Kërkimi i Vlerave në një Epokë Tranzicioni Deklaratë e Komunitetit Ndërkombëtar Baha'i për 60-vjetorin e Kombeve të Bashkuara

Statements

Kërkimi i Vlerave në një Epokë Tranzicioni Deklaratë e Komunitetit Ndërkombëtar Baha'i për 60-vjetorin e Kombeve të Bashkuara

New York—2 October 2005

I

1. Më 1945, themelimi i Kombeve të Bashkuara i dha botës së rraskapitur nga lufta një vizion se ç'ishte e mundur të arrihej në fushën e kooperimit ndërkombëtar dhe vendosi një kriter të ri nëpërmjet të cilit të udhëhiqeshin popujt dhe vendet e ndryshme drejt bashkekzistencës paqësore. Kundrejt skenografisë së luftës më shkatërrimtare në historinë e njerëzimit, krijimi i një organizate botërore për të mbrojtur dinjitetin, të drejtat e barabarta dhe sigurimin e të gjithë popujve e vendeve ishte një vepër e jashtëzakonshme aftësie politike. Gjashtëdhjetë vjet më vonë, çështjet që nxitnin debatin në Konferencën e San Franciskos janë afirmuar sërish: Përse sistemet ekzistuese të qeverisjes nuk garantuan dot sigurimin, mbarëvajtjen dhe mirëqenien e njerëzve në botë? Çfarë përgjegjësish kanë shtetet kundrejt fqinjëve të tyre dhe shtetasve të vet? Çfarë vlerash duhet të udhëheqin narrëdhëniet midis dhe brenda vendeve për të siguruar një të ardhme paqësore?

Çfarë përgjegjësish kanë shtetet kundrejt fqinjëve të tyre dhe shtetasve të vet?

2. Në përpjekjen kolektive për të gjetur përgjigje për këto pyetje po zë vend një paradigmë e re - ajo e natyrës së ndërvarur të sfidave tona dhe të mbarëvajtjes sonë. Qoftë kur fjala është për varfërinë, përhapjen e armëve, rolin e grave, SIDA-n, tregtinë e përbotëshme, fenë, mbrojtjen e mjedisit, mirëqenien e fëmijëve, korrupsionin, apo të drejtat e popullsive minoritare - është e qartë se asnjë prej problemeve me të cilat përballet njerëzimi nuk mund të trajtohet në mënyrë të shkëputur nga njëri-tjetri. Mjegullimi i kufijve kombëtarë përballë krizave globale ka treguar pa pikë dyshimi se organizmi i njerëzimit përfaqëson një të tërë organike.1 Rrjedhojat praktike të kësaj paradigme të ngutshme për reformimin e Kombeve të Bashkuara janë thelbi i kontributit të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í në 60-vjetorin e këtij organizmi të madhërishëm.2

3. Proceset e reformimit të Kombeve të Bashkuara duhen kuptuar si pjesë e një kursi më të gjerë evolucionar, që nis me forma të hershme të kooperimit ndërkombëtar si Lidhja e Kombeve dhe që çon në nivele gjithnjë e më të larta koherence në administrimin e punëve njerëzore, të lehtësuar nga krijimi i Kombeve të Bashkuara, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, shtimi i vazhdueshëm i legjislacionit ndërkombëtar, dalja dhe integrimi i shteteve të reja të pavarura, si dhe krijimi i mekanizmave për kooperimin rajonal e global. Vetëm pesëmbëdhjetë vjetët e fundit kanë parë ngritjen e Organizatës së Tregtisë Botërore, të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, krijimin e Bashkimit Afrikan, shtrirjen kuptimplote të Bashkimit Europian, koordinimin global të fushatave të shoqërisë civile, si dhe qartësimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. - një kuadër i paprecedent zhvillimi globaj që synon çrrënjosjen e varfërisë në mbarë botën. Gjatë këtyre zhvillimeve, përkufizimi i sovranitetit shtetëror - një gur themeli i sistemit modern të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një parim themelor i Kartës së Kombeve të Bashkuara - është bërë objekt i një debati të fuqishëm: Cilat janë caqet e nocioneve tradicionale të sovranitetit? Çfarë përgjegjësish kanë shtetet kundrejt qytetarëve të vet dhe kundrejt njëri-tjetrit? Si të imponohen këto përgjegjësi?3 Edhe pse në mënyrë të pabarabartë e plot kthime prapa, institucionet, lëvizjet dhe diskutimet që kanë dalë dëshmojnë për një shtysë drejt unitetit në punët botërore dhe përbëjnë një prej tipareve gjerësisht të përhapura të organizimit shoqëror të fundit të shekullit të 20-të dhe të viteve të para të mijëvjeçarit të ri.

4. Atëherë pse, megjithë shtimin e theksuar të mekanizmave e të forumeve për kooperim, bota është kaq e ndarë kundër vetvetes? Pse sëmundja universale, që godet marrëdhëniet midis atyre që kanë kultura, bindje, fe, lidhje politike, status ekonomik e gjini të ndryshme? Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve, ne duhet të shqyrtojmë pa pasione standardet legale, teoritë poltike dhe ekonomike, vlerat dhe formulat fetare që nuk i shërbejnë më mirëqenies së njerëzimit. Përparimi i burrave dhe i djemve në kurriz të grave e të vajzave ka kufizuar rëndë aftësitë krijuese e materiale të komuniteteve për t'u zhvilluar e për të trajtuar problemet e tyre; mospërfillja e minoriteteve kulturore e fetare ka bërë më intensive paragjykimet e vjetraqë i venë popujt e vendet kundër njëri-tjetrit; një nacionalizëm i shfrenuar ka marrë nëpër këmbë të drejtat e mundësitë e shtetasve në vende të tjera; në shtete të dobëta kanë shpërthyer konflikte, paligjshmëri dhe rryma masive refugjatësh; programe të ngushta ekonomike që ngrejnë në qiell mirëqenien materiale shpesh kanë mbytur zhvillimin shoqëror e moral që kërkohet për përdorimin e drejtë e të dobishëm të pasurisë. Kriza të tilla kanë nxjerrë në shesh caqet e mënyrave tradicionale të qeverisjes dhe kanë shtruar para Kombeve të Bashkuara çështjen e pashmangshme të vlerave: cilat vlera janë në gjendje t'i nxjerrin popujt e kombet e botës nga kaosi i interesave dhe ideologjive konkurruese drejt një komuniteti botëror të aftë për të ngulitur parimet e drejtësisë në të gjitha nivelet e shoqërisë njerëzore?

5. Çështja e vlerave dhe lidhja e tyre e pashmangshme me sistemet e fesë e të besimit ka dalë në skenën botërore si çështje e një rëndësie globale të skajshme, të cilën Kombet e Bashkuara nuk mund ta injorojnë. Ndërsa Asambleja e Përgjithshme ka miratuar një numër rezolutash që kanë të bëjnë me rolin e fesë në përkrahjen e paqes dhe bëjnë thirrje për eliminimin e intolerancës fetare,4 ajo përpiqet të rrokë plotësisht si rolin konstruktiv që mund të luajë feja në krijimin e një rendi botëror paqësor, ashtu edhe ndikimin destruktiv që mund të ketë fanatizmi fetar mbi stabilitetin dhe progresin e botës. Një numër gjithnjë e më i madh liderësh e organizmash vendimorë e pranojnë se këto konsiderata duhet të kalojnë nga periferia në qendër të debatit - duke pranuar se ndikimi i madh i dallimeve5 që lidhen me fenë mbi qeverisjen, diplomacinë, të drejtat e njeriut, zhvillimin, nocionet e drejtësisë e të sigurimit kolektiv duhen kuptuar më mirë.6 As liderët politikë e as akademikët nuk e kanë parashikuar një ridalje të tillë aq të përhapur të fesë në sferën publike, dhe as praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk ka zhvilluar mjetet konceptuale për trajtimin e fesë në mënyrë të kuptimshme.7 Nocionet tona të trashëguara për fenë si një zë i parëndësishëm e obstruksionist në sferën publike ndërkombëtare nuk ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve komplekse që qëndrojnë para liderëve të vendeve të botës. Në të vërtetë, roli i mirëfilltë i fesë në sferën publike është një ndër çështjet më të ngutshme të kohës sonë.

6. Që fetë janë manipuluar e shfrytëzuar për arritjen e qëllimeve të ngushta nuk mund të mohohet. Megjithatë, një analizë e kujdesshme historike tregon se periudhat e përparimit më të madh të qytetërimit botëror kanë qenë ato ku si feja dhe arsyeja janë lejuar të punojnë së bashku, duke u mbështetur në burimet e tërë mendjemprehtësisë e të përvojës njerëzore. Për shembull, në periudhën e kulmit të qytetërimit mysliman, shkencat, filozofia dhe artet lulëzuan; një kulturë e gjallë e të mësuarit shtynte imagjinatën njerëzore drejt kulmesh të reja, duke dhënë, ndër të tjera, bazën matematike për shumë risi teknologjike të kohës së sotme. Ndër qytetërimet e ndryshme të njerëzimit, feja ka dhënë kuadrin për kode morale e standarde legale të reja, të cilat kanë transformuar rajone të gjera të globit nga sisteme të pagdhendura e shpesh anarkike në forma më të sofistikuara qeverisjeje. Gjithsesi, debati i sotëm lidhur me fenë në sferën publike është nxitur nga fjalët dhe veprimet e ithtarëve ekstremë të të dyja palëve - nga ata që e imponojnë ideologjinë e tyre fetare ma anë të forcës, shprehja më e dukshme e së cilës është terrorizmi, - dhe nga ata që mohojnë çdo hapësirë për shprehjet e fesë apo të besimit në sferën publike. Por asnjëri ekstrem nuk përfaqëson shumicën e njerëzimit dhe as përkrah një paqe të qëndrueshme.

7. Në këto rrethana të evolucionit tonë si komunitet botëror, kërkimi i vlerave të përbashkëta - duke kapërcyer përplasjen e ekstremeve - është me rëndësi të dorës së parë për një veprim efektiv. Interesimi duke u udhëhequr vetëm nga konsiderata materiale nuk lejon të vlerësohet deri në ç'shkallë dallimet fetare, ideologjike e kulturore i japin formë diplomacisë dhe vendim-marrjes. Në përpjekjen për të shkuar tej një komuniteti vendesh të lidhura nga marrëdhënie kryesisht ekonomike, drejt një tjetër komuniteti vendesh që kanë përgjegjësi të përbashkëta për mirëqenien dhe sigurinë e njëri-tjetrit, çështja e vlerave duhet të zerë një vend qendror në debatet, të qartësohet e të shprehet hapur. Ndërsa Kombet e Bashkuara vazhdimisht kanë theksuar nevojën për shumanshmëri, vetëm përpjekje të tilla, duke qenë një hap në drejtimin e duhur, nuk përbëjnë një bazë të mjaftueshme për të ndërtuar bashkësi midis vendeve; vetëm bashkëpunimi nuk jep legjitimitet, as siguron rezultate të dobishme për një të mirë më të madhe. Për të përmbushur premtimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të traktateve e rezolutave të mëpasme, nuk nuk mund të kënaqemi më me një tolerancë pasive ndaj botëkuptimeve të njëri-tjetrit; ajo që kërkohet është një kërkim aktiv i atyre vlerave e parimeve morale të përbashkëta që lartësojnë gjendjen e çdo gruaje, burri e fëmije pavarësisht nga raca, klasa, feja apo pikëpamjet politike.

8. Ne themi se rendi botëror që po lind dhe proceset e globalizimit që e përcaktojnë atë duhet të bazohen në parimin e njëshmërisë së njerëzimit. Ky parim, i pranuar dhe i afirmuar si një kuptim i përbashkët, ofron bazën praktike për organizimin e marrëdhënieve midis të gjitha shteteve e vendeve. Lidhja e ndërsjellë gjithnjë e më e dukshme midis zhvillimit, sigurimit dhe të drejtave të njeriut në shkallë botërore konfirmon se paqja dhe mbarëvajtja janë të pandashme - se asnjë të mirë të qëndrueshme nuk mund të ketë për një vend apo komunitet, në qoftë se injorohet e shpërfillet mirëqenia e vendeve si një e tërë. Parimi i njëshmërisë së njerëzimit nuk kërkon të minojë autonominë kombëtare ose të zhdukë shumëllojshmërinë e popujve e të vendeve të botës. Përkundrazi, ai përpiqet të zgjerojë bazën e themeleve ekzistuese të shoqërisë, duke bërë thirrje për një benikëri më të gjerë, për një aspiratë më të madhe nga çdo tjetër që ka frymëzuar gjininë njerëzore. Me të vërtetë, ai siguron shtytjen morale të nevojshme për të rimodeluar institucionet e qeverisjes në pajtim me nevojat e një bote në ndryshim të pandërprerë.

9. Nga mësimet e Besimit Bahá'í ne ofrojmë vizionin e mëposhtëm, për realizimin e të cilit janë të angazhuar komuniteti mbarëbotëror Bahá'í në 191 vende:

"Një komunitet botëror në të cilin të gjitha barrierat ekonomike vazhdimisht janë shembur dhe është njohur përfundimisht ndërvarësia e kapitalit dhe punës; në të cilin zhurma e fanatizmit fetar dhe konfkliktet janë zhdukur përgjithmonë; në të cilin flaka e armiqësisë raciale është shuar përfundimisht; në të cilin një kod i vetëm ligji ndërkombëtar - produkt i gjykimit të matur të përfaqësuesve të federuar botërorë - do të ketë si sanksion të tij ndërhyrjen e menjëhershme e detyruese të forcave të kombinuara të njësive të federuara; dhe më në fund një komunitet botëror në të cilin furia e një nacionalizmi kapriçioz e militant do të jetë shndërruar në një vetëdijë të qëndrueshme të qytetarisë botërore..."8

Cilat janë caqet e nocioneve tradicionale të sovranitetit?

Ne duhet të shqyrtojmë pa pasione standardet legale, teoritë politike dhe ekonomike, vlerat dhe formulat fetare, që nuk mbështesin më mirëqenien e njerëzimit.

Nocionet tona të trashëguara për fenë si një zë i parëndësishëm e obstruksionist në sferën publike ndërkombëtare nuk ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve komplekse që qëndrojnë para liderëve të kombeve të botës.

Feja ka dhënë kuadrin për kode morale e standarde legale të reja.

Ndërsa Kombet e Bashkuara vazhdimisht kanë theksuar nevojën për shumanshmëri, vetëm përpjekje të tilla...nuk përbëjnë një bazë të mjaftueshme për të ndërtuar bashkësi midis kombeve.

Parimi i njëshmërisë së njerëzimit ... siguron shtytjen morale të nevojshme për të rimodeluar institucionet e qeverisjes në pajtim me nevojat e një bote në ndryshim të pandërprerë.

II

10. Në dritën e analizës së mësipërme dhe të fushave që shqyrtohen aktualisht nga Kombet e Bashkuara, ne ofrojmë rekomandimet e mëposhtme si hapa konkretë drejt realizimit të një sistemi më të drejtë e më efektiv të Kombeve të Bashkuara. Rekomandimet tona kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, zhvillimin, demokracinë dhe sigurimin kolektiv.

Të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit

11. Nuk mund të vendoset e të mbahet në këmbë një rend ndërkombëtar efektiv e paqësor nëse ai nuk mbështetet fort në parimet e drejtësisë dhe në sundimin e ligjit. Aderimi në këto parime siguron stabilitetin dhe legjitimitetin e domosdoshëm që kërkohen për të fituar mbështetjen e popujve e të vendeve të cilave ky system ka pëe qëllim t'u shërbejë. Ne ofrojmë rekomandimet e mëposhtme:

Ne u bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara të afirmojnë pa dy kuptime të drejtën e individit për të ndryshuar fenë e tij apo të saj sipas ligjit ndërkombëtar

a. Kërcënimet e rënda që përfaqësojnë ekstremizmi, intoleranca dhe diskriminimi fetar kërkojnë që Kombet e Bashkuara ta trajtojnë këtë çështje hapur e seriozisht. Ne u bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara të afirmojnë pa dy kuptime të drejtën e individit për të ndryshuar fenë e tij apo të saj sipas ligjit ndërkombëtar. Asambleja e Përgjithshme mund t'i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas Nenit 96 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të japë një mendim këshillimor për çështjen e lirisë së fesë apo besimit. Në mënyrë specifike Gjykata mund të pyetet nëse parimi i lirisë së fesë apo besimit ka arritur statusin e jus cogens [të drejtës së detyrueshme], të ligjit zakonor ndërkombëtar, apo thjesht është lënë në interpretimin e çdo shteti. Një sqarim i tillë do të ndihmonte për të zhdukur interpretimet e rreme të kësaj të drejte dhe për t'i dhënë forcë morale dënimit të politikave e praktikave që shkelin parimin e mosdiskriminimit në çshtjet e fesë apo besimit.9

b. Veç reformave strukturore e funksionale në vazhdim të mekanizmit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, legjitimiteti i këtij mekanizmi duhet rindërtuar nëpërmjet aderimit konsekuent të tij në parimet më të larta të drejtësisë, duke përfshirë ato që janë shtjelluar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Vetëm në këtë mënyrë ai do të sigurojë legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shteteve Anëtare dhe të shtetasve të tyre , që kërkohet për ushtrimin e mandatit të tij.

c. Asambleja e Përgjithshme duhet të mendojë për caktimin e një afati kohor të ratifikimit universal të traktateve për të drejtat e njeriut.

d. Zyra e Komisionerit të Lartë të të Drejtave të Njeriut, e mbështetur nga burimet e nevojshme morale, intelektuale e materiale, duhet të bëhet tani flamurtari në fushën e të drejtave të njeriut dhe një mjet efektiv për të lehtësuar vuajtjet e individëve e të grupeve të cilëve u mohohen të drejtat.

 Procedurat e Posaçme duhet të kenë mbështetjen përkatëse buxhetore e administrative, si një prej mjeteve më efektive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Bashkëpunimi qeveritar me Procedurat e Posaçme nuk duhet të kufizohet vetëm me lejimin e hyrjes në vendin në fjalë, është po aq e rëndësishme të përfshijë shqyrtimin e plotë të rekomandimeve të mëpasme. Këto duhet të reflektohen në dialogjet e ndërsjella aktive midis Referuesit dhe Shteteve Anëtare.

 Sektori i Informimit Publik i Zyrës së Komisionerit të Lartëduhet të zhvillohet, në mënyrë që t'u jepet më shumë përparësi në mediat rezolutave të Komisionit për të Drejtat e Njeriut/Këshillit të të Drejtave të Njeriut, rekomandimeve të Procedurave të Posaçme dhe vërejtjeve përfundimtare të traktatit të organizmave mbikqyrës. Kjo duhet të përfshijë, për shembull, përkthimin e dokumentave në gjuhët kombëtare përkatëse, që atyre t'u jepet më shumë publicitet.

 Zyra e Komisionerit të Lartë, bashkë me Këshillin, duhet të vazhdojë angazhimin e vet të frytshëm me organizata joqeveritare, të cilat qysh në fillim kanë kontribuar pozitivisht si në punën e Zyrës dhe për zhvillimin e aftësisë së organizatave joqeveritare për të ndërvepruar në mënyrë të kuptimshme në këtë kontekst.

Zhvillimi

12. Në thelbin e zhvillimit njerëzor duhet të jetë të kuptuarit se njerëzit janë burime të pazëvendësueshme në një proces të pavarur ndryshimi. Puna është të gjenden metodat që u lejojnë atyre të shprehin plotësisht këtë aftësi në të gjitha dimensionet e saj. Gjithsesi, zhvillimi i përcaktuar nga pikëpamja e disa modeleve të "modernizimit", duket se u referohet pikërisht atyre proceseve, të cilat mbështesin mbisundimin e ambicjeve materiale të njerëzve mbi qëllimet shpirtërore të tyre. Ndërsa duke qenë qëllimi kryesor i zhvillimit njerëzor, kërkimi i një shoqërie shkencore e teknologjikisht moderne duhet t'i bazojë strukturat e veta edukative, ekonomike, politike e kulturore në konceptin e natyrës shpirtërore të qenies njerëzore dhe jo vetëm në nevojat materiale të saj. Ne ofrojmë rekomandimet që vijojnë:

a. Aftësia e njerëzve për të marrë pjesë në krijimin dhe zbatimin e dijes është një komponent thelbësor i zhvillimit njerëzor. Si i tillë, duhet t'i jepet përparësi edukimit të vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, për t'u dhënë mundësi të shtrojnë rrugën e zhvillimit të vet dhe ta venë në zbatim dijen e tyre në shërbim të komunitetit më të gjerë. Kombet e Bashkuara duhet të mbajnë parasysh se nga pikëpamja e investimit ekonomik edukimi i vajzave mund të japë frytet më të mëdha nga të gjitha investimet në vendet në zhvillim si përsa u përket përfitimeve private, ashtu edhe pjesëtarëve të familjeve dhe komunitetit më të gjerë.10

b. Ne i nënshtrojmë gjykimit të Kombeve të Bashkuara pesë parime shpirtërore, të cilat mund të shërbejnë si bazë për krijimin e treguesve të zhvillimit njerëzor dhe të përdoren krahas masave ekzistuese të zhvillimit. Këto parime përfshijnë: unitetin në shumëllojshmëri, paanësinë e drejtësinë, barazinë e gjinive, besueshmërinë e udhëheqjen morale, si dhe lirinë e ndërgjegjes, të mendimit e të fesë.11

c. Vendet e pasura të botës kanë detyrimin moral të heqin masat e shtrembëra të eksportit e të tregtisë, që pengojnë futjen në tregun botëror të vendeve që përpiqen të marrin pjesë në të. Konsensusi i Monterrejit, i cili pranon rëndësinë e krijimit të një sistemi tregtie "më të hapur, të bazuar në rregulla, jodiskriminues e të drejtë" është një hap në drejtimin e duhur.12

d. Përkrah reformës në sistemet e tregtisë, vendet duhet të lehtësojnë rrjedhën e punës dhe të merren me ndikimin dehumanizues të trafikimit të personave, që çon në shfrytëzimin ekonomik e seksual të njerëzve që kërkojnë një jetë më të mirë.

Demokracia

13. Ne përshëndesim komunitetin ndërkombëtar për angazhimin e tij ndaj demokracisë dhe ndaj një qeverie të zgjedhur lirisht si një vlerë universale. Megjithatë, standardi i maturisë dhe i kërkimit të së vërtetës i nevojshëm për realizimin e qëllimeve të shtruara nga Kombet e Bashkuara duhet të shkojë tej modeleve të partishmërisë, protestës e kompromisit, që priren t'i vënë vulën e vet diskutimit të tanishëm të punëve njerëzore. Është i nevojshëm një proces konsultativ - në të gjitha nivelete qeverisjes, - në të cilin pjesëmarrësit individualë të përpiqen të kapërcejnë pikëpamjet e tyre respektive, në mënyrë që të veprojnë si pjesëtarë të një organizmi të vetëm që ka interesat e qëllimet e veta. Përmes pjesëmarrjes e unitetit të qëllimit, konsultimi bëhet shprehja vepruese e drejtësisë në punët njerëzore. Pa këtë spirancë parimore, demokracia bëhet pre e ekceseve të individualizmit e nacionalizmit, që gërryen strukturën e komunitetit - si në plan kombëtar dhe botëror.

14. Tej administrimit të çështjeve materiale, qeverisja është një veprimtari morale. Ajo është shprehja e besueshmërisë - përgjegjësia për të mbrojtur pjesëtarët e shtetit social dhe për t'u shërbyer atyre. E me të vërtetë, ushtrimi i demokracisë do të ketë sukses deri në masën që udhëhiqet nga parime morale të cilat janë në harmoni me interesat në zhvillim të një gjinie njerëzore që po arrin me shpejtësi pjekurinë. Këto përfshijnë: besueshmërinë dhe ndershmërinë e nevojshme për të fituar respektin dhe mbështetjen e të qeverisurve; transparencën; konsultimin me ata që preken nga vendimet në të cilat arrihet; vlerësimi objektiv i nevojave dhe aspiratave të komuniteteve të cilave u shërbehet; dhe përdorimi i përshtatshëm i burimeve shkencore e morale.13 Ne ofrojmë rekomandimet e mëposhtme:

a. Për të siguruar legjitimitetin, besimin dhe mbështetjen e nevojshme për realizimin e qëllimeve të saj organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të merren me të metat e demokracisë në agjensitë dhe debatet e veta.

b. Debati i vëmendshëm për çështjet e ngutshme të ditës kërkon që Kombet e Bashkuara të zhvillojnë mënyrat për një angazhim konstruktiv e sistematik me organizatat e shoqërisë civile (duke përfshirë organizata biznesi e fetare), si dhe me anëtarë të parlamenteve kombëtare. Marrëdhëniet midis organizatave të shoqërisë civile, parlamentarëve dhe proceseve diplomatike tradicionale të Kombeve të Bashkuara nuk duhet të jenë konkurruese por plotësuese, të bazuara në pranimin se forcat relative të të tre përbërësve janë të nevojshme për vendim-marrjen efektive dhe vënien në jetë më pas. Ne u bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara të shqyrtojnë seriozisht propozimet e parashtruara në Raportin e Ekipit të Personave të Shquar lidhur me Marrëdhëniet Kombet e Bashkuara - Shoqëri Civile.

c. Një demokraci e shëndoshë duhet të bazohet në parimin e barazisë së burrave e grave dhe në njohjen e barabartë të kontributit të tyre për ndërtimin e një shoqërie të drejtë. Në përpjekjet e tyre për të mbështetur demokracinë, Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara duhet të punojnë në mënyrë vigjilente për përfshirjen e grave në të gjitha fushat e qeverisjes në vendet e tyre respektive. Ky nuk është privilegj, por një nevojë praktike për arritjen e qëllimeve fisnike e komplekse që qëndrojnë sot para Organizatës.

d. Integrimi i arsyeshëm i grupeve minoritare në proceset demokratike është me rëndësi jetike - si për t'i mbrojtur minoritetet nga abuzimet e së kaluarës dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e përgjegjësinë e tyre për mirëqenien e shoqërisë. Ne u bëjmë thirrje Shteteve Anëtare që në punën e tyre për të mbështetur demokracinë të përpiqen për përfshirjen e plotë të minoriteteve - që u përkasin çfarëdo besimi, race apo klase - në proceset e përcaktimit të qëllimeve e të debatit. Duke qenë se makiazhi i shteteve bëhet gjithnjë e më shumë i paqëndrueshëm e i ndryshëm, asnjë grup kulturor ose fetar nuk mund të pretendojë për një përcaktim të përshtatshëm të interesit kombëtar.

Sigurimi Kolektiv

15. Ne mirëpresim përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të përpunuar një vizion më të gjerë të sigurimit kolektiv, të bazuar në kuptimin e faktit se kërcënimi ndaj njërit është kërcënim ndaj të gjithëve. Besimi Bahá'í parashikon një sistem sigurimi kolektiv brenda kuadrit të një federate botërore, një federate në të cilën kufijt kombëtarë janë të përcaktuar në mënyrë përfundimtare dhe në favor të së cilës të gjitha vendet e botës kanë hequr dorë vullnetarisht nga të gjitha të drejtat për të pasur armatime përveç atyre që shërbejnë për mbajtjen e rendit të brendshëm.16 Duke qenë në dijeni të mungesave serioze të sistemit aktual të sigurimit kolektiv, ne përshëndesim Këshillin e Sigurimit për Rezolutën e tij epokale mbi "Gratë, Paqen dhe Sigurimin"17, e cila njeh për herë të parë në historinë e tij nevojat e grave e të vajzave në situata konfliktuale e paskonfliktuale18, si dhe rolin e tyre të qëndrueshëm në mbështetje të paqes. Ne ofrojmë rekomandimet e mëposhtme:

a. Duke pasur parasysh mangësitë e demokracisë dhe politizimin ngulmues të pandërprerë të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara duhet të shkojnë në kohën e duhur drejt adoptimit të një procedure që më në fund të çojë në eliminimin e anëtarërisë së përhershme dhe të aplikimit të vetos.19 Krahas reformave procedurale, është i nevojshëm një ndryshim vendimtar në qëndrimet e sjelljet. Shtetet anëtare duhet ta pranojnë se, duke mbajtur vendet e tyre në Këshillin e Sigurimit dhe si nënshkrues të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ata kanë detyrimin solemn moral e legal që të veprojnë si përfaqësues të mbarë komunitetit të kombeve e jo si ithtarë të interesave kombëtare të tyre.20

b. Duhet të adoptohet një përkufizim i terrorizmit. Ne jemi dakord me Sekretarin e Përgjithshëm kur ai e karakterizon terrorizmin si çfarëdo veprimi "që synon t'u shkaktojë vdekjen ose dëmtime të rënda trupore civilëve ose jo-ndërluftuesve, me qëllim që të frikësojnë popullsinë ose ta detyrojnë një qeveri apo një organizatë ndërkombëtare të kryejë ose të mos kryejë një veprim të caktuar". Për më tepër, është e domosdoshme që probleme të tilla si terrorizmi të trajtohen me konsekuencë brenda kontekstit të çështjeve të tjera që përçajnë e destabilizojnë shoqërinë.21

c. Ne i bëjmë thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të rritur pjesëmarrjen e grave në të gjitha fushat e vendim-marrjes për zgjidhjen e konflikteve dhe proceset e paqes në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar, duke përfshirë Zyrën e Operacioneve Paqeruajtëse.22

16. Ne besojmë se detyra e krijimit të një bote paqësore është tani në duart e lidërave të kombeve të botës, për arsye të përgjegjësive kolosale me të cilat ata janë ngarkuar. Sfida me të cilën ata përballen tani është të rivendosin besimin e shtetasve të tyre te vetvetja, te qeveria e tyre dhe te institucionet e rendit ndërkombëtar, duke shfaqur ndershmëri personale, qëllime të sinqerta dhe angazhim të patundur ndaj parimeve më të larta të drejtësisë dhe kërkesave imperative të një bote të uritur për unitet. Paqja e madhe e ëndërruar prej kohësh nga popujt e kombet e botës është tani në dorën tonë.

Shënime

1. Ndërsa Kombet e Bashkuara kanë filluar të njohin formalisht ndërvarësinë e të drejtave të njeriut, të zhvillimit e të sigurimit kolektiv, një perspektivë e tillë tërësore ka pasur jehonë përmes të gjitha kontributeve të organizatave të shoqërisë civile në punën e Kombeve të Bashkuara, si për shembull në konferencat botërore të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë Konferencën për Mjedisin dhe Zhvillimin (1992), Konferencën Botërore për të Drejtat e Njeriut(1993), Konferencën Botërore për Popullsinë dhe Zhvillimin (1994), Konferencën e Katërt Botërore për Gratë (1995), Takimin Botëror të Nivelit të Lartë për Zhvillimin Shoqëror (1995) dhe Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Marrëveshjet Njerëzore (1996).

2. Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í, në cilësinë e tij si organizatë ndërkombëtare joqeveritare, është angazhuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara qysh nga konferenca themeluese e saj në vitin 1945. Me rastin e 10-vjetorit të Kombeve të Bashkuara, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í i paraqiti Sekretarit të Përgjithshëm propozimet e veta për Rishikimin e Kartës, bazuar në pranimin "se sovraniteti real nuk qëndron më në institucionet e shtetit kombëtar sepse kombet janë bërë të ndërvarura; se kriza ekzistuese është morale e shpirtërore si dhe politike; dhe se kriza ekzistuese mund të kapërcehet vetëm duke ndërtuar një rend botëror që të përfaqësojë të gjithë popujt si dhe kombet e njerëzimit". (Bahá'í International Community, "Proposals for Charter Revision Submitted to the United Nations by the Bahá'í International Community [1955]," The Bahá'í World 1954-1963, Vail-Ballou Press, Inc., Binghamton, New York, 1970). Më 1995, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í lëshoi një deklaratë për 50-vjetorin e Kombeve të Bashkuara, e cila e vinte theksin te prirja drejt ndërvarësisë gjithnjë e më të madhe të njerëzimit dhe paraqiste propozime për përtëritjen e Asamblesë së Përgjithshme, zhvillimin e funksioneve ekzekutive, forcimin e gjykatës botërore, mbështetjen e zhvillimit ekonomik e moral, të të drejtave të njeriut dhe të përparimit të grave (Bahá'í International Community, Turning Point for All Nations, Bahá'í International Community's United Nations Office, New York, 1995). Gjatë tërë historisë së lidhjeve të tij me Kombet e Bashkuara, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í ka kontribuar me vizionin dhe përvojën e tij npërmjet parashtrimesh që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me përparimin e grave, të drejtat e njeriut, mjedisin, mbarëvajtjen botërore dhe zhvillimin ekonomik.

3. Në vitin 2000, në përgjigje të dështimit alarmues të komunitetit botëror për të ndërgyrë, ose për të ndërhyrë në mënyrë efektive, në krizat massive si ato të Somalisë, Bosnjes, Kosovës e Ruandas, Qeveria Kanadeze ngriti një komision për trajtimin e çështjes së aspektit legal, moral, operativ e politik të ndërhyrjes humanitare. Komisioni Ndërkombëtar për Ndërhyrjen dhe Sovranitetin Shtetëror që u krijua i parashtroi gjetjet e tij dhe parimet themelore në një raport të vitit 2001 me titull Përgjegjësitë për të Mbrojtur. Dështimi i përsëritur për të ndërhyrë në mënyrë efektive në krizën e Dajfurit, Sudan, e bëri edhe më të ngutshëm përcaktimin e standardeve legale dhe të normave operative të ndërhyrjes.

4. Për shembull, "Promotion of interreligious dialogue" (A/RES/59/23), "Promotion of religious and cultural understanding, harmony and cooperation" (A/RES/59/142), "Global Agenda for Dialogue Among Civilizations" (A/RES/56/6), "Elimination of all forms of religious intolerance" (A/RES/59/199), dhe raporti i Drejtorit të Përgjithshëm të UNESKO-s në sesionin e 59-të Asamblesë së Përgjithshme "Promotion of religious and cultural understanding, harmony and cooperation" (A/59/201).

5. Këto përfshijnë, ndër të tjera, mësimet dhe interpretimet fetare, pasuesit e feve, krerët fetarë dhe institucionet fetare.

6. Ndërsa një trajtim i hollësishëm del jashtë kufijve të kësaj deklarate, në shembujt e rishfaqjes së fesë si një çështje me rëndësi të madhe politike përfshihen: dhuna në emër të fesë e përhapur gjerësisht; përhapja e fondamentalizmit fetar dhe ndikimi i tij mbi regjimet politike; tensioni në rritje midis fesë dhe politikave shtetërore; sfidat në ngritjen e strukturave qeverisës kombëtare e rajonale të afta të kënaqin kërkesat e grupeve të ndryshme fetare për përfaqësim të paanshëm; integrimi social, politik dhe ekonomik i minoriteteve fetare; përplasjet ndërmjet ligjit fetar dhe civil; ndikimi i fesë në forumet politike ndërkombëtare (p. sh. Konferenca Ndërkombëtare për Popullatën dhe Zhvillimin, Kajro, 1994; Konferenca e Katërt Botërore për Gratë, Pekin, 1995); shkelja e të drejtave të njeriut në emër të fesë, duke përfshirë të drejtën për të ndërruar fenë. Zhvillime të tilla u kundërvihen përpjekjeve në rritje për dialog ndërfetar e kooperim midis liderëve fetarë dhe komuniteteve të tyre; rrjeteve globale mbresëlënëse të organizatave e lëvizjeve bamirëse e humanitare të frymëzuara nga feja, që kërkojnë përqendrimin e vëmendjes rreth aspekteve etike të integrimit ekonomik botëror; trashëgimisë intelektuale e morale të feve në formulimin e parimeve morale (p. sh. etika e luftës së drejtë); dhe aftësisë së feve për të shtyrë individë e grupe drejt vetëmohimit, mospërdorimit të dhunës dhe pajtimit.

7. Disa faktorë kanë ndikuar për flakjen pothuajse të plotë të fesë në konceptet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Së pari, shkencat shoqërore janë bazuar në punën e atyre që besonin se feja po i lë vendin mënyrave racionale e shkencore të mendimit, të cilat do të dërrmonin atë që e konsideronin si injorancë e bestytni të shkaktuar nga feja, duke hyrë kështu në një periudhë modernizmi. Së dyti, "jo vetëm që teoria e marrëdhënieve ndërkombëtare (ashtu si dhe shkenca të tjera shoqërore) bazohej në bindjen se feja po tërhiqej nga bota si faktor i rëndësishëm, mund të provohet se konteksti modern i marrëdhënieve midis shteteve mbështetej në parime të qëllimta shekullare. Koncepti modern I shtetit territorial, baza e marrëdhënieve ndërkombëtare moderne, u qartësua nga Traktati I Vestfalisë më 1648", i cili"kishte për qëllim t'I jepte fund Luftës Tridhjetëvjeçare midis shteteve protestante e katolike. Duke vepruar këshut, ai zhvilloi një program të marrëdhënieve midis shteteve, i cili nuk e përfshinte fenë" (Jonathan Fox dhe Shmuel Sandler (2005), Çështja e fesë dhe politika botërore", Terrorizmi dhe dhuna politike, 17:296-298).

8. Shohi Effendi, "Qëllimi i një Rendi të Ri Botëror" [1931], The World Order of Bahá'ulláh (Wilmette, III.: Bahá'í Publishing Trust, 1991).

9. Bahá'í International Community, Freedom to Believe (Bahá'í International Communitys United Nations Office, New York, 2oo5)

10. Sipas Bankës Botërore, përveç që janë më frytdhënëse në punën e tregtisë, gratë e shkolluara kanë familje më të vogla, pak nga fëmijët e tyre vdesin në moshën e foshnjërisë dhe fëmijët që mbijetojnë janë më të shëndetshëm e të edukuar më mirë. Gratë e shkolluara janë të armatosura më mirë për t'u përfshirë në fuqinë punëtore të paguar, gjë që është me rëndësi jetike për mbijetesën e shumë familjeve të kryesuara nga gratë në vendet në zhvillim. Vendet me nivele më të larta të frekuentimit të shkollave nga gratë kanë nivele më të larta prodhimtarie, pjellshmëri më të ulët, vdekshmëri më të ulët të foshnjeve e nënave dhe jetëgjatësi më të madhe sesa vendet që nuk kanë arritur nivele aq të larta frekuentimi të shkollave nga vajzat. (World Bank, "The Benefits of Education for Women" (1993), URL: www.worldbank.org/html/extdr/hnp/hddflash/hcnote/hrnoo2.html)

11. Për një diskutim të hollësishëm shih: Bahá'í International Community, Valuing Spirituality in Development: Initial Considerations Regarding the Creation of Spiritually Based Indicators for Development, a concept paper written for thë World Faiths Development Dialogue, Lamberth Palace, London (The Bahá'í Publishing Trust: London, 1998).

12. The Monterrey Consensus, (a/conf.198/11)

13. Në vitet 80-të dhe 90-të të shekullit të shekullit XX bota njohu një përparim të madh, duke i bërë më të hapura sistemet politike dhe duke zgjeruar liritë politike. Mbi tetëdhjetë vende ndërmorën hapa domethënës drejt demokracisë, dhe sot 140 nga afro 200 vende të botës kanë mbajtur zgjedhje shumëpartiake - më tepër se kurrë më parë. Megjithë këto zhvillime pozitive, Gallup International's Millenium Survey (1999) konstatoi se, nga 50,000 vetë të mbikqyrur në 60 vende, më pak se një e treta mendonin që vendi i tyre qeverisej sipas vullnetit të popullit. Vetëm 1 nga 10 të pyetur tha se qeveria e tyre i përgjigjet vullnetit të popullit.

14. Gjatë pesë viteve të fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka krijuar shumë shembuj qeverisjeje rinovuese: Në vitin 2000, Këshilli Ekonomik e Social i Kombeve të Bashkuara krijoi një Forum të Përhershëm për Çështjet e Popullsisë Indigjene, që t'i shërbente Këshillit si një ekip këshillimor për çështjet e popullsisë indigjene që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik e social, edukimin, shëndetin dhe të drejtat e njeriut, duke kurorëzuar një luftë prej shumë dhjetravjeçarësh të popujve indigjenë për të rifituar qëndrimin brenda komunitetit botëror; në qershor 2005, Asambleja e Përgjithshme - për herë të parë - zhvilloi shkëmbime mendimesh me shoqërinë civile dhe sektorin privat, në të cilat rreth 200 organizata joqeveritare paraqitën pikëpamjet e tyre për reformën e Kombeve të bashkuara, për t'i pasur parasysh Shtetet Anëtare në përgatitjet për Takimin Botëror të Nivelit të Lartë të vitit 2005; po kështu, në qershor 2005, një grup iniciator tripalësh i përbërë prej një grupi bazë Shtetesh Anëtare (Argjentina, Bangladeshi, Ekuadori, Filipinet, Gambia, Gjermania, Indonezia, Irani, Kazakistani, Malajzia, Maroku, Pakistani, Senegali, Spanja, Tailanda dhe Tunizia), shoqëria civile, Organizata Arsimore, Sociale e Kulturore e Kombeve të Bashkuara organizuan një konferencë të titulluar Kooperimi Ndërfetar për Paqen, e cila kishte si qëllim të kontribuonte në Takimin Botëror të Nivelit të Lartë të vitit 2005 lidhur me strategjitë për të mbështetur kooperimin ndërfetar për paqen. Ishte hera e parë që një konferencë organizohej e drejtohej bashkarisht nga Shtete Anëtare, shoqëria civile dhe organizma të Kombeve të Bashkuara që punonin krah për krah. Duke pasur parasysh natyrën sfiduese të çështjes në diskutim, metoda e organizimit që u ndoq dha një model të dobishëm për përpjekje të tilla në të ardhmen. Vlen gjithashtu të vihet në dukje se në vitin 2000 Bashkimit Parlamentar Ndërkombëtar iu akordua statusi i vëzhguesit të përhershëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke vënë në veprim forma të reja kooperimi.

15. Panel of Eminent Persons on UN-Civil Society Relationships, We the Peoples: Civil Society, the UN and Global Governance (United Nations: New York, 2004).

16. Që sistemi të jetë i suksesshëm janë thelbësore uniteti, fuqia, elasticiteti dhe opinioni publik: unitet mendimi e qëllimi midis anëtarëve të përhershëm, fuqi që përfshin përdorimin e forcës së përshtatshme për të siguruar efektshmërinë e sistemit, elasticitet për ta bërë sistemin të aftë të plotësojë nevojat legjitime të mbështetësve të tij të vuajtur, dhe opinion publik universal - të burrave dhe të grave - për të siguruar veprimin kolektiv.

17. Security Council Resolution 1325 (2000).

18. Është tipike që luftërat e konfliktet fare pak dallim kanë bërë midis luftëtarëve e civilëve dhe midis të rriturve e fëmijëve. Por konfliktet e armatosura i prekin gratë dhe vajzat ndryshe nga burrat dhe djemtë. Për shembull, përdhunimi dhe dhuna seksuale që kryhet nga forcat e armatosura, qoftë qeveritare ose të aktorëve të tjerë, duke përfshirë personelin paqeruajtës, shtojnë përhapjen e HIV/SIDA-s dhe të sëmundjeve të tjera që transmetohen seksualisht. Shumë prej viktimave të HIV/SIDA-s në vendet në zhvillim janë gra dhe vajza. Kjo sëmundje lë miliona jetimë, për të cilët në shumicën e rasteve kujdesen gra më të shkuara në moshë..

19. Ndërsa vetoja ka shërbyer shpesh si mbrojtje e rëndësishme kundër maxhoritarizmit shtypës, ajo gjithashtu ka bllokuar veprimin efektiv kundër vendeve që përbëjnë kërcënim për fqinjët e tyre. Një masë e përkohshme mund të përfshinte mospërdorimin e vetos kur votohet për çështje të genocidit ose kërcënimesh të tjera të mëdha për paqen dhe sigurimin ndërkomb-tar.

20. Karta e Kombeve të Bashkuara deklaron se, "për të siguruar një veprim të menjëjershëm e efektiv nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Anëtarët e saj i ngarkojnë Këshillit të Sigurimit përgjegjësinë parësore të ruajtjes së paqes e të sigurisë dhe janë dakord që në kryerjen e detyrave të tij për këtë përgjegjësi Këshilli i Sigurimit vepron në emër të tyre". (Neni 24).

21. Faktorë të tillë përçarës e destabilizues përfshijnë ndër të tjera: moskryejen e integrimit të arsyeshëm të minoriteteve fetare e etnike nga ana e qeverive; rritjen e mundësisë për të pasur armë; destabilizimin dhe rënien e qeverive; dhe një ndjenjë të përgjithshme krize sociale, politike, ekonomike e kulturore - që kombinohen të gjitha për të krijuar një mjedis i cili mund të nxitë ideologji të dhunshme e radikale të zënë vend e të lulëzojnë.

22. Kjo kërkon vënien në jetë të planit strategjik të veprimit të Sekretarit të Përgjithshëm (A/49/587), që bën thirrje për rritjen e pjesëmarrjes së grave në fushat e vendim-marrjes për zgjidhjen e konflikteve dhe proceset e paqes. Shtetet Anëtare duhet të çojnë deri në fund angazhimet e tyre ndaj legjislacionit ndërkombëtar, duke përfshirë Rezolutën 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Bashkëpunimi qeveritar me Procedurat e Posaçme nuk duhet të kufizohet vetëm me lejimin e hyrjes në vendin në fjalë, është po aq e rëndësishme të përfshijë shqyrtimin e plotë të rekomandimeve të mëpasme.

Standardi i maturisë dhe i kërkimit të së vërtetës i nevojshëm për realizimin e qëllimeve të shtruara nga Kombet e Bashkuara duhet të shkojë tej modeleve të partishmërisë, protestës e kompromisit, që priren t'i vënë vulën e vet diskutimit të tanishëm të punëve njerëzore.

Tej administrimit të çështjeve materiale, qeverisja është një veprimtari morale.

Integrimi i kuptimshëm i grupeve minoritare në proceset demokratike është me rëndësi jetike.

Shtetet anëtare duhet ta pranojnë se ... si nënshkrues të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ata kanë detyrimin solemn moral e legal që të veprojnë si përfaqësues të mbarë komunitetit të kombeve.