni dhe i përqëndroni diskutimet
tuaja në kërkesat e nevojat e saj".
- Bahá'u'lláh
I

Parimi bazë i një strategjie që mund ta angazhojë popullsinë e botës të marrë mbi vete përgjegjësinë për fatin e saj të përbashkët duhet të jetë vetëdija për njëshmërinë e njerëzimit. E thjeshtë në dukje në arsyetimin e zakonshëm, koncepti që njerëzimi përbën një popull të vetëm paraqet një sfidë themelore për mënyrën sesi shumica e institucioneve të shoqërisë së sotme i kryejnë funksionet e tyre. Qoftë në formën e strukturës kundërvënëse të qeverisjes civile, të parimit të mbrojtjes që përshkon shumicën e ligjeve civile, të apologjisë së luftës midis klasave e grupeve të tjera shoqërore, ose në formën e shpirtit të konkurencës që dominon shumë aspekte të jetës së sotme, konflikti është pranuar si forca shtytëse kryesore e marrëdhënieve njerëzore. Ai përfaqëson madje, në fushën e organizimit shoqëror, një tjetër shprehje të interpretimit materialist të jetës, që është imponuar hap pas hapi gjatë dy shekujve të fundit.

Duke qenë se raportet midis individit e shoqërisë janë reciproke, shndërrimi që kërkohet tani duhet të shfaqet njëkohësisht në ndërgjegjen njerëzore dhe në strukturën e institucioneve shoqërore.

Në një letër drejtuar Mbretëreshës Viktoria më shumë se një shekull më parë, dhe duke përdorur një analogji që tregon modelin e vetëm që jep një premtim bindës për organizimin e një shoqërie planetare, Bahá'u'lláh-u e krahasonte botën me trupin e njeriut. Me të vërtetë, në botën e dukurive nuk ka ndonjë model tjetër të cilit të mund t'i referohemi në mënyrë të pranueshme. Shoqëria njerëzore është e përbërë jo nga një masë qelizash thjesht të diferencuara, por nga grumbullime individësh, çdonjëri prej të cilëve është i pajisur me inteligjencë e vullnet; megjithatë, mënyrat e veprimit që karakterizojnë natyrën biologjike të njeriut pasqyrojnë disa parime themelore të qënies. Kryesori ndër ta është ai i unitetit në diversitet. Sado të duket paradoksale, janë pikërisht tërësia dhe kompleksiteti i ndërtimit të trupit njerëzor - dhe integrimi i përsosur në të i qelizave të trupit - ato që lejojnë realizimin e plotë të aftësive të ndryshme që përmbahen në secilin prej këtyre elementëve përbërës. Asnjë qelizë nuk jeton e veçuar nga trupi, qoftë për kontributin që jep në funksionimin e trupit në tërësi ose për të marrë pjesën e vet nga mirëqenia e së tërës. Mirëqenia fizike e arritur kështu e gjen qëllimin e vet duke bërë të mundur shprehjen e ndërgjegjes njerëzore; me fjalë të tjera, qëllimi i zhvillimit biologjik e kapërcen ekzistencën e thjeshtë të trupit e të pjesëve të tij.

Ajo që është e vërtetë për jetën e individit ka paralelet e veta në shoqërinë njerëzore. Gjinia njerëzore është një e tërë organike, është pika e avancuar e procesit evolucionar. Që ndërgjegja njerëzore vepron domosdoshmërisht përmes një diversiteti të pafund mendjesh e motivesh individuale, kjo nuk e largon aspak atë nga uniteti i saj thelbësor. Në fakt, është pikërisht një diversitet i brendshëm që e dallon unitetin nga homogjeniteti apo uniformiteti. Ajo që po përjetojnë sot popujt e botës, ka thënë Bahá'u'lláh-u, është arritja kolektive e moshës së pjekurisë, dhe pikërisht nga lindja e kësaj pjekurie të racës njerëzore parimi i unitetit në diversitet do të gjejë shprehjen e vet të plotë. Që prej konsolidimit të jetës familiare, në fillimet e veta më të hershme, procesi i organizimit shoqëror ka lëvizur hap pas hapi nga strukturat e thjeshta të klanit e të fisit, përmes formash të shumta të shoqërisë urbane, në lindjen më në fund të kombit-shtet, duke hapur secili stad një larmi mundësish të reja për ushtrimin e kapacitetit njerëzor.

Eshtë e qartë që përparimi i racës njerëzore nuk është bërë në kurriz të individualitetit njerëzor. Krahas rritjes së organizimit shoqëror, është rritur edhe sfera e shprehjes së aftësive që ekzistojnë brenda çdo qenieje njerëzore. Duke qenë se raportet midis individit e shoqërisë janë reciproke, shndërrimi që kërkohet tani duhet të shfaqet njëkohësisht në ndërgjegjen njerëzore dhe në strukturën e institucioneve shoqërore. Pikërisht në mundësitë që krijon ky proces i dyfishtë ndryshimi duhet kërkuar objektivi i një strategjie të zhvillimit botëror. Në këtë stad vendimtar të historisë, ky objektiv duhet të jetë hedhja e themeleve të qëndrueshme, mbi të cilat qytetërimi planetar mund të marrë gradualisht formë.

Drejtësia është e vetmja forcë që mund ta kthejë lindjen e vetëdijës mbi njëshmërinë e njerëzimit në vullnet kolektiv, përmes të cilit mund të ngrihen qetësisht strukturat e nevojshme të jetës komunitare të përbotshme.

Hedhja e themeleve për një qytetërim botëror kërkon krijimin e ligjeve e të institucioneve universale si nga natyra dhe nga rëndësia e tyre. Përpjekja mund të fillojë vetëm kur koncepti i njëshmërisë së njerëzimit të jetë përqafuar me gjithë zemër nga ata që kanë përgjegjësinë për marrjen e vendimeve dhe kur parimet që lidhen me këtë të jenë përhapur si përmes sistemeve edukative dhe mjeteve të komunikimit masiv. Sapo të jetë kapërcyer ky prag, do të vihet në lëvizje një proces, përmes të cilit popujt e botës mund të tërhiqen në detyrën e formulimit të qëllimeve të përbashkëta dhe të angazhohen për arritjen e tyre. Vetëm një riorientim i tillë themelor mundet gjithashtu t'i mbrojë ata nga demonët shekullorë të konflikteve etnike e fetare. Vetëm përmes agimit të vetëdijës se ata përbëjnë një popull të vetëm, banorët e planetit do të jenë në gjendje të largohen nga skemat e konfliktit që kanë sunduar organizimin shoqëror në të kaluraën dhe të fillojnë të mësojnë rrugët e bashkëpunimit e të pajtimit. "Mirëqenia e njerëzimit", shkruan Bahá'u'lláh-u, "paqja dhe siguria e tij janë të paarritshme, në qoftë se e përderisa nuk do të jetë vendosur në mënyrë të patundur uniteti i tij".

"Mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe
siguria e tij janë të paarritshme,
në qoftë se e përderisa nuk do të
jetë vendosur në mënyrë të patundur
uniteti i tij".
- Bahá'u'lláh
II

Drejtësia është e vetmja forcë që mund ta kthejë lindjen e vetëdijës mbi njëshmërinë e njerëzimit në vullnet kolektiv, përmes të cilit mund të ngrihen qetësisht strukturat e nevojshme të jetës komunitare të përbotshme. Në një epokë që i sheh popujt e botës gjithnjë e më pranë informacionit të çdo lloji e diversitetit të ideve, drejtësia do të afirmohet si parimi udhëheqës i një organizimi shoqëror të suksesshëm. Madje gjithnjë e më shpesh, propozime që synojnë zhvillimin e planetit do të duhet të filtrohen në dritën e kulluar të standardeve që ajo kërkon.

Drejtësia është shprehja praktike e vetëdijës që në arritjen e progresit njerëzor interesat e individit dhe ato të shoqërisë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme.

Në nivelin e individit, drejtësia është ajo dhunti e shpirtit njerëzor që e bën personin të aftë të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra. Në sytë e Perëndisë, pohon Bahá'u'lláh-u, drejtësia është "më e shumëdashura e të gjitha gjërave", sepse ajo i lejon çdo individi të shohë me sytë e vet e jo me sytë e të tjerëve, të njohë përmes dijes së vet e jo dijes së të afërmit ose të grupit të tij. Ajo kërkon paanësi gjykimi, barazi në trajtimin e të tjerëve; ajo është, pra, një shoqe e përhershme, edhe pse kërkuese, në çdo veprim të përditshëm të jetës sonë.

Në nivelin e grupit, kujdesi për drejtësinë është busulla e domosdoshme në marrjen kolektive të vendimeve, sepse ajo është i vetmi mjet për të arritur unitetin e mendimit e të veprimit. Në vend që të nxitë shpirtin e dënimit, që është maskuar shpesh nën emrin e saj në epokat e kaluara, drejtësia është shprehja praktike e vetëdijës që në arritjen e progresit njerëzor interesat e individit dhe ato të shoqërisë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. Në atë masë që drejtësia bëhet një kriter drejtues i marrëdhënieve njerëzore, kjo nxit një klimë konsultimi, e cila lejon të shqyrtohen me gjakftohësi alternativat dhe të zgjidhen rrugë të përshtatshme veprimi. Në një klimë të tillë, prirjet e përhershme drejt manipulimit e anësisë ka më pak të ngjarë të devijojnë procesin e marrjes së vendimeve.

Rrjedhojat për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik janë të thella. Kujdesi për drejtësinë e mbron detyrën e përcaktimit të progresit nga tundimi për të sakrifikuar mirëqenien e njerëzimit në përgjithësi - madje të vetë planetit - për hir të avantazheve që përparimet tekonologjike mund t'u sigurojnë pakicave të privilegjuara. Në projektim e planifikim, ajo nuk lejon që rezervat e kufizuara të devijohen në favor të projekteve që janë të huaja për përparësitë shoqërore ose ekonomike thelbësore të një komuniteti. Mbi të gjitha, vetëm programet e zhvillimit që shihet se u përgjigjen nevojave të tyre dhe që janë të drejta e të paanshme në objektivat që ndjekin mund të shpresojnë të tërheqin masat e njerëzimit, nga të cilat varet vënia e tyre në jetë. Sikur të gjithë pjesëtarët e shoqërisë - madje të gjitha grupet që e përbëjnë - të siguroheshin se ka rregulla që i mbrojnë dhe se të gjithë do të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga frytet e shpresuara, ata do të shfaqnin cilësitë e ndershmërisë, të zellit në punë e të shpirtit të kooperimit, të nevojshme për realizimin e objektivave kolektive tepër kërkuese.

Kujdesi që çdo qenie njerëzore të gëzojë lirinë e mendimit e të veprimit, që çon në rritjen personale të tij ose të saj, nuk përligj kultin e individualizmit, i cili prish aq thellë shumë fusha të jetës së sotme.

Çështja e të drejtave të njeriut qëndron, pra, në qendër të diskutimit për një strategji të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Konceptimi i një strategjie të tillë kërkon që stimulimi i të drejtave të njeriut të çlirohet nga dara e dihotomive [ndarje në dy pjesë - shën.i përkth.] të rrema që i kanë mbajtur peng për një kohë aq të gjatë këto të drejta. Kujdesi që çdo qenie njerëzore të gëzojë lirinë e mendimit e të veprimit, që çon në rritjen personale të tij ose të saj, nuk përligj kultin e individualizmit, i cili prish aq thellë shumë fusha të jetës së sotme. Dhe as kërkon kujdesi për të siguruar mirëqenien e shoqërisë në tërësi të hyjnizohet shteti si burimi i supozuar i mirëqenies së njerëzimit. Krejt në të kundërtën: historia e këtij shekulli tregon tepër qartë se ideologji të tilla dhe programet e anshme që ato nxisin kanë qenë ato vetë armiqtë kryesorë të interesave që pretendojnë se u shërbejnë. Vetëm në një kuadër konsultativ, që bëhet i mundur nga vetëdija e unitetit organik të njerëzimit, mund të gjejnë shprehje të ligjshme e krijuese të gjitha aspektet e çështjes së të drejtave të njeriut.

Sot, organizmi të cilit i takon detyra për të krijuar këtë kuadër dhe për ta mbrojtur stimulimin e të drejtave të njeriut nga ata që do të donin ta shfrytëzonin është sistemi i institucioneve ndërkombëtare, të lindura nga tragjeditë e dy luftërave botërore shkatërrimtare dhe nga përjetimi i rënies ekonomike mbarëbotërore. Eshtë kuptimplotë që termi "të drejtat e njeriut" ka hyrë në përdorim të përgjithshëm vetëm që nga shpallja e Kartës së Kombeve të Bashkuara më 1945 dhe adoptimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut tre vjet më vonë. Në këto dokumente historike është njohur zyrtarisht se vendosja e paqes botërore duhet të shkojë krah për krah me vendosjen e drejtësisë shoqërore. Fakti që Deklarata u pranua në Asamblenë e Përgjithshme pa asnjë votë kundër i dha asaj që në fillim një autoritet që është rritur në mënyrë të vazhdueshme në vitet e mëtejme.

Veprimtaria e lidhur më ngushtë me ndërgjegjen, që përbën tiparin dallues të natyrës njerëzore, është aftësia për të hetuar vetë ai ose ajo realitetin. Liria për të kërkuar qëllimin e qenies dhe për të zhvilluar ato dhunti të natyrës njerëzore që e bëjnë të mundur këtë duhet mbrojtur. Qeniet njerëzore duhet të jenë të lira të dinë. Që me një liri të tillë shpesh abuzohet dhe që një abuzim i tillë inkurajohet shumë nga disa tipare të shoqërisë së sotme, kjo nuk e zvogëlon aspak vlefshmërinë e vetë impulsit.

Eshtë ky impuls dallues i ndërgjegjes njerëzore që siguron imperativin moral për shpalljen e shumë prej të drejtave që përmbahen në Deklaratën Universale dhe në Marrëveshjet e lidhura me të. Arsimi universal, liria e lëvizjes, informacioni për të gjithë dhe mundësia për të marrë pjesë në jetën politike janë të gjitha aspekte të veprimit të tij që kërkojnë garanci të qarta nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo është e vërtetë edhe për lirinë e mendimit e të besimit, duke përfshirë lirinë fetare, krahas të drejtës për të pasur mendimet e veta e për t'i shprehur ato në mënyrë të përshtatshme.

Derisa trupi i njerëzimit është një e i pandarë, çdo pjesëtar i tij ka një angazhim që i është besuar qysh kur ka lindur në botë. Kjo përgjegjësi përbën themelin moral të shumë prej të drejtave të tjera - kryesisht ekonomike e shoqërore - që instrumentet e Kombeve të Bashkuara po përpiqen gjithashtu t'i përcaktojnë.

Derisa trupi i njerëzimit është një e i pandarë, çdo pjesëtar i tij ka një angazhim që i është besuar qysh kur ka lindur në botë. Kjo përgjegjësi përbën themelin moral të shumë prej të drejtave të tjera - kryesisht ekonomike e shoqërore - që instrumentet e Kombeve të Bashkuara po përpiqen gjithashtu t'i përcaktojnë. Sigurimi i familjes e i shtëpisë, zotërimi i pronës dhe e drejta e jetës private, të gjitha këto i nënkupton një përgjegjësi e tillë. Komuniteti, nga ana e tij, ka detyrime që të sigurojë punë, të kujdeset për shëndetin mendor e fizik, për sigurimin shoqëror, të sigurojë paga të mjaftueshme, çlodhjen e argëtimin, si dhe një mori shërbimesh të tjera që presin me të drejtë prej tij anëtarët individualë të shoqërisë.

Ky parim i përgjegjësisë kolektive nënkupton gjithashtu të drejtën e çdo personi për të pritur që ato kushte kulturore që janë thelbësore për identitetin e tij ose të saj të kenë mbrojtjen e ligjit kombëtar e ndërkombëtar. Ashtu si rezervuari gjenetik në jetën biologjike të njerëzimit e të mjedisit të tij, pasuria e paanë e diversitetit kulturor e arritur në mijëra vjet është jetësore për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një gjinie njerëzore që në tërësinë e saj po përjeton arritjen e moshës së pjekurisë. Ajo përfaqëson një trashëgim që duhet lejuar të japë frutet e veta në një qytetërim të përbotshëm. Nga njëra anë, shprehjet kulturore duhen mbrojtur që të mos mbyten nga ndikimet materialiste që tani janë mbizotëruese. Nga ana tjetër, kulturave duhet t'u jepet mundësia të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në modele qytetërimi që vazhdimisht ndryshojnë, të çliruara nga manipulimet për qëllime politike partiake.

"Drita e njerëzve", thotë Bahá'u'lláh-u, "është Drejtësia. Mos e shuani atë me erërat e kundërta të shtypjes e të tiranisë. Qëllimi i drejtësisë është shfaqja e unitetit në mes njerëzve. Oqeani i urtisë hyjnore gufon brenda kësaj fjale të lartësuar, ndërsa librat e botës nuk mund të bartin kuptimin e saj të brendshëm".

"Qëllimi i drejtësisë
është shfaqja e unitetit
në mes njerëzve".
- Bahá'u'lláh
III

Tekembramja, ristrukturimi ose transformimi i sistemit të Kombeve të Bashkuara do të çojë padyshim në krijimin e një federate botërore të kombeve me organet e veta ligjvënëse, gjyqësore dhe ekzekutive.

Që të drejtat e njeriut, të cilat komuniteti i kombeve është duke i përpunuar, të bëhen norma ndërkombëtare mbizotëruese, kërkohet një ripërcaktim themelor i marrëdhënieve njerëzore. Konceptet e sotme për atë që është e natyrshme dhe e përshtatshme në marrëdhëniet - ndërmjet vetë qenieve njerëzore, midis qenieve njerëzore e natyrës, midis individit e shoqërisë dhe midis pjesëtarëve të shoqërisë e institucioneve të saj - pasqyrojnë nivelet e të kuptuarit ku ka arritur gjinia njerëzore gjatë stadeve të mëparshme e më pak të pjekura të zhvillimit të saj. Në qoftë se njerëzimi po hyn me të vërtetë në moshën e pjekurisë, në qoftë se të gjithë banorët e planetit përbëjnë një popull të vetëm, në qoftë se drejtësia ka për t'u bërë parimi udhëheqës i organizimit shoqëror - atëherë konceptet ekzistuese të lindura nga mosnjohja e këtyre realiteteve që po krijohen duhen ndryshuar.

Lëvizja në këtë drejtim sapo ka filluar. Duke u shpalosur, ajo do të çojë në një kuptim të ri të natyrës së familjes dhe të të drejtave e përgjegjësive të secilit prej pjesëtarëve të saj. Ajo do ta shndërrojë tërësisht rolin e grave në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ajo do të ketë një efekt të konsiderueshëm në rindërtimin e qëndrimit të njerëzve ndaj punës dhe për kuptimin e vendit që duhet të zerë veprimtaria ekonomike në jetën e tyre. Ajo do të sjellë ndryshime të thella në qeverisjen e punëve njerëzore dhe në institucionet e krijuara për ta realizuar atë. Ajo do të ndikojë që organizatat joqeveritare, të cilat po përhapen me shpejtësi, të racionalizojnë gjithnjë e më shumë punën e tyre. Ajo do të çojë në krijimin e një legjislacioni detyrues si për mbrojtjen e mjedisit dhe për plotësimin e nevojave të zhvillimit të të gjithë popujve. Tekembramja, ristrukturimi ose transformimi i sistemit të Kombeve të Bashkuara, që kjo lëvizje po sjell tashmë, do të çojë padyshim në krijimin e një federate botërore të kombeve me organet e veta ligjvënëse, gjyqësore dhe ekzekutive.

Pika qendrore e detyrës së rikonceptimit të sistemit të marrëdhënieve njerëzore është procesi që Bahá'u'lláh-u e quan konsultim. "Në të gjitha gjërat është i nevojshëm konsultimi", është këshilla e Tij. "Pjekuria e dhuntisë së të kuptuarit shfaqet përmes konsultimit".

"Në të gjitha gjërat është
i nevojshëm konsultimi Pjekuria
e dhuntisë së të kuptuarit
shfaqet përmes konsultimit".
- Bahá'u'lláh

Tipi i kërkimit të së vërtetës që imponon ky proces shkon shumë përtej modeleve të bisedimeve e të kompromisit që priren të karakterizojnë debatin e sotëm rreth punëve njerëzore. Ai nuk mund të arrihet - në fakt arritja e tij pengohet ashpër - nga kultura e protestës, që është një tjetër tipar gjerësisht mbizotërues i shoqërisë së sotme. Debati, propaganda, metoda e kundërvënies, gjithë aparati i politikës partiake, që kanë qenë për një kohë të gjatë tipare të zakonshme të veprimit kolektiv, janë qenësisht të dëmshme për qëllimin e këtij kërkimi: domethënë për të arritur konsensus për realitetin e një situate të dhënë dhe për mënyrën më të urtë të veprimit midis alternativave që dalin në një moment të dhënë.

Zhvillimi i një shoqërie botërore do të kërkojë një shtrirje kolosale të mundësive për të marrë dije, si për individët dhe për organizatat shoqërore.

Ajo që rekomandon Bahá'u'lláh-u është një proces konsultimi ku çdo pjesëmarrës përpiqet të kapërcejë pikëpamjen e vet, me qëllim që të veprojë si pjesëtar i një organizmi që ka interesat e synimet e veta. Në një atmosferë të tillë çiltërsie e mirësjelljeje, idetë i takojnë jo individit që i ka përdorur ato gjatë diskutimeve, por grupit në tërësi, i cili i pranon, i hedh poshtë ose i ndryshon ato siç gjykon se i shërbejnë më mirë synimit që ndjek. Konsultimi ia arrin qëllimit kur të gjithë pjesëmarrësit mbështesin vendimet që janë arritur, pavarësisht nga mendimet me të cilat ata janë futur në diskutim. Në rrethana të tilla një vendim i mëparshëm mund të rishikohet me lehtësi në qoftë se përvoja tregon se ai ka të meta.

I parë në një dritë të tillë, konsultimi është shprehja vepruese e drejtësisë në punët njerëzore. Ai është kaq jetësor për suksesin e çdo ndërmarrjeje kolektive, saqë duhet të përbëjë një tipar bazë për një strategji të zhvillimit ekonomik e shoqëror që ka shanse t'ia dalë mbanë. Me të vërtetë, pjesëmarrja e njerëzve, nga angazhimi dhe përpjekjet e të cilëve varet suksesi i një strategjie të tillë, bëhet efektive kur konsultimi është bërë parimi organizues i çdo projekti. "Askush nuk mund të arrijë pozitën e tij të vërtetë", thekson Bahá'u'lláh-u, "veçse përmes drejtësisë së tij. Asnjë pushtet muk mund të ekzistojë, veçse përmes unitetit. Asnjë mirëqenie e mbrothësi nuk mund të arrihet, veçse përmes konsultimit".

IV

Detyrat që shtron zhvillimi i një shoqërie botërore kërkojnë të tilla nivele aftësie, të cilat shkojnë tej çdo gjëje që gjinia njerëzore ka qenë në gjendje të grumbullojë deri më sot. Arritja e këtyre niveleve do të kërkojë një shtrirje kolosale të mundësive për të marrë dije, si për individët dhe për organizatat shoqërore. Arsimi për të gjithë do të jetë një kontribues i domosdoshëm në këtë proces ndërtimi kapacitetesh, por kjo përpjekje do të ketë sukses vetëm nëse punët njerëzore do të riorganizohen në mënyrë të tillë që t'u japin mundësi individëve e grupeve në çdo sektor të shoqërisë të fitojnë njohuri dhe t'i aplikojnë ato në ndërtimin e punëve njerëzore.

Kronikat e historisë dëshmojnë se ndërgjegja njerëzore ka qenë e varur nga dy sisteme bazë dijesh, përmes të cilave janë shprehur hap pas hapi mundësitë e saj: nga shkenca dhe feja. Ato kanë vepruar si krijuesit e vërtetë të qytetërimit.

Kronikat e historisë dëshmojnë se ndërgjegja njerëzore ka qenë e varur nga dy sisteme bazë dijesh, përmes të cilave janë shprehur hap pas hapi mundësitë e saj: nga shkenca dhe feja. Përmes këtyre dy faktorëve, është organizuar përvoja e gjinisë njerëzore, është kuptuar mjedisi i saj, janë eksploruar fuqitë e saj të brendshme dhe janë disiplinuar morali dhe jeta e saj intelektuale. Ato kanë vepruar si krijuesit e vërtetë të qytetërimit. Në saje të retrospektivës, është për më tepër e qartë se efektiviteti i kësaj strukture të dyfishtë ka qenë më i madh gjatë atyre periudhave kur feja dhe shkenca, secila në sferën e vet, kanë qenë në gjendje të punojnë në mirëkuptim.

Duke pasur parasysh respektin pothuajse universal që gëzon shkenca në kohën e sotme, kredencialet e saj nuk kanë nevojë për argumentim. Në kontekstin e një strategjie të zhvillimit shoqëror e ekonomik, problemi është më tepër si të organizohet veprimtaria shkencore e teknologjike. Në qoftë se kjo punë shihet kryesisht si fushë e rezervuar për elita të caktuara që jetojnë në një numër të vogël kombesh, është e qartë se hendeku kolosal që një organizim i tillë ka krijuar tashmë midis të pasurve e të varfërve të botës do të vazhdojë të thellohet, duke sjellë ato pasoja rrënuese për ekonominë botërore që kemi vënë në dukje. Me të vërtetë, në qoftë se shumica e njerëzimit do të vazhdojë të shihet kryesisht si përdoruese e produkteve të shkencës e të teknologjisë të krijuara diku gjetkë, atëherë programet e caktuara për t'u shërbyer nevojave të njerëzimit zor se mund të quhen "zhvillim".

Prandaj, një sfidë tepër e rëndësishme - dhe kolosale - është rritja e veprimtarisë shkencore e teknologjike. Instrumente kaq të fuqishme të ndryshimit shoqëror e ekonomik nuk duhet të jenë më pronë e pjesëve të privilegjuara të shoqërisë, por të organizohen në mënyrë të tillë që t'u lejojë të gjithëve të marrin pjesë në një veprimtari të tillë mbi bazën e aftësive. Veç hartimit të programeve që e bëjnë shkollimin e nevojshëm të arritshëm për të gjithë ata që janë të aftë të përfitojnë prej tij, një riorganizim i tillë do të kërkojë krijimin e qendrave efektive të të mësuarit anembanë botës, si institucione që do të rritin mundësitë e popujve të botës për të marrë pjesë në krijimin dhe aplikimin e dijeve. Strategjia e zhvillimit, ndërsa njeh dallimet e gjera të aftësisë individuale, duhet të shtrojë si një objektiv themelor detyrën që t'u japë mundësi të gjithë banorëve të tokës t'u futen mbi një bazë të barabartë proceseve të shkencës e të teknologjisë, të cilat janë një e drejtë e lindur e përbashkët e tyre. Argumentet e zakonshme për ruajtjen e statukuosë bëhen çdo ditë e më pak të pranueshëm, nga që zhvillimi i përshpejtuar i teknologjive të komunikimit e sjell tani informacionin e formimin pranë një numri shumë të madh njerëzish në botë, kudo që mund të jenë ata dhe cilado qoftë prejardhja e tyre kulturore.

Për shumicën dërrmuese të popullsisë së botës, ideja se natyra njerëzore ka një dimension shpirtëror - në fakt identiteti themelor i saj është shpirtëror - është një e vërtetë që nuk ka nevojë të provohet.

Sfidat me të cilat ndeshet njerëzimi në jetën e tij fetare, edhe pse të ndryshme nga karakteri, janë po aq të vështira. Për shumicën dërrmuese të popullsisë së botës, ideja se natyra njerëzore ka një dimension shpirtëror - në fakt identiteti themelor i saj është shpirtëror - është një e vërtetë që nuk ka nevojë të provohet. Ajo është një kuptim i realitetit që mund të zbulohet që në gjurmët e para të qytetërimit dhe që është kultivuar për disa mijëvjeçarë nga secila prej traditave të mëdha fetare të së kaluarës së njerëzimit. Arritjet e saj të qëndrueshme në fushën e së drejtën, në artet e bukura dhe në përmirësimin e marrëdhënieve njerëzore janë ato që i japin përmbajtje e kuptim historisë. Në këtë ose atë formë, shtytjet e fesë ushtrojnë një ndikim të përditshëm në jetën e shumicës së njerëzve mbi tokë dhe, siç e tregojnë në mënyrë dramatike ngjarjet anembanë botës në kohën e sotme, dëshirat që ajo ngjall janë të pashuara e pamasë të fuqishme.

Duhet të jetë e qartë, pra, se çdo përpjekje për të stimuluar progresin njerëzor duhet të synojë të verë në përdorim kapacitete kaq universale e pamasë krijuese. Përse, pra, problemet shpirtërore me të cilat ndeshet njerëzimi nuk kanë qenë në qendër të trajtimit të çështjes së zhvillimit? Përse pjesa më e madhe e përparësisve të programit ndërkombëtar të zhvillimit - madje pjesa më e madhe e bindjeve që qëndrojnë në themel të tyre - janë përcaktuar deri tani nga pikëpamje materialiste për botën, të cilat i mbështesin vetëm pakica të vogla të popullsisë së tokës? Sa peshë mund t'u jepet deklaratave për aderim në parimin e pjesëmarrjes universale, që mohojnë vlerën e së kaluarës kulturore me anë të së cilës pjesëmarrësit identifikojnë veten?

Mund të bëhet vërejtja që, përderisa problemet shpirtërore e morale kanë qenë historikisht të lidhura me doktrina teologjike rivale të cilat nuk u nënshtrohen provave objektive, këto probleme qëndrojnë jashtë kuadrit të preokupacioneve të zhvillimit të komunitetit ndërkombëtar. Për pasojë, t'u veshësh këtyre ndonjë rol të rëndësishëm, do të thotë t'u hapësh derën pikërisht atyre ndikimeve dogmatike që kanë ushqyer konflikte shoqërore dhe kanë blokuar progresin njerëzor. Në këtë argument ka padyshim një të vërtetë. Eksponentët e sistemeve të ndryshme teologjike të botës mbajnë një përgjegjësi të rëndë jo vetëm për reputacionin e keq që ka fituar vetë feja në sytë e shumë mendimtarëve përparimtarë, por edhe për pengesat e shtrembërimet që janë shkaktuar në diskutimin e përjetshëm të njerëzimit rreth kuptimit të shpirtërores. Por sidoqoftë, të konkludosh se përgjigja është të heqësh dorë nga hulumtimi i realitetit shpirtëror dhe të injorosh rrënjët më të thella të motivimit njerëzor, ky është një gabim që vetkuptohet. Efekti i vetëm, në masën që një censurim i tillë është kryer në historinë e kohëve të fundit, ka qenë që artimi i së ardhmes së njerëzimit i është lënë në dorë një ortodoksie të re, sipas së cilës e vërteta është amorale dhe faktet janë të pavarura nga vlerat.

Përgatitja që mund t'u japë mundësi banorëve të tokës të marrin pjesë në prodhimin e pasurisë do të kontribuojë për zhvillimin vetëm në atë masë që një shtytje e tillë ndriçohet nga intuita shpirtërore se t'i shërbesh njerëzimit është pikësynimi i jetës individuale, si dhe i organizimit shoqëror.

Përsa i takon ekzistencës tokësore, shumë prej arritjeve më të mëdha të fesë kanë qenë të karakterit moral. Përmes mësimeve të saj dhe përmes shembujve të jetës njerëzore të ndriçuar nga këto mësime, masa njerëzish në të gjitha epokat kanë zhvilluar aftësinë për të dashuruar. Ato kanë mësuar të disiplinojnë anën shtazore të natyrës së tyre, të bëjnë sakrifica të mëdha për të mirën e përbashkët, të praktikojnë ndjesën, shpirtmadhësinë e besimin, të përdorin pasurinë dhe burime të tjera për t'i shërbyer përparimit të qytetërimit. Janë ngritur sisteme institucionale për t'i shndërruar këto arritje morale në norma të jetës shoqërore në një shkallë të gjerë. Edhe pse të errësuara nga mbishtresa dogmatike dhe të devijuara nga konflikte sektare, shtysat shpirtërore që janë vënë në lëvizje nga figura të tilla të jashtzakonshme si Krishna, Moisiu, Buda, Zoroastri, Jesui e Muhameti kanë ushtruar ndikimin më të thellë në qytetërimin e karakterit njerëzor.

Pra, përderisa sfida është të rriten aftësitë e njerëzimit përmes një zgjerimi të madh të mundësive për të fituar dije, strategjia që mund ta bëjë të mundur këtë duhet ndërtuar rreth një dialogu të vazhdueshëm e intensiv midis shkencës e fesë. Eshtë - ose duhet të jetë në kohën e tanishme - një e vërtetë e rëndomtë që, në çdo sferë të veprimtarisë njerëzore e në çdo nivel, intuitat e aftësitë që kushtëzojnë arritjet shkencore mund të aplikohen në mënyrë të përshtatshme vetëm duke u mbështetur në forcën e angazhimit shpirtëror e të parimit moral. Njerëzit kanë nevojë, për shembull, të mësojnë si të ndajnë faktin nga hamendja - në të vërtetë si të bëjnë dallimin midis pikëpamjeve subjektive dhe realitetit objektiv; se gjer në ç'shkallë individët e institucionet e pajisura në këtë mënyrë mund të kontribuojnë për progresin njerëzor, kjo do të varet, sidoqoftë, nga fakti sesa ata i janë përkushtuar së vërtetës dhe sa të shkëputur janë prej tundimeve të interesave e të pasioneve të veta. Një aftësi tjetër që shkenca duhet të kultivojë në të gjithë njerëzit është që ata të mendojnë sipas konceptit të evolucionit, duke përfshirë edhe vetë procesin historik; por, që ky avancim intelektual të kontribuojë në analizë të fundit për të stimuluar zhvillimin, perspektiva e tij nuk duhet të errësohet nga paragjykime të racës, të kulturës, të seksit ose të besimeve sektare. Po kështu, përgatitja që mund t'u japë mundësi banorëve të tokës të marrin pjesë në prodhimin e pasurisë do të kontribuojë për zhvillimin vetëm në atë masë që një shtytje e tillë ndriçohet nga intuita shpirtërore se t'i shërbesh njerëzimit është pikësynimi i jetës individuale, si dhe i organizimit shoqëror.

V

Roli më i rëndësishëm që mund të luajnë përpjekjet ekonomike në zhvillimin është që t'i pajisin njerëzit dhe institucionet me mjetet përmes të cilave ata mund të përmbushin qëllimin e vërtetë të zhvillimit: dmth, të hedhin themelet për një rend të ri shoqëror që mund të kultivojë potencialet e pakufizuara që fshihen në ndërgjegjen njerëzore.

Eshtë pikërisht në kontekstin e ngritjes së nivelit të kapacitetit njerëzor përmes përhapjes së dijes në të gjitha nivelet që duhen trajtuar problemet ekonomike me të cilat ndeshet njerëzimi. Siç e ka treguar përvoja e dhjetëvjeçarëve të fundit, përpjekjet dhe përfitimet materiale nuk mund të jenë qëllime në vetvete. Vlera e tyre është jo vetëm që t'i sigurojnë njerëzimit nevojat bazë për banesë, për ushqim, për shëndetin e të tjera si këto, por edhe që të zhvillojnë më tej aftësitë njerëzore. Roli më i rëndësishëm që mund të luajnë përpjekjet ekonomike në zhvillimin është, pra, që t'i pajisin njerëzit dhe institucionet me mjetet përmes të cilave ata mund të përmbushin qëllimin e vërtetë të zhvillimit: dmth, të hedhin themelet për një rend të ri shoqëror që mund të kultivojë potencialet e pakufizuara që fshihen në ndërgjegjen njerëzore.

Mendimi ekonomik ndodhet përpara sfidës që të pranojë pa mëdyshje këtë qëllim të zhvillimit - dhe rolin e vet për të inkurajuar krijimin e mjeteve për arritjen e tij. Vetëm kështu ekonomia dhe shkencat e lidhura me të mund ta çlirojnë veten nga pesha e shqetësimeve ekonomike që ua largojnë tani vëmendjen dhe të shprehin potencialin e tyre si mjete jetësore për arritjen e mirëqenies njerëzore në kuptimin e plotë të fjalës. Në asnjë fushë tjetër nuk është më e dukshme nevoja për një dialog rigoroz midis punës së shkencës dhe intuitave të fesë.

Problemi i varfërisë është një shembull i përshtatshëm. Propozimet që synojnë ta trajtojnë këtë mbështeten në bindjen se ekzistojnë, ose mund të krijohen me përpjekjet shkencore e teknologjike, burimet materiale që mund ta zbusin dhe më në fund ta çrrënjosin tërësisht si tipar të jetës njerëzore këtë gjendje që ekziston prej epokash. Një ndër shkaqet kryesore përse një lehtësim i tillë nuk është arritur është se zhvillimi i nevojshëm shkencor e teknologjik i përgjigjet një kompleksi përparësish që janë të lidhura vetëm në mënyrë tangenciale me interesat reale të shumicës së njerëzimit. Eshtë i nevojshëm një rishikim rrënjësor i këtyre përparësive, në qoftë se duam që bota të çlirohet përfundimisht nga barra e varfërisë. Kjo bën të nevojshëm një kërkim të caktuar për vlera të drejta, kërkim që do të verë në një provë të vështirë rezervat shpirtërore dhe ato shkencore të njerëzimit. Feja do të pengohet rreptësisht për të kontribuar në këtë ndërmarrje të përbashkët sakohë ajo mbetet rob i doktrinave sektare, që nuk bëjnë dot dallimin midis të kënaqurit e pasivitetit dhe që predikojnë se varfëria është një tipar i vetë jetës tokësore, shpëtimi prej së cilës është vetëm në botën tjetër. Që të marrë pjesë efektivisht në luftën për mirëqenien e njerëzimit, shpirti fetar duhet të gjejë në Burimin e frymëzimit prej të cilit rrjedhin koncepte e parime të reja shpirtërore, të përshtatshme për një epokë që kërkon të vendosë unitetin e drejtësinë në punët njerëzore.

Gjithnjë më shumë po pranohet se bota ka nevojë të ngutshme për një "etikë pune" të re. Në qoftë se puna kryhet me vetëdije në frymën e shërbimit ndaj njerëzimit, thotë Bahá'u'lláh-u, ajo është një formë lutjeje, një mjet për të adhuruar Perëndinë.

Papunësia ngren probleme të ngjashme. Në një pjesë të madhe të mendimit të sotëm, koncepti i punës është reduktuar në shkallë të gjerë në një veprimtari fitimprurëse që ka si qëllim të sigurojë mjetet për përdorimin e të mirave të disponueshme. Sistemi vepron në rreth të mbyllur: blerja e konsumi çojnë në ruajtjen e në rritjen e prodhimit të mallrave dhe, për rrjedhojë, kontribuojnë për të krijuar vende pune të paguara. Të marra veç e veç, të gjitha këto veprimtari janë thelbësore për mirëqenien e shoqërisë. Por koncepti i përgjithshëm është sidoqoftë i gabuar, dhe kjo mund të shihet si në apatinë që vëzhguesit shoqërorë vënë re në masën e të punësuarve kudo dhe në demoralizimin e ushtrisë gjithnjë në rritje të të papunëve.

Prandaj nuk është për t'u çuditur që gjithnjë më shumë po pranohet se bota ka nevojë të ngutshme për një "etikë pune" të re. Edhe këtu vetëm ide të lindura nga ndërveprimi krijues i sistemeve shkencore e fetare të dijes mund të sjellin një rishikim kaq themelor të zakoneve e qëndrimeve. Në dallim nga kafshët, të cilat për të jetuar varen nga ajo që jep në mënyrë të gatshme mjedisi, qeniet njerëzore janë të detyruara të shprehin aftësitë kolosale që fshihen brenda tyre përmes punës prodhuese që ka si synim të plotësojë nevojat e tyre dhe ato të të tjerëve. Duke vepruar kështu, ato marrin pjesë, në një nivel sado modest, në proceset e përparimit të qytetërimit. Ato përmbushin synime që i bashkojnë me njerëz të tjerë. Në qoftë se puna kryhet me vetëdije në frymën e shërbimit ndaj njerëzimit, thotë Bahá'u'lláh-u, ajo është një formë lutjeje, një mjet për të adhuruar Perëndinë. Çdo njeri ka aftësinë që ta shohë veten e tij ose të saj në këtë dritë, dhe pikërisht kësaj aftësie të patjetërsueshme të vetes duhet t'i bëjë thirrje strategjia e zhvillimit, cilado qoftë natyra e qëllimeve që ndiqen, cilido qoftë shpërblimi që ato premtojnë. Çdo perspektivë më e ngushtë nuk do të nxitë kurrë në popujt e botës ato përmasa përpjekjesh e angazhimi që do të kërkojnë detyrat ekonomike në të ardhmen.

Trajtimet e problemeve ekonomike, instrumentet vendim-marrëse të të cilave nuk mund të pajtohen me faktin që shumë nga sfidat e mëdha janë të karakterit botëror e jo të përmasave lokale, janë të papërshtatshme.

Një sfidë të së njëjtës natyrë ndesh mendimi ekonomik si rezultat i krizës së mjedisit. Tani është provuar me qetësi se teoritë e bazuara në besimin që aftësia e natyrës për të plotësuar çdo kërkesë të qenieve njerëzore nuk ka kufi janë teori mashtruese. Një kulturë që i jep rëndësi absolute rritjes, fitimit dhe plotësimit të nevojave të njerëzve është e detyruar të pranojë se synime të tilla nuk janë në vetvete tregues realistë në përcaktimin e politikës. Edhe trajtimet e problemeve ekonomike, instrumentet vendim-marrëse të të cilave nuk mund të pajtohen me faktin që shumë nga sfidat e mëdha janë të karakterit botëror e jo të përmasave lokale, janë gjithashtu të papërshtatshme.

Shpresa e zjarrtë se kjo krizë morale mund të përballohet në njëfarë mënyre duke sfiduar vetë natyrën, është një provë e dëshpërimit shpirtëror e intelektual që ka shkaktuar kriza. Njohja e faktit se krijimi është një e tërë organike dhe se njerëzimi ka përgjegjësinë të kujdeset për këtë të tërë, edhe pse e mirëpritur, nuk ushtron një ndikim të tillë që mund të krijojë vetvetiu një sistem të ri vlerash në ndërgjegjen e njerëzve. Vetëm një përmbysje në të kuptuarit, si shkencor dhe shpirtëror në kuptimin e plotë të këtyre fjalëve, do t'i japë mundësi gjinisë njerëzore të marrë mbi vete përgjegjësinë që i ngarkon asaj historia.

Të gjithë njerëzve do t'u duhet shpejt a vonë të ringjallin, për shembull, aftësinë e të kënaqurit, të pranojnë disiplinën morale dhe të ripërtërijnë ndjenjën e detyrës që, deri jo shumë kohë më parë, konsideroheshin si aspekte thelbësore të të qënit njeri. Në mënyrë të përsëritur gjatë historisë, mësimet e Themeluesve të feve të mëdha kanë qenë në gjendje t'i ngulitin këto cilësi të karakterit në masat e njerëzve që i përgjigjeshin mesazhit të tyre. Vetë këto cilësi janë edhe më jetësore sot, por shprehja e tyre duhet të marrë tani një formë që përputhet me moshën e pjekurisë së njerëzimit. Edhe këtu, sfida që qëndron para fesë është që ajo ta çlirojë veten nga fiksacionet e së kaluarës: të kënaqurit nuk është fatalizëm; të qënit i moralshëm nuk ka asgjë të përbashkët me puritanizmin jetëmohues, që aq shpesh i ka lejuar vetes të flasë në emër të moralit; dhe një përkushtim i vërtetë ndaj detyrës ngjall jo ndjenjën e vetëkënaqësisë, por ndjenjën e vetëdinjitetit.

"Gratë dhe burrat kurdoherë kanë
qenë e do të jenë të barabartë
në sytë e Perëndisë".
- Bahá'u'lláh

Mohimi këmbëngulës për të njohur barazinë e plotë të grave me burrat e bën akoma më të mprehtë sfidën ndaj shkencës e fesë në jetën ekonomike të njerëzimit. Për çdo vëzhgues objektiv parimi i barazisë së sekseve është themelor në çdo mendim realist rreth mirëqenies së ardhme të tokës e të njerëzve të saj. Ai përfaqëson një të vërtetë rreth natyrës njerëzore, e cila ka qenë gjerësisht e panjohur gjatë epokave të fëmijërisë e të adoleshencës së gjinisë njerëzore. "Gratë dhe burrat", thekson me këmbëngulje Bahá'u'lláh-u, "kurdoherë kanë qenë e do të jenë të barabartë në sytë e Perëndisë". Shpirti racional nuk ka gjini, dhe çfarëdo pabarazi shoqërore mund të kenë qenë diktuar nga kërkesat e së kaluarës që kanë mbijetuar, është e qartë se ato nuk mund të justifikohen në një kohë që njerëzimi qëndron në pragun e pjekurisë. Angazhimi për vendosjen e barazisë së plotë midis burrave e grave, në të gjithë sektorët e jetës e në çdo nivel të shoqërisë, do të jetë kushti themelor i suksesit të përpjekjeve për të konceptuar e vënë në jetë një strategji të zhvillimit botëror.

Angazhimi për vendosjen e barazisë së plotë midis burrave e grave, në të gjithë sektorët e jetës e në çdo nivel të shoqërisë, do të jetë kushti themelor i suksesit të përpjekjeve për të konceptuar e vënë në jetë një strategji të zhvillimit botëror.

Në fakt, pikërisht përparimi në këtë fushë, në atë të barazisë midis grave e burrave, do të shërbejë si kriter i suksesit të çdo programi të zhvillimit. Duke pasur parasysh rolin jetësor të veprimtarisë ekonomike në përparimin e qytetërimit, një provë e dukshme e hapit me të cilin po shkon përpara zhvillimi do të jetë shkalla në të cilën grave do t'u hapen rrugët e gjera të përpjekjeve ekonomike. Sfida nuk është thjesht që të sigurohet një shpërndarje e drejtë e mundësive, sado e rëndësishme që të jetë kjo. Ajo kërkon një rishqyrtim themelor të tillë të çështjeve ekonomike që të tërheqë pjesëmarrjen e plotë të një vargu përvojash e intuitash njerëzore të lëna deri tani jashtë diskutimit. Modelet ekonomike klasike të tregjeve impersonale, në të cilat qeniet njerëzore veprojnë si autorë të pavarur zgjedhjesh të drejtuara rreth vetes së tyre, nuk u përshtaten më nevojave të një bote që ka si motiv idealet e unitetit e të drejtësisë. Shoqëria do ta shohë veten të sfiduar gjithnjë më shumë për të zhvilluar modele të reja ekonomike të krijuara prej intuitash që lindin nga kuptimi dashamirës i përvojës së përbashkët, nga bindja se qeniet njerëzore jetojnë në marrëdhënie me njëra-tjetrën dhe nga njohja e rëndësisë thelbësore të rolit të familjes e të komunitetit për mirëqenien shoqërore. Një përmbysje e tillë intelektuale - shumë altruiste e jo me fokus te vetvetja - duhet të mbështetet shumë në ndjenjat shpirtërore e ato shkencore të gjinisë njerëzore, dhe mijëvjeçarë përvoje i kanë përgatitur gratë të japin ndihmesa thelbësore në përpjekjen e përbashkët.

VI

Të mendosh një transformim të shoqërisë në një shkallë të tillë do të thotë të ngresh si çështjen e pushtetit që mund të ngarkohet për ta kryer atë, ashtu dhe problemin e lidhur pazgjidhmërisht me të, atë të kompetencave që duhet të ketë ky pushtet. Ashtu si dhe çështjet e tjera të integrimit të përshpejtuar të planetit e të popullsisë së tij, këta dy terma të njohur ka nevojë të ngutshme të ripërcaktohen.

Sot, në një epokë shumë prej problemeve të ngutshme të së cilës kanë karakter botëror, të ngulësh këmbë në idenë se pushteti do të thotë përfitim për segmente të caktuara të familjes njerëzore, është thellësisht e gabuar në teori dhe nuk i sjell asnjë shërbim praktik zhvillimit shoqëror e ekonomik të planetit.

Gjatë gjithë historisë - dhe megjithë sigurimet e karakterit teologjik e ideologjik që afirmojnë të kundërtën - pushteti ka qenë ushtruar gati gjithmonë si një privilegj që gëzojnë persona ose grupe të caktuar. Shpeshherë ai, me të vërtetë, ka qenë shprehur praktikisht në mjete që përdoreshin kundër të tjerëve. Ky interpretim i pushtetit është bërë një tipar i brendshëm i kulturës së ndarjes e të konfliktit, që ka karakterizuar gjininë njerëzore gjatë disa mijëvjeçarëve të kaluar, cilatdo të kenë qenë orientimet sociale, fetare ose politike që kanë pasur epërsi në epoka të caktuara, në pjesë të caktuara të botës. Në përgjithësi, pushteti ka qenë një atribut i individëve, i fraksioneve, i popujve, i klasave e i kombeve. Ai ka qenë një atribut më shumë i burrave sesa i grave. Efekti kryesor ka qenë se ai u ka dhënë atyre që e gëzonin mundësinë për të akumuluar, për t'u lartësuar, për të sunduar, për të rezistuar, për të fituar.

Proceset historike që kanë rezultuar nga kjo kanë qenë shkaku si i dështimeve rrënuese që kanë prekur mirëqenien njerëzore, ashtu dhe i përparimeve të jashtzakonshme të qytetërimit. Të vlerësosh përfitimet do të thotë të njohësh gjithashtu edhe dështimet, si dhe kufizimet e qarta të skemave të sjelljes që i kanë shkaktuar të dyja këto. Zakonet dhe qëndrimet që lidhen me përdorimin e pushtetit, të cilat janë krijuar në epokat e gjata të fëmijërisë e të adoleshencës së njerëzimit, kanë arritur kufijtë e fundit të efektivitetit të tyre. Sot, në një epokë shumë prej problemeve të ngutshme të së cilës kanë karakter botëror, të ngulësh këmbë në idenë se pushteti do të thotë përfitim për segmente të caktuara të familjes njerëzore, është thellësisht e gabuar në teori dhe nuk i sjell asnjë shërbim praktik zhvillimit shoqëror e ekonomik të planetit. Ata që ende i përmbahen asaj ideje - dhe ata që në epoka të mëparshme kanë pasur besim në një ide të tillë - i shohin tani planet e tyre të ndeshen me zhgënjime e pengesa të pashpjegueshme. Në shprehjen e tij tradicionale si raport forcash konkurruese, pushteti është po aq i papërshtatshëm për t'iu përgjigjur nevojave të ardhme të njerëzimit, sa ç' do të ishin teknologjitë e lokomotivave të hekurudhave për hedhjen e satelitëve të hapësirës në orbitat rreth tokës.

Kjo analogji është më tepër se një krahasim i thjeshtë. Kërkesat e vetë pjekurisë së saj e nxitin gjininë njerëzore të çlirohet nga ai kuptim e ai përdorim i pushtetit që i ka trashëguar nga e kaluara. Që ajo mund ta bëjë këtë, e provon fakti që, megjithëse mbizotëron koncepti tradicional, njerëzimi ka qenë gjithmonë në gjendje ta konceptojë pushtetin në forma të tjera, jetësore për shpresat e tij. Historia jep fakte të shumta sesi, edhe pse në raste të veçuara e në mënyrë jo të përshtatshme, njerëz të çdo prejardhjeje, gjatë shekujve, kanë ditur të gjejnë në veten e tyre një larmi të madhe burimesh krijuese. Shembulli më i dukshëm ka qenë, ndoshta, pushteti i vetë së vërtetës, një faktor ndryshimi i cili është shoqëruar me disa prej përparimeve më të mëdha në fushën filozofike, fetare, artistike e shkencore të gjinisë njerëzore. Forca e karakterit përbën gjithashtu një tjetër mjet që nxit një reagim njerëzor kolosal, po ashtu siç bën edhe ndikimi i shembullit qoftë në jetën e qenieve njerëzore individuale ose mbi grupet shoqërore. Një forcë tjetër, pothuajse krejt e pavlerësuar, është ajo që do të lindë nga arritja e unitetit, ndikimi i së cilës është "kaq i fuqishëm", sipas fjalëve të Bahá'u'lláh-ut, sa "që mund të ndriçojë gjithë Tokën".

Ndërsa integrimi i njerëzimit shpejtohet, ata që do të zgjidhen në këtë mënyrë do të duhet t'i orientojnë gjithnjë e më shumë përpjekjet e tyre në një perspektivë globale. Jo vetëm në nivelin kombëtar, por edhe në atë lokal, qeverisësit e zgjedhur të punëve njerëzore duhet, sipas pikëpamjes së Bahá'u'lláh-ut, ta konsiderojnë veten përgjegjës për mirëqenien e mbarë njerëzimit.

Institucionet e shoqërisë do të nxjerrin në pah e drejtojnë me sukses potencialet e fshehura në ndërgjegjen e popujve të botës sakohë pushteti do të ushtrohet sipas parimesh që janë në harmoni me interesat në evolucion të vazhdueshëm të gjinisë njerëzore që po arrin me shpejtësi pjekurinë. Parime të tilla përfshijnë detyrimin e atyre që janë në pushtet: për të fituar besimin, respektin dhe mbështetjen e vërtetë të atyre, veprimet e të cilëve ata përpiqen të qeverisin; për t'u konsultuar hapur e sa më shumë që të jetë e mundur me të gjithë ata, interesat e të cilëve preken nga vendimet që merren; për të vlerësuar në mënyrë objektive si nevojat reale dhe aspiratat e komuniteteve të cilave u shërbejnë; për të përfituar nga përparimi shkencor e moral, me qëllim që të përdorin si duhet burimet e komunitetit, duke përfshirë energjitë e pjestarëve të tij. As edhe një parim i autoritetit efektiv nuk është aq i rëndësishëm sa përparësia që i duhet dhënë ndërtimit e ruajtjes së unitetit midis pjesëtarëve të një shoqërie dhe anëtarëve të institucioneve administrative të saj. Ne iu referuam më lart çështjes së angazhimit për të kërkuar drejtësi në të gjitha gjërat, e cila lidhet ngushtë me këtë.

Eshtë e qartë se parime të tilla mund të veprojnë vetëm në kuadrin e një kulture thelbësisht demokratike për nga fryma e metoda e saj. Por të pohosh këtë, nuk do të thotë të mbështesësh ideologjinë e partijësisë, që kudo ka marrë në mënyrë abuzive emrin e demokracisë dhe që, pavarësisht nga ndihmesat e rëndësishme që ka dhënë në të kaluarën për progresin njerëzor, sot e sheh veten të zhytur në cinizëm, apati e korruptim që ajo vetë i ka shkaktuar. Në zgjedhjen e atyre që do të marrin vendime kolektive në emër të saj, shoqëria nuk ka nevojë dhe nuk shërbehet mirë nga teatri politik i emërimeve, i kandidaturave, i fushatave elektorale, i peshkimit të votave. Të gjithë popujt janë të aftë që, sa më shumë formohen e binden se programet që u propozohen u shërbejnë interesave të tyre të vërteta të zhvillimit, të adoptojnë procedura elektorale që do të përsosin gradualisht zgjedhjen e organizmave vendim-marrëse të tyre.

Ndërsa integrimi i njerëzimit shpejtohet, ata që do të zgjidhen në këtë mënyrë do të duhet t'i orientojnë gjithnjë e më shumë përpjekjet e tyre në një perspektivë globale. Jo vetëm në nivelin kombëtar, por edhe në atë lokal, qeverisësit e zgjedhur të punëve njerëzore duhet, sipas pikëpamjes së Bahá'u'lláh-ut, ta konsiderojnë veten përgjegjës për mirëqenien e mbarë njerëzimit.

VII

Një strategji botërore e zhvillimit, që do të përshpejtojë arritjen e moshës së pjekurisë nga njerëzimi, duhet të bazohet në pranimin pa kushte të njëshmërisë së njerëzimit, në angazhimin për të vendosur drejtësinë si parimin organizues të shoqërisë, si dhe në vendosmërinë për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që një dialog sistematik midis gjenisë shkencore e fetare mund të krijojë për lulëzimin e kapacitetit njerëzor.

Detyra e krijimit të një strategjie botërore të zhvillimit, që do të përshpejtojë arritjen e moshës së pjekurisë nga njerëzimi, përbën një sfidë për të ristrukturuar në themel të gjitha institucionet e shoqërisë. Protagonistët të cilëve u drejtohet sfida janë të gjithë banorët e planetit: mbarë gjinia njerëzore, anëtarët e institucioneve qeverisëse në të gjitha nivelet, personat që shërbejnë në organizma të koordinimit ndërkombëtar, shkencëtarët dhe mendimtarët e fushave shoqërore, të gjithë ata që kanë talente artistike ose mundësi futjeje në mjetet e komunikimit, si dhe drejtuesit e organizatrave joqeveritare. Reagimi që kërkohet duhet të bazohet në pranimin pa kushte të njëshmërisë së njerëzimit, në angazhimin për të vendosur drejtësinë si parimin organizues të shoqërisë, si dhe në vendosmërinë për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që një dialog sistematik midis gjenisë shkencore e fetare mund të krijojë për lulëzimin e kapacitetit njerëzor. Kjo ndërmarrje kërkon rimendimin rrënjësor të shumë prej koncepteve e supozimeve që drejtojnë aktualisht jetën shoqërore dhe ekonomike. Ajo duhet kombinuar gjithashtu me bindjen se, sado i gjatë që të jetë procesi dhe çfarëdo dështimesh që mund të ndeshë ai, qeverisja e punëve njerëzore mund të kryhet në rrugë që u shërbejnë nevojave reale të njerëzimit.

Vetëm në qoftë se fëmijërisë kolektive të njerëzimit me të vërtetë i ka ardhur fundi dhe po agon epoka e pjekurisë së tij, një perspektivë e tillë është më shumë se një mirazh tjetër utopik. Të imagjinosh se një përpjekje e përmasave të tilla mund të kryhet nga kombe e popuj të dëshpëruar e antagonistë, kjo vjen në kundërshtim me çdo lloj urtie. Vetëm në qoftë se, siç thotë Bahá'u'lláh-u që është rasti, rrjedha e evolucionit shoqëror ka arritur në një prej atyre pikave kthesë vendimtare, përmes të cilave të gjitha dukuritë e ekzistencës vihen papritur në lëvizje drejt stadesh të reja të zhvillimit të tyre, një mundësi e tillë mund të konceptohet. Një bindje e thellë se pikërisht një transformim kaq i madh në ndërgjegjen njerëzore është duke u zhvilluar ka frymëzuar pikëpamjet e parashtruara në këtë deklaratë. Të gjithë atyre që shohin në të shtysa të njohura që vijnë nga brendia e vetë zemrave të tyre, fjalët e Bahá'u'lláh-ut u japin siguri se Perëndia në këtë kohë të pashoqe e ka pajisur njerëzimin me rezerva shpirtërore krejt të barabarta me sfidën:

Një botë po vdes dhe një botë e re po lufton për të lindur. Zakonet, qëndrimet dhe institucionet e akumuluara gjatë shekujve po u nënshtrohen provave që janë të nevojshme për zhvillimin njerëzor, siç janë edhe të pashmangshme.

"O ju që banoni në qiej e mbi tokë! Eshtë shfaqur ajo që kurrë më parë nuk qe shfaqur".

"Kjo është Dita në të cilën favoret më të çmuara të Perëndisë janë derdhur mbi njerëzit, Dita në të cilën hiri i Tij më i fuqishëm u është futur të gjitha gjërave të krijuara".

Trazira që po trondit tani punët njerëzore është e pashoqe dhe shumë prej pasojave të saj janë pamasë shkatërrimtare. Rreziqe të paimagjinuara gjatë tërë historisë janë grumbulluar rreth një njerëzimi të hutuar. Por gabimi më i madh që mund të bënte udhëheqja botërore në këto rrethana do të ishte të lejonte që kriza të mbjellë dyshim për rezultatin përfundimtar të procesit që po kryhet. Një botë po vdes dhe një botë e re po lufton për të lindur. Zakonet, qëndrimet dhe institucionet e akumuluara gjatë shekujve po u nënshtrohen provave që janë të nevojshme për zhvillimin njerëzor, siç janë edhe të pashmangshme. Nga popujt e botës kërkohet njëfarë besimi e vendosmërie për të vënë në lëvizje energjitë kolosale me të cilat Krijuesi i të gjitha gjërave ka pajisur këtë pranverë shpirtërore të gjinisë njerëzore. "Jini të bashkuar në këshillim", është thirrja e Bahá'u'lláh-ut,

"jini një në mendime. Le të jetë çdo mëngjes më i mirë se vigjilja e tij dhe çdo e nesërme më e pasur se e djeshmja e saj. Merita e njeriut qëndron te shërbimi e virtyti, dhe jo në shkëlqimin e begatisë e të pasurisë. Kini kujdes që fjalët tuaja të spastrohen nga fantazitë e kota e nga dëshirat tokësore dhe që veprat tuaja të dëliren nga dinakëria e dyshimi. Mos e harxhoni pasurinë e jetëve tuaja të çmuara duke rendur pas afeksionesh të liga e të shthurura, as mos lejoni që përpjekjet tuaja të shpenzohen për të mbështetur interesat tuaja personale. Jini zemërgjerë në ditët tuaja të begatisë dhe të durueshëm në orën e humbjes. Pas fatkeqësisë vjen suksesi dhe pas gëzimit vjen brenga. Ruhuni nga përtacia e nga plogështia, dhe kapuni pas asaj që i sjell përfitim njerëzimit, qofshi të rinj ose pleq, me pozitë të lartë ose të ulët. Hapni sytë të mos mbillni egjrën e mosmarrëveshjes midis njerëzve ose të mbillni gjemba të dyshimit në zemrat e kulluara e të gëzuara".

"Jini të bashkuar në këshillim,
jini një në mendime."
- Bahá'u'lláh

Forca e vullnetit që kërkohet për të kapërcyer barrierat që kanë mbetur, të cilat blokojnë realizimin e ëndrrës shumëshekullore për paqe të përbotshme, duhet stimuluar me një perspektivë begatie në kuptimin e plotë të kësaj fjale, duke zgjuar vetëdijen për mundësitë e mirëqenies shpirtërore e materiale të të gjithë banorëve të planetit. Faza tjetër e përparimit të njerëzimit do të kërkojë një rishikim të thelluar të mendimeve mbizotëruese rreth natyrës e qëllimit të procesit të zhvillimit dhe roleve që u janë caktuar në të protagonistëve të ndryshëm. Detyra e krijimit të një strategjie botërore të zhvillimit, që do të përshpejtojë arritjen e moshës së pjekurisë nga njerëzimi, përbën një sfidë për të ristrukturuar në themel të gjitha institucionet e shoqërisë. Reagimi që kërkohet duhet të bazohet në pranimin pa kushte të njëshmërisë së njerëzimit, në angazhimin për të vendosur drejtësinë si parimin organizues të shoqërisë, si dhe në vendosmërinë për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që një dialog sistematik midis gjenisë shkencore e fetare mund të krijojë për lulëzimin e kapacitetit njerëzor.