Roli i Edukimit, i Mjeteve të Informimit Publik dhe i Arteve në Zhvillimin Shoqëror

Statements

Roli i Edukimit, i Mjeteve të Informimit Publik dhe i Arteve në Zhvillimin Shoqëror

Nga Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í Komente për Projekt Deklaratën dhe Projekt Programin e Veprimit për Zhvillim Shoqëror

New York—23 August 1994

Edukimi


Edukimi - shkollor, jashtëshkollor dhe ai shkollor jo i detyruar - është pa diskutim rruga më efektive për të formuar vlera, qëndrime, sjellje e zhdërvjelltësi, të cilat bëjnë të mundur që gjërat të funksionojnë efektivisht në një shoqëri botërore të integruar. Prandaj roli i edukimit në stimulimin e zhvillimit shoqëror, veçanërisht të integrimit shoqëror, duhet të trajtohet në mënyrë të qenësishme në Deklaratën dhe, më posaçërisht, në Programin e Veprimit.

Hollësitë e programeve e të veprimtarive edukative që synojnë stimulimin e integrimit shoqëror do të ndryshojnë shumë nga nivelet lokale në ato kombëtare e ndërkombëtare. Por në botën tonë gjithnjë e më të ndërvarur të gjitha programet e nismat duhet të kenë disa aspekte të përbashkëta. Midis të tjerash, ato duhet

* të mësojnë unitetin në diversitet si parimin themelor të integrimit shoqëror si për kombet dhe për komunitetin botëror;

* të kultivojnë tolerancën, dashurinë, vëllazërinë, barazinë, dhembshurinë, mirëkuptimin, sakrificën, përunjësinë dhe një angazhim aktiv për drejtësinë;

* të ushqejnë vlerësimin për pasurinë dhe rëndësinë e sistemeve të ndryshme kulturore, fetare e shoqërore të botës, për aq sa këto kontribuojnë për integrimin, drejtësinë dhe unitetin shoqëror;

* të ndërtojnë përpjekjet pozitive të çdo vendi dhe të nxjerrin në pah sukseset e tij të prekshme, duke përfshirë modele të unitetit racial, fetar, kombëtar e etnik;

* të kenë në thelbin e tyre zhvillimin moral të individit, duke e vënë theksin te virtyti si themeli për veprime që rritin mirëqenien shpirtërore e materiale individuale dhe kolektive;

* të përçojnë kuptimin e të drejtave dhe të përgjegjësive përkatëse të të gjithë njerëzve;

* të jenë të çliruara nga stereotipet e bazuara në fe, kulturë, gjini, racë, klasë, kombësi dhe etni;

* të ngjallin mbështetje të vërtetë në bazë për punën e Kombeve të Bashkuara, duke e vënë theksin te rëndësia e OKB-së në stimulimin e kooperimit e të mirëkuptimit botëror; duke shpjeguar synimet, objektivat dhe programet universale të saj; duke treguar volinë e tanishme të saj për popujt dhe kombet e botës; dhe duke sqaruar rolin në rritje që ajo duhet të marrë në këtë botën tonë që po bëhet gjithnjë e më kompakte; dhe

* të ushqejnë një etikë të të shërbyerit ndaj tërë gjinisë njerëzore, duke përfshirë familjen, të afërmit, komunitetin dhe kombin e secilit; dhe të sigurojë mjetet praktike për shprehjen e saj në procesin e edukimit me anë programesh të orientuara shërbimi.

Vlerat, qëndrimet dhe zhdërvjelltësitë e mësuara përmes programesh të ndryshme edukative duhet gjithashtu të kthehen në veprime. Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í rekomandon me forcë, si një mjet konkret për ta bërë këtë, që një formë Shërbimi Vullnetar të Rinisë të adoptohet nga Takimi Botëror i Nivelit të Lartë për Zhvillimin Shoqëror. Në qoftë se organizohet e fillohet si duhet, dhe në qoftë se do të jetë i arritshëm në gjithë botën, ky Shërbim i Rinisë do të përbënte një mjet shumë të rëndësishëm për të vënë në veprim idealin e të shërbyerit njerëzimit dhe për ta përgatitur rininë që gjatë gjithë jetës të kujdeset aktivisht për të tjerët. Shërbimi i Rinisë do t'u jepte gjithashtu mundësi të rinjve të fitojnë njohuri të drejtpërdrejta për botën. Një përvojë e tillë do t'i ndihmojë ata të shohin tej dallimeve - kulturore, fetare, shoqërore, etnike ose kombëtare qofshin - që i ndajnë popujt e ndryshëm të botës dhe të njohin gjërat e përbashkëta që i bashkojnë ata.

Përvoja ilustruese nga Shërbimi i Rinisë mund të futeshin në programe dhe role model - të rinj që përpiqen përunjësisht të mësojnë e të shërbejnë - mund të shpjegoheshin në kurse. Kjo jo vetëm do të ndihmonte për t'ua bërë të njohur Shërbimin e Rinisë pjesëmarrësve të ardhshëm, por do të jepte gjithashtu tregime frymëzuese të rinjsh që zbulojnë njerëzimin e tyre të përbashkët, që shembin barrierat në rrugën e mirëkuptimit dhe që ndërtojnë një botë të paqes e të drejtësisë.

Duhet ngritur një komitet ose grup pune i posaçëm që të zhvillojë të dy drejtimet për të stimuluar integrimin shoqëror, të bazuar në parimin e unitetit në diversitet, dhe të bëjë propozime për ta futur këtë parim në programet edukative ekzistuese shkollore e jashtëshkollore. Ky komitet/grup pune duhet të fillojë me analizën e propozimeve që gjenden në dokumente të tilla, si ai i UNESKO-s i vitit 1974 Edukim për Mirëkuptim Ndërkombëtar, Kooperim e Paqe dhe Edukim Lidhur me të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore; ai i UNESKO-s i vitit 1993 Plani Botëror i Veprimit rreth Edukimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci; dhe dokumenti i Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í Qytetaria Botërore: Një Etikë Globale Për Zhvillim të Pandërprerë.

Ndërgjegjshmëria publike: roli i mjeteve
të informimit publik dhe i arteve

Deklarata dhe Programi i Veprimit duhet të bëjnë thirrje për fushata të ndërgjegjshmërisë publike që të tërheqin vëmendjen rreth sfidave për integrim shoqëror dhe të stimulojnë parimin e unitetit në diversitet. Kotë fushata duhet të përdorin artet dhe tërë gamën e mjeteve të informimit publik, duke përfshirë televizionin, videot, filmin, radion, rrjetet elektronike, librat, revistat, pllakatet, shpalljet, teatrin e muzikën. Ato duhet të tërheqin industrinë e reklamës e të argëtimit, mjetet e informimit publik - si tradicionale dhe jotradicionale, - tërë sistemin e OKB-së, të gjitha shtetet anëtare, OJQ-të dhe personalitete popullore. Ato duhet të arrijnë deri në shtëpi, në vendin e punës, në mjedise publike e shkolla. Vijat orientuese që rekomandohen më lart për programet edukative duhet gjithashtu t'u shërbejnë këtyre fushatave për integrim shoqëror.

Mjetet e informimit publik ushtrojnë një ndikim të fuqishëm mbi qëndrimet e konceptet e njerëzve dhe njëkohësisht kanë një përgjegjësi të madhe që të kontribuojnë për integrimin shoqëror. Në kohën e tanishme, një pjesë e madhe e vëmendjes së mjeteve të informimit publik është përqëndruar në dallimet, në dukje të pakapërcyeshme, që ndajnë popujt e kombet, dhe pak vëmendje i kushtohet faktit që këto dallime mund të kapërcehen. Duhet ndërmarrë një diskutim serioz, global për të shqyrtuar përdorimin e teknologjive të mjeteve të informimit publik, si ekzistuese dhe të atyre që po lindin, për të ushqyer shpresën dhe për të stimuluar integrimin e zhvillimin shoqëror. Mjetet e informimit publik kanë përgjegjësi për t'i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se diversiteti, që shpesh ka qenë burim konflikti, mund të jetë gjithashtu një rezervë e fuqishme për zhvillim shoqëror. Një fillim i rëndësishëm do të ishte eliminimi nga programet e mjeteve të informimit publik i stereotipeve të bazuara në fe, kulturë, gjini, racë, klasë, kombësi dhe etni. Pastaj, duke u përqëndruar në nisma konstruktive, unifikuese e kooperuese, mjetet e informimit publik do të mund të provonin aftësinë e njerëzimit për të punuar së bashku e për të përballuar kështu sfidat kolosale me të cilat ai ndeshet.

Mjetet e informimit publik duhet të ngrejnë lart rëndësinë dhe nderin e të shërbyerit njerëzimit. Parimet thelbësore të integrimit shoqëror - duke përfshirë dhembshurinë, tolerancën, dashurinë, mirëkuptimin, sakrificën, përunjësinë dhe angazhimin në drejtësinë - shfaqen në shoqëri përmes shërbimit. Shërbimi jo vetëm i sjell përfitime të menjëhershme komunitetit, por krijon gjithashtu lidhje të solidaritetit e të qëllimit të përbashkët midis atyre që marrin pjesë. Sipas Shkrimeve Bahá'í, paqja, drejtësia dhe siguria do të vendosen fort në botë vetëm kur të gjithë njerëzit "të bashkohen e të bashkërendohen në shërbim të botës së njerëzimit".

Uniteti në diversitet, parimi bazë i integrimit shoqëror, gjithashtu mund të stimulohet - në shkallë ndërkombëtare, kombëtare e lokale - përmes konkurseve dhe dhënies së shpërblimeve nga mjetet e informimit publik, shkollat, organizatat civile dhe qeveritë. Shërbimet e industrisë së reklamave duhen tërhequr gjithashtu për të stimuluar vlerat themelore të zhvillimit shoqëror.

Konkluzion

Çdo vend duhet të inkurajohet të caktojë burime për të stimuluar integrimin shoqëror mbi bazën e parimit të unitetit në diversitet. Duhet pasur gjithashtu parasysh që stimulimi i këtij parimi të përfshihet midis treguesve të zhvillimit shoqëror. Vendet, për shembull, mund të inkurajohen të raportojnë përpjekjet për të ushqyer tolerancën, mirëkuptimin dhe vlerësimin kulturave të tjera, barazinë e sekseve, konceptin e një familjeje të vetme njerëzore dhe shërbimin ndaj komunitetit, kombit e botës.